3.4 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Zbritet paga e Presidentit, rritet ajo e Kryeministrit dhe e Deputetëve

Më të lexuarat

Ndryshimin në paga për rreth 25 për qind, e ka konfirmuar M-ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar

Me Projektligjin për pagat, i miratuar nga Qeveria e Kosovës, përveç nivelizimit të pagave në sektorin publik, do të ketë zvogëlim të pagës për Presidentin e Kosovës, për drejtorin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për kryetarë të komunave dhe për anëtarë të bordeve të ndryshme. Ndërsa, rritje të pagave dhe mëditjeve do të ketë për Kryeministrin, ministrat dhe deputetët.

Ndryshimin në paga për rreth 25 për qind, e ka konfirmuar M-ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, në një intervistë për KosovaPress.

Paga e presidentit, Hashim Thaçi, nga 2 mijë e 800 euro, sa është aktualisht, me këtë projektligj do ketë zbritje. Po ashtu, edhe drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari, me këtë projektligj nuk do të arrijë ta marrë më pagën në vlerë prej 4 mijë e 300 euro, ngase do të ketë ulje shumë të madhe, veçanërisht te agjencitë e pavarura që financohen nga buxheti i shtetit.

Kurse, kryeministri Isa Mustafa, i cili merr pagë aktualisht rreth 1 mijë e 400 euro, pritet që kjo të rritet mbi 2 mijë euro.

Megjithatë, ky projektligj për pagat, sipas ministrit Yagcilar nuk vlen edhe për ndërmarrjet publike, ose për tri top pagat më të larta në Kosovë, ajo e drejtorit të Trustit, Adrian Zalli, rreth 6 mijë euro në muaj, paga e drejtorit të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, që merr pagë 5 mijë e 182 euro në muaj, si dhe paga e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza, i cili merr 4 mijë e 328 euro në muaj, ose 52 mijë euro në vit.

Ministri, i cili është hartues i këtij projektligji, thekson se është propozuar një ligj i cili do të krijonte një rregull, një disiplinë, por edhe një balancë sa i përket pagesave në sektorin publik. Saktësisht për përfituesit nga buxheti i Kosovës, që janë afro 80 mijë, duke filluar prej pozitës më të lartë në protokollin e shtetit, nga pozita e Presidentit, deri në pozitat të cilat shtrihen në nivele më të ulëta.

“Paga bazë do të jetë paga e presidentit, të cilin ne propozojmë që të jetë me një koeficient 11, ndërsa paga më e ulët do të jetë me një koeficient me numër 1. Por ne kemi bërë disa kalkulime, për me nxjerrë një kosto. Mendojmë se do të jetë një zvogëlim i lehtë te paga e Presidentit, diku do të ketë rritje, ajo varet se si do të krijohet nivelizimi. Sepse ne duhet ta përcaktojmë edhe një parashikim për me nxjerrë koston, në këtë aspekt, ndoshta do të jetë sipas parashikimeve një zvogëlim i lehtë për të krijuar një rend”, tha ministri Yagcilar.

Ai pret që ky projektligj të miratohet në Kuvend, ngase, sipas tij, është një rregullim, sepse sipas Yagcilar, nuk është qëllimi as të zvogëlohen e as të dëmtohen zyrtarët të cilët përfitojnë nga buxheti, qofshin shërbyes civil, arsimtarë, mjekë, policë, këshilltarë politik dhe udhëheqës të institucioneve publike.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit