0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Zbehen shpresat për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Më të lexuarat

Me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, rrjedhimisht mbylljes së Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, familjarët e personave të pagjetur, kanë humbur shpresat edhe më tepër për zbardhjen e fatit të rreth 1800 personave të pagjetur.
Edhe 13 vjet pas luftës, institucionet e Kosovës, ende nuk kanë arritur të veprojnë në mënyrën e duhur për zgjidhjen e fatit të personave që mungojnë, thotë Nesrete Kumnova, kryetare e Organizatës “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova.

Sipas saj, të gjitha institucionet e vendit dhe në veçanti Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit, po e humbin mundësinë që përmes Zyrës Civile Ndërkombëtare të bëjnë presion në Beograd për të pagjeturit.

“Ne, me bashkësinë ndërkombëtare, kemi mundur që ta shtojmë presionin në Serbi që të japin informacione dhe t’i kthejnë të gjithë të dashurit tanë që mbeten nëpër varreza masive të Serbisë. Institucionet tona asnjëherë nuk kanë mundur ta kushtëzojnë Serbinë me ndonjë gjë për çështjen e personave të pagjetur”, thotë Kumnova.

Edhe Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, thotë se mbyllja e Zyrës Civile Ndërkombëtare do të ndikojë në edhe në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për fatin e personave të pagjetur.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës theksojnë se institucionet e vendit, duhet të angazhohen sa më shumë në drejtim të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.

Deputeti Arsim Bajrami nga Partia Demokratike e Kosovës thotë se Kosova nuk duhet të lejojë që faktori ndërkombëtar të largohet nga Kosova pas zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“E vetmja mënyrë mbetet që në te kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare – e cila po bën nganjëherë presione jo korrekte ndaj Kosovës dhe po e detyron Kosovën të pranojë kompromise mjaft të dhimbshme – që ajo së paku në këtë çështje humanitare të tregohet korrekte dhe të ushtrojë presione ndaj Serbisë që kjo të ushtrojë detyrimet ndërkombëtare që ka karshi të pagjeturve”, tha Bajrami për REL.

Ai konsideron se institucionet kosovare për zbardhjen e fatit të të pagjeturve duhet të kenë edhe strategji shtetërore, ku sipas tij, Qeveria, Kuvendi dhe mekanizmat e tjerë do të përcaktonin obligime dhe afate kohore lidhur me këtë çështje.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, rreth 1800 persona ende mungojnë.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit