Të gëzosh shëndet të mirë është një begati e dhuruar nga Zoti. Kur ndihemi mirë fizikisht, jemi në gjendje të kryejmë shumë punë, ndërsa të vuash nga sëmundjet përbën vërtetë problem dhe telash. Çfarë na këshillon Allahu në Librin e Tij lidhur me sëmundjen? Ibrahimi alejhi selam kuptoi një fakt shumë thelbësor. Kur u sëmur Ibrahimi alejhi selam, Allahu xh.sh. ishte Ai që e shëroi, prandaj duhet që me çdo mënyrë të kërkojmë ndihmë nga Zoti i Madhërishëm. Në vazhdim Allahu xh.sh. përsëri na njofton, duke thënë: “Zoti yt i dha instinkt bletës: ‘Ndërto shtëpi nëpër kodra, nëpër drunj dhe nëpër kulmet që ata (njerëzit) i ndërtojnë. Pastaj ha nga të gjitha frutat dhe futu nëpër rrugët e nënshtruara prej Zotit tënd. Nga barqet e tyre del lëng, ngjyra e të cilit është e ndryshme dhe në të cilin ka shërim (bar-ilaç) për njerëz. Edhe në këtë ka argument për atë popull që mendon thellë.”1
Ajetet e lartpërmendura na bëjnë me dije se nga mjalti ka shërim. Lëngu me ngjyra të ndryshme formon mjaltin, në të cilin ka bar shërimi për njerëzit. Lëngu në fjalë del nga kosheret e bletëve, ku në të njëjtën kohë i ndryshon edhe ngjyra, në varësi të larmisë së luleve që bletët i vizitojnë për të mbledhur polenin. Le ta analizojmë këtë dukuri dhe të orvatemi të kuptojmë shkakun që fshihet pas saj: përse mjalti është i mirë dhe shërues? Nga rezultatet e arritura prej mjekëve gjatë hulumtimeve të tyre, po japim disa prej tyre.
Mjekësia moderne priret të mbështetet tek antibiotikët në kurimin e sëmundjeve, të cilat kanë arritur gjendje akute. Por duket më e logjikshme që të shmanget infeksioni ose më e pakta të ndalet në fazat fillestare. Kurimi mund të arrihet nga forcimi i aftësisë së vetë trupit për të luftuar infeksionin, para se ky të gjejë pikëmbështetje të rëndësishme. Ushqimi i mirë dhe qëndrueshmëria emocionale janë faktorë të rëndësishëm jetikë, që ndikojnë në mbrojtjen e trupit. Mjalti mund të jetë një tjetër mbrojtës.
Meqenëse ai përmban sasi të vogla përbërësish antibiotikë, të paidentifikuar deri tani, një marrje ditore e një sasie të caktuar mjalti, do të siguronte në sfond një nivel të konsiderueshëm të kësaj lënde, e cila do ta ndihmonte trupin të luftonte infeksionin. Ka prova të konsiderueshme se, ata njerëz që marrin mjaltë të freskët si pjesë të dietës ditore, janë më të shëndetshëm se të tjerët që nuk e bëjnë këtë. Në fakt nuk ka ndonjë mjekim popullor të veçantë, që të jetë bashkëshoqërues më i madh se mjalti.
Studimi i bletëve, ka qenë tema e shumë shkrimeve të studiuesve të mjekësisë, që nga kohët e lashta. Sigurisht, nëse dikush lexon rreth lashtësisë do të zbulojë se, vetëm pak prej sëmundjeve nuk kuroheshin nga mjalti ose disa produkte të tjera të bletës. A mund ta shpërfillim bashkëshoqërimin e madh historik ndërmjet mjaltit e shëndetit?2
Këto janë studimet dhe arritjet e mjekëve, mirëpo le të thellohemi për një çast. Të nisemi nga pikëpamja se çdo gjë e cekur nga Allahu në Kuran është e vërtetë dhe nuk ka pikë dyshimi, prandaj jemi të informuar se aty ka edhe shërim për njerëzimin. Pra, a ka mundësi që vetëm një produkt natyror të shërojë? Besoj se përgjigjja është shumë e thjeshtë. Ajo na ruan sistemin e imunitetit në gjendje të mrekullueshme. AIDS-i na shkatërron shëndetin dhe imunitetin, prandaj dhe çdo lloj sëmundjeje dhe virusesh e sulmojnë. I vetmi kundërhelm ndaj tij është mjalti. Duke pasur sistem të mirë imunitar, jemi në gjendje ta largojmë sëmundjen, kështu që është mirë që çdo ditë të hamë dy lugë mjaltë. Të nderuar lexues, në asnjë rast nuk duhet harruar se Allahu i Madhërishëm është Ai që na krijoi, di çfarë ne nuk dimë, ndaj është më mirë që gjithmonë t’i ndjekim këshillat dhe porositë e të Madhit Zot.
Tani po e shikojmë shëndetin nga një perspektivë tjetër. Përderisa mjalti kujdeset për anën materiale të trupit, në asnjë mënyrë nuk duhet harruar rëndësia e emocioneve, siç e pamë nga paragrafi i mësipërm, ku spikatet se stabiliteti emocional është faktor i rëndësishëm jetik. Kurani i kushton vëmendje edhe stabilitetit emocional, saqë kur ta ushtrojmë, ndihemi të gëzuar, të lumtur, të hareshëm, çfarë tregon qëndrueshmërinë dhe rehatinë emocionale.
Jeta ka shumë telashe, por pavarësisht prej tyre, kur ta shquajmë të drejtën nga e padrejta, të mirën nga e keqja, vetëm atëherë do të jemi të aftë të veprojmë në mënyrë të duhur, si në fatkeqësi ashtu edhe në gëzim. Infarkti i zemrës mund të na jetë përkujtues se jeta nuk është përgjithmonë. Çfarë ndodh pas infarktit në zemër?
Sipas një studimi, pacientët me depresione kronike të zemrës ka gjasa të vuajnë nga infarkti i dytë në të njëjtin vit. Depresioni afatshkurtër është i zakonshëm pas infarktit në zemër. Të rejat e fundit tregojnë që nëse depresioni nuk ndalon dhe pacienti nuk ka mbështetje nga familja, shokët apo psikiatri, kjo do të thotë se infarkti i dytë i zemrës është më se i mundshëm. Studimi është botuar në të përmuajshmen e Shoqatës Amerikane për çështjet e zemrës dhe ishte kryer në 887 persona. Thuajse një e treta kishte raportuar se depresioni ishte i vazhdueshëm pas infarkteve të tyre të zemrës.3
Nëse personi ndien qetësi në zemër, ai nuk përballet me depresionin. Ç’është e vërteta, njeriu mund të hasë në shumë gjëra, pasi është i ndërgjegjshëm se i përket Zotit! Allahu i Madhërishëm thotë në Kuran: “O ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj, udhëzim e mëshirë për besimtarët.”4
Në këtë ajet, Kurani shumë bukur nxjerr në pah sëmundjet emocionale. Nga krejt ajo që u tha shohim se të dy entitetet – materiale dhe shpirtërore – merren parasysh.
Haxhah Liza Abdullah
Shqipëroi: Mr. Feim Dragusha
1 En-Nahl (16), ajeti 68-69.
2 Honey and Health (Mjalti dhe shëndeti), Croft, f. 94.
3 The New York Times, 26 April, 2000.
4 Junus (10), ajeti 57.
/klubikulturor/kohaislame