Zbardhet fatura financiare e qeverisë për dëmet e shkaktuara në tërmetin e parë, atë të datës 21 shtator.
“Open Data Albania” thotë se bëhet fjalë për gati gjysmë miliardë lekë ose 3.7 milionë euro që ka akorduar qeveria për riparimin e 233 banesave në qytetet: Durrës, Krujë, Shijak, Kavajë, Rrogozhinë dhe Kamzë. “Qeveria Shqiptare ka dhënë për tërmetin e 21 Shtatorit 457 722 940 (Katërqind e pesëdhjetë e shtatë milionë e shtatëqind e njëzet e dy mijë e nëntëqind e dyzet) lekë për rikonstruksion dëmi në banesa (shtëpi), në Qarqet Durrës dhe Tiranë”.
Por kjo shumë e ndarë veç nga qeveria, nuk u vu dot në punë për më shumë se dy muaj, për shkak se procedura për çeljen e fondit, vlerësimi dhe kontraktimi me tenderuesit që morën përsipër punimet, u zvarrit, edhe pse u bënë me negocim të drejtpërdrejtë.
Veç kostos financiare, “Open Data Albania” ka bërë publike edhe emrat e kryefamiljarëve (me iniciale) të banesave që duhej të riparoheshin në kohë. Pikëpyetja më e madhe në këtë mes lidhet me faktin se në listën e bërë publike, sa prej këtyre banesave tërmeti i 26 nëntorit ua dha goditjen përfundimtare, që në jo pak raste rezultoi në fatalitet?!
PROCEDURA E TENDERIMIT
Vetëm në datën 25 nëntor, një ditë para tërmetit të tmerrit, u njoftua përzgjedhja e kompanive që do të ndërtonin 233 banesat e verifikuara nga grupet e punës, të ngritura asokohe. Ministria e Mbrojtjes, si dikaster përgjegjës për emergjencat civile, ka negociuar për përzgjedhjen e kompanive të ndërtimit që do të bënin riparimin e dëmeve.
Negocimet u bënë të ndara në katër lote. Loti I, për “Ndërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti në Bashkinë Durrës” ka një vlerë prej 100 505 333 lekësh; loti II “Ndërtim i shtëpive të dëmtuara nga tërmeti në Bashkitë Durrës dhe Krujë” parashikohet të riparojë dhjetëra banesa kundrejt një vlere totale prej 131 317 060 lekësh; loti III “Ndërtim i shtëpive të dëmtuara nga tërmeti në Bashkinë Shijak”, me 133 036 117 lekë dhe loti IV “Ndërtim i shtëpive të dëmtuara nga tërmeti në Bashkitë Kavajë, Rrogozhinë dhe Kamzë”, që i ka kushtuar qeverisë 92 846 430 lekë. Në kontratë nuk thuhet data e fillimit të punimeve, por ka një “date line” për përfundimin e tyre.
Qeveria ka specifikuar që brenda muajit dhjetor të gjitha familjet të hyjnë në shtëpitë e tyre të riparuara. Nuk dihet se si do të arrihej kjo gjë, në një kohë kur vetëm para një jave janë shpallur emrat e katër kompanive fituese që do të bëjnë punimet dhe sakaq ende nuk figuron asnjë kontratë e lidhur. Vëmendja e qeverisë tashmë është e gjitha e përqendruar në gjetjen e burimeve të financimit për rindërtimin e banesave që u shembën a dëmtuan rëndë në goditjen e madhe të datës 26 nëntor.
Vlera e mësipërme prej 457 722 940 lekësh për përballimin e dëmeve u gjenerua nga Fondet Financiare në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes, drejtoria e përgjithshme e Emergjencave Civile, në programin buxhetor “Emergjencat civile”, si dhe shuma prej 500 milionë lekësh që Këshilli i Ministrave i kaloi në programin buxhetor të “Emergjencave civile”.
Kujtojmë që kjo procedurë u zhvillua për tërmetin e parë. Dokumenti i tenderit flet vetëm për riparim dëmi. Nuk është e qartë nëse ka fond tjetër për strehimin e familjeve me shtëpi të pabanueshme./Panorama