1.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Zaev: U dakorduam që të ketë hetim ndërkombëtar për “Rastin e Kumanovës”

Më të lexuarat

Zaev tha se kjo është çështje e ndjeshme për të cilën janë dakorduar të ketë hetim ndërkombëtar

PRISHTINË (AA) – Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, është pritur në takim nga homologu i tij kosovar, Ramush Haradinaj, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Haradinaj, kryeministri maqedonas Zaev në pyetjen e gazetarëve lidhur me çështjen e të dënuarve për Grupin e Kumanovës për kërkesën që të ketë hetim ndërkombëtar tha se kjo është një cështje e ndjeshme për të cilën janë dakorduar me kryeministrin Haradinaj që të ketë hetim ndërkombëtar.

“Në këtë aspekt kemi qëndrim të përbashkët dhe qytetarët e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë meritojnë ta dinë të vërtetën. Ne jemi dakorduar që të ketë hetim ndërkombëtar ose të dërgohen përfaqësues ekspertë të cilët do t’i vlerësojnë të gjitha elementet dhe provat që t’u jepen qytetarëve përgjigjet e vërteta në interes edhe të bashkëpunimit tonë. Kjo çështje nuk duhet të jetë pengesë ndërmjet marrëdhënieve tona”, deklaroi Zaev.

Ndërsa, sa i përket pyetjes tjetër për mbështetjen e Republikës së Maqedonisë në cështjen e anëtarësimit të Kosovës në UNESO, Zaev tha se nuk dihen se kur do të fillojnë bisedimet për këtë çështje por Maqedonia do të vazhdojë të përkrah bisedimet dhe dialogun në mes të Serbisë dhe Kosovës siç ka bërë deri më tani.

“Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e Maqedonisë në të gjitha këto procese. Ne gjithashtu e kemi fqinj edhe Serbinë. Mbështetja jonë gjithmonë do të shkojë në zhvillimin e këtyre marrëdhënieve fqinjësore”, tha Zaev.

Zaev para mediave tha se me Haradinajn kanë biseduar për projektet e përbashkëta për hapjen e rrugës në Han të Elezit dhe në Stançiq që sipas tij e gjithë kjo do të avancojë komunikimin në mes dy shteteve.

Ai po ashtu bëri të ditur se Maqedonia ka nënshkruar 19 marrëveshje dypalëshe ndërsa theksoi se në pritje janë edhe 20 marrëveshje. Zaev potencoi se Maqedonia dhe Kosova janë dy shtete që i ndajnë aspiratat e njëjta sa i përket integrimeve evropiane. Ai bëri të ditur se këmbimi ekonomik në mes dy vendeve aktualisht është 160 milionë euro. Zaev shprehu shpresën që kjo të arrijë në 200 milionë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Haradinaj tha se Kosova dhe qeveria e saj është e nderuar me vizitën e Zaevit dhe të kabinetit qeveritar. Ai theksoi se kjo vizitë është e rëndësishme për arsye se Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë janë fqinj duke vënë theksin se ato i lidh fati, jeta dhe perspetikva euro-atlantike.

“Në këtë vizitë të sotme kemi mundur të ndihmojmë që marrëdhëniet tona mes Kosovës dhe Maqedonisë të përparojnë. Ato janë të mira por të përparojnë. Edhe sot kemi marrë plot obligime që besoj se do të kemi rastin t’i finalizojmë në të ardhmen edhe në takime të përbashkëta të të dy qeverive, pra të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Maqedonisë në interes të qytetarëve të dy vendeve tona”, u shpreh kryeministri Haradinaj.

Gjatë ditës kryeministri i Maqedonisë, Zaev është takuar edhe me krerët tjerë shtetërorë të Republikës së Kosovës, me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe Presidentin Hashim Thaçi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit