Mijëra qytetarë kanë protestuar sot në Shkup nën drejtimin e disa partive opozitare në vend ndaj qeverisë maqedonase, ndërkohë që policia në kryeqytetin e vendit kishte marrë masa të larta të sigurisë përreth godinës qeveritare.
Lideri i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, në fillim të fjalës së tij përshëndeti pjesëmarrësit në protestë që mbështesin projektin “E vërteta për Maqedoninë”, siç e quan ai. Zaev tha se këto protesta janë organizuar për fëmijët dhe për ardhmërinë e Maqedonisë, si dhe për të jetuar në demokraci, e jo në këtë atmosferë të padurueshme të diktaturës.
“Gruevski duhet të largohet, rrugëdalje tjetër nuk ka. Do ta ngremë në këmbë Maqedoninë dhe shpërdorimeve do t’iu japim fund. Kjo datë, 17 maj, do të hyjë në historinë e një Maqedonie të lirë, këtë unë dhe ju ia garantojmë Republikës së Maqedonisë. Rrugëdalja nga një prej krizave më të ndërlikuara politike është dorëheqja e Nikolla Gruevskit”, deklaroi Zaev, duke shtuar se dorëheqje duhet të japin edhe bashkëpunëtorët e tjerë të tij në Qeveri.
Lideri i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë tha se pret mesazhin që sot dërgon Maqedonia bashkërisht me të gjithë etnikumet që jetojnë në Maqedoni. “Pres që komuniteti ndërkombëtar të ndihmojë Maqedoninë me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë, jo vetëm duke na respektuar, për një zgjidhje paqësore të krizës politike”- u shpreh ai.
Zoran Zaev ka pohuar ndër të tjera se: “Paralajmërojmë se inati i Gruevskit mund të ketë pasoja që askush nuk i dëshiron. Prandaj presim që të gjithë qytetarët, organizatat joqeveritare, partitë politike, përmes një procesi të arsyeshëm dhe paqësor të ndihmojë në arritjet e momenteve historike të dëshiruara, ku nuk do të ketë vend për dhunë”, tha ai.
Ai shtoi se do të qëndrojnë deri në fund, pasi që sipas tij, Gruevski me apo pa vullnet do të largohet nga Qeveria dhe se do të sigurojnë që të protesta të jetë paqësore, jo të dhunshme. “Ne kemi ardhur dhe nuk largohemi deri në rivendosjen e paqes, qetësisë dhe dinjitetin e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë”, u shpreh ai.
Shumica e protestuesve u larguan, ndërsa një pjesë tjetër filluan të vendosin tenda të cilët, siç paralajmërojnë, nuk do të lëvizin deri sa Gruevski të jap dorëheqje.