1.1 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Yndyrat e larta në gjak, 10 ushqimet që ju vijnë në ndihmë

Më të lexuarat

Shega, çaji jeshil, peshku, hudhra, rrushi i kuq, boronica, manaferra, molla, spinaqi dhe domatja janë ato ushqime të cilat nuk duhet të mungojnë në tavolinën tuaj, veçanërisht nëse vuani nga yndyrat e larta në gjak dhe hipertensioni.

Dietologia Rolina Naco këshillon përfshirjen e tyre në dietë, si një mënyrë për të mbajtur larg edhe sëmundjet kardiovaskulare. Kjo sepse niveli i lartë i triglicerideve në gjak, rrit riskun për sëmundje ishemike të zemrës, pasi të gjitha dislipidemitë (yndyrat e larta në gjak) favorizojnë prodhimin e pllakave arterosklerotike në muret e enëve të gjakut, sidomos në ato që furnizojnë zemrën më gjak.

Por risku i dislipidemive është rezultat edhe i faktorëve gjenetikë, metabolikë, regjimit ushqimor dhe aktivitetit fizik. “Megjithatë, çdo rast mund të trajtohet shumë ndryshe, pasi faktorët rrethanore kanë një ndikim shumë të konsiderueshme. Patologji të tjera si diabet, hipertension, predispozita gjenetike etj., ndikojnë shumë në trajtimin e çdo rasti, nëse është apo jo e nevojshme të merren mjekime apo do të trajtohen me anë të aktivitetit fizik, uljes në peshë dhe regjimit ushqimor”, pohon dietologia.

Lipidemia do të thotë yndyrat në gjak. Yndyrat në gjak kur janë brenda normave fiziologjike janë jetësore për shumë funksione. Ne jemi njohur më shpesh me kolesterolin dhe ndoshta kemi dëgjuar për kolesterolin e keq dhe atë të mirë.

Kolesteroli, një nga lipidet (yndyrat në gjak), është kryesisht endogjen (rreth 75%), pra, prodhohet nga hepari (mëlçia) ynë më shumë dhe më pak është ekzogjen (25%), që do të thotë merret ndërmjet ushqimit. Dislipidemi konsiderohet një patologji kur një reaksion i faktorëve gjenetikë dhe ose ambiental, pra, mënyrës së të ushqyerit, kryesisht ndikojnë në rritjen e normave dhe cenojnë shëndetin.

Dislipidemia është një nga shkaktarët kryesorë për arterosklerozë, që lidhet ndjeshëm me komplikime kardiovaskulare, cerebrale dhe periferike. Për ta thënë më qartë, kolesteroli konsiderohet i keq nëse është në tepri, pasi mbivendoset në muret e enëve të gjakut duke i ngushtuar ato dhe duke i bërë më të ngurta.

Në këtë mënyrë ulet qarkullimi i gjakut, por mund të shkaktojë deri edhe në bllokim të tij me pasojë një infarkt i miokardit ose i enëve të trurit, që janë më të rrezikshme për jetën e njeriut. Personat më të rrezikuar janë: Personat mbipeshë, me dietë të bazuar me shumë në produkte shtazore, janë konsumatorët e duhanit dhe ata që nuk ushtrojnë aktivitet fizik. Femrat postmenopauzës dhe meshkujt me dhjamosje të lartë në zonën abdominale dhe mbi moshën 55. Personat që vuajnë nga patologji të tjera, si hipertensioni, diabeti dhe patologji të heparit.

Personat që kanë histori familjare me hiperlipidemi ose të sindromit metabolik. Nga ana tjetër, HDL kolesteroli mendohet të ketë një rol mbrojtës të sëmundjeve kardiovaskulare dhe sa më afër vlerave normale të jetë, aq më shumë luan rol si faktor mbrojtës i sëmundjeve kardiovaskulare dhe të reduktojë efektet negative të dislipidemisë. HDL kolesteroli është mirë të jetë mbi 40mg/dl dhe niveli më i lartë është 60mg/ dl.

Ndaj dhe nëse kemi HDL nën 40mg/dl është shqetësuese dhe rrit rrezikshmërinë. Për shkak të këtij efekti i është dhënë emri kolesteroli i mirë dhe LDL si kolesterol i keq. Kolesteroli i mirë ndikohet gjenetikisht, por edhe nga mënyra e jetesës.

Nëse kemi kolesterol HDL të ulët ose nën 40mg/dl mund të kontribuojmë në rritjen e tij, duke: Hequr dorë nga duhanpirja, pasi ndikon negativisht. Nga ana tjetër, aktiviteti aerobik për 30 deri në 60 minuta 4-5 herë në javë mund të ndikojë pozitivisht në rritjen e nivelit të HDL.

Po ashtu, të ushqehemi shëndetshëm me bazë dietën mesdhetare (perime, fruta dhe drithëra integrale dhe legume etj.), të cilat gjithashtu ndikojnë në nivelin e kolesterolit të mirë. Mirëmbajta e një peshe normale përsëri ndihmon. Një stil jetese pa abuzime në regjimin ushqimor, gjumin dhe me stres të reduktuar ndikon ndjeshëm dhe në nivelin e kolesterolit HDL.

Nëse dikush diagnostikohet me hiperlipidemi, në radhë të parë, duhet të konsultohet me mjekun për të analizuar dhe vlerësuar riskun. Më pas, të vendoset mbi mënyrën e trajtimit. Çdo rast mund të trajtohet shumë ndryshe, pasi faktorët rrethanorë kanë një ndikim shumë të konsiderueshëm.

Patologji të tjera, si diabeti, hipertensioni, predispozita gjenetike etj., ndikojnë shumë në trajtimin e çdo rasti nëse është apo jo e nevojshme të merren mjekime apo do të trajtohen me anë të aktivitetit fizik, uljes në peshë dhe regjimit ushqimor. Gjithashtu, mjeku do të vendosë dhe sa shpesh duhet të bëhen analizat dhe rivlerësimi i gjendjes së pacientit. Nëse shtojmë aktivitetin fizik, është vënë re se të ushtruarit sistematikisht mund të ulë deri në 5-6% kolesterolin total në gjak dhe deri në 10% kolesterolin LDL, atë të keqin, kështu që 25% është nga ushqimi dhe 10% me aktivitetin fizik, edhe në rastet që janë faktorët gjenetikë, në kemi mundësi ndikimi deri në 35% me anë të stilit të jetesës.

Ushqimet që pastrojnë arteriet tona!

Numri i personave me sëmundjet kardiovaskulare është në rritje nga vitet e fundit, duke vënë në dukje lidhjen e fortë midis mënyrës së jetesës, por dhe të ushqyerit. Sëmundjet kardiovaskulare kanë një vdekshmëri shumë të lartë, konsiderohet si ‘murtaja’ e shekullit 21-të. Fatmirësisht, parandalimi mund të jetë vërtet shpëtimi i vetëm, pra, nëse ne bëjmë kontrolle të shpeshta, kujdesemi për mënyrën e të ushqyerit dhe të jetesës, atëherë ato nuk mund të jenë dhe kaq të rrezikshme.

Një nga rreziqet më të shpeshta që lidhen me sëmundjet kardiovaskulare janë arteriet e bllokuara. Arteriet e bllokuara nuk janë rezultat i një abuzimi sporadik, por i një abuzimi prej kohësh, qoftë në të ushqyer, por dhe në aktivitetin fizik. Arteriet janë enët e gjakut që shpërndajnë nga zemra në gjithë pjesët e trupit oksigjen dhe lëndë ushqyese. Arteriet e shëndetshme duhet të jenë elastike dhe të pastra.

Me kalimin e kohës (pra, me moshën), ato humbasin elasticitetin e tyre, por dhe nga mënyra e jetesës tonë (duhanpirja, abuzimi me ushqimin dhe aktivitetin fizik) formohen pllaka arteriosklerotike.

Pllakat ari teriosklerotike bëjnë arteriet të ngurta, pra, humbasin elasticitetin, gjithashtu mund të mbivendosen dhe mbetje të qelizave, kalcium, kolesterol dhe substanca yndyrore, të cilat do të ngushtojnë rrjedhjen e gjakut ose mund edhe ta bllokojnë tërësisht. Arteriet e bllokuara mund të rrezikojnë dhe jetën, ndaj është shumë e rëndësishme të mos neglizhohet.

Arsyeja kryesore që bllokohen arteriet është e lidhur me konsumimin e ushqimeve të përpunuara, të pasura me yndyrë shtazore dhe të varfra në antioksidues. Më poshtë janë disa ushqime që nuk duhet të mungojnë në tryezën tuaj n.q.s vuani nga yndyrat e larta në gjak, hipertensioni, arterioskleroza, por dhe për të parandaluar sëmundjet kardiovaskulare.

1. Hudhër Është përdorur që në lashtësi për kurimin e hipertensionit. Sipas studimeve të fundit, duket se hudhra është multifunksionale dhe, se përveç uljes së tensionit, mund të parandalojë dhe vendosjen e kalciumit dhe të yndyrës në arteriet koronare. Gjithashtu, ka dhe efekte kurative, përsa i përket arteriosklerozës, pra, mund të ulë masën e mbetjeve në arterie deri në 20%, sipas një studimi të bërë në Gjermani.

Përdorimi i hudhrës këshillohet e pagatuar për të marrë vlerat maksimale ose të paktën të mos gatuhet më shumë se 3 min.

2.Rrushi i kuq Bëhet fjalë për rrush të kuq ose të zi me fara, pasi vetitë kuruese janë pikërisht te farat dhe lëkura e rrushit dhe jo te pjesa e ‘tulit’, që përmban një sasi të lartë glukoze. Flavonoidet që përmbajnë parandalojnë oksidimin e kolesterolit të keq, e cila vetëm e oksiduar mund të ngjitet te arteriet tona.

Vlerat antioksiduese të rrushit të kuq parandalojnë mpiksjen e gjakut që përbën vetvetiu faktor rreziku të arteriosklerozës. Por kujdes, nuk duhet të konsumohet në sasi të madhe, por të shpeshta dhe të moderuar.

3.Boronica dhe manaferra Është folur shpesh për vetitë e forta antioksiduese, janë shumë të dobishme në sistemin kardiovaskular, pasi parandalojnë forcimin e arterieve dhe ndihmojnë në pastrimin e pllakave arteriosklerotike.

4. Molla Një frut që mund të gjendet gjithë vitin. Molla është e pasur në fibra të patretshme që quhet pektinee, një fibër që ul përthithjen e kolesterolit, e cila ndihmon në uljen e kolesterolit në gjak dhe është shumë e pasur në vlera antioksiduese, që ndihmon në parandalimin e formimit të pllakave arteriosklerotike. Kot nuk thonë: një mollë në ditë bën doktorin të ikë!

5.Spinaqi Spinaqi është i pasur me karotenoide, luteinen, që mund të luajnë rol shumë të rëndësishëm, pasi na mbrojnë nga degradimi molekular, që është e lidhur me moshën. Personat që janë të predispozuar për probleme kardiovaskulare mund të parandalojnë ose të ngadalësojnë zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Përmbajtja në kalium dhe acid folik ndihmon për të mbajtur nën kontroll presionin e gjakut.

6. Peshku Acidet yndyrore të peshkut (sardelet, salmon, ngjalat) janë shumë të dobishme për të parandaluar mpiksjen e gjakut që përshpejton bllokimin e arterieve, por dhe oksidimin e kolesterolit dhe nuk e lejon atë të ngjitet në muret e arterieve .

7. Vaj ulliri Nëse përziejmë yndyrën shtazore me vaj ulliri (yndyra mono-të pangopura) atëherë oksidimi i kolesterolit bëhet më i vështirë. Ndaj rekomandohet që të gatuhet me vaj ulliri dhe kryesisht produktet shtazore si mishin e viçit, pulës, qengjit, vezën etj., pasi do të jenë më pak të dëmshme për arteriet tona.

8.Domatja Një burim shumë i njohur i likopenit, një antioksidant që redukton deri në 50% rrezikun ndaj arteriosklerozës, duke parandaluar forcimin e arterieve.

9. Çaji Jeshil Mesa duket, vetitë antioksiduese të çajit jeshil nuk ndalin. Flavonoidet që përmban, përmirësojnë shëndetin e qelizave epiteliale që ndikojnë në elasticitetin e arterieve. Ndaj rekomandohet të konsumojmë 2 filxhanë çaj jeshil për të pasur efektet parandaluese të sëmundjeve kardiovaskulare.

10.Shega Antioksidantët e shegës ndihmojnë kundër forcimit të arterieve, por dhe duke ndihmuar në pastrimin e arterieve. Studimet treguan se shega lufton dëmin që shkakton stresi te qelizat e arterieve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit