Xiabo Lu: Lufta ideore në Kinë për ndryshimin e udhëheqjes
Kina do të ketë së shpejti një ndryshim të madh në udhëheqje, kur liderët aktualë Presidenti Hu Xhintao dhe kryeministri Uen Xiabao do të tërhiqen. Në epokën Post-Maoiste ndryshimi i udhëheqjes kineze dhe tranzicioni i pushtetit përveç çështjes së ashtuquajturës Bo Xilai, është institucionalizuar dhe është bërë gjithnjë më i parashikueshëm.
Megjithëse shkarkimi i liderit Çonking – në vigjilje të një hetimi për vrasje që implikonte atë dhe gruan e tij – tregoi shkallën befasuese të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin që janë përhapur mes rangjeve më të larta pushtetare. Ai ekspozoi gjithashtu betejën intensive midis ideologjive të ndryshme të liderëve dhe intelektualëve kinezë, kjo është e pashembullt. Pas tre dekadash reforma, peizazhi social-ekonomik i Kinës është transformuar. Ndërkohë që problemet dhe sfidat, afatshkurtra dhe afatgjata janë me bollëk. Teksa u janë adresuar probleme të tilla si inflacioni, flluskat e aseteve, korrupsioni dhe shprehja gjithnjë e në rritje e pakënaqësive publike, liderët dhe intelektualët e Kinës, janë gjithashtu në kërkim të një legjitimiteti afatgjatë.
Sfida është bërë më urgjente, teksa shoqëria kineze bëhet më e pasur dhe më e shqetësuar pas tre dekadash zhvillimi të shpejtë ekonomiko – social. Kina ka nevojë urgjente për frymë, apo një grup idesh dominuese, për sa kohë që efikasiteti i ideologjisë zyrtare të Partisë Komuniste Kineze e cila e vë theksin tek “ shoqëria harmonike dhe zhvillimi shkencor” po dobësohet.
Pavarësisht, thirrjeve të partisë për të “folur me një zë” idetë kundërshtuese shprehen dhe dëgjohen. Në ndryshim nga dikotomia e thjeshtë mes reformatorëve dhe konservatorëve gjatë viteve ’80 dhe fillimit të viteve ’90 sot tërësia e pikëpamjeve mbi problemet e Kinës dhe të ardhmes së saj janë bërë më të sofistikuara dhe më komplekse.
Tani debati gjithnjë e më intensiv shfaqet mes tre grupeve: reformatorët neo-liberalë të cilët kërkojnë të liberalizojnë fushën ekonomike dhe politike dhe kundërshtojnë ndërhyrjen e fundit të shtetit. Neo-maoistët të cilët argumentojnë forcimin e shtetit dhe dobësimin e tij “shtetit kapitalist” e shohin këtë shtet si aleancë mes të pasurve dhe të fuqishmëve. Ndërsa neo-konfucianët tradicionalistë të cilët vajtojnë humbjen e busullës morale në shoqëritë moderne dhe nga ana tjetër duan të rindezin fuqinë e butë të Kinës në botë. Dominues të debateve dhe përplasjeve ideologjike janë neo-liberalët dhe neo-Maoistët të cilët kanë pushtuar lidershipin, ndërsa neo-konfucianët popullorë ata mund të jenë mes popullit të thjeshtë dhe të rinjve patriot por ende nuk i kanë gjetur avokatët e tyre mes udhëheqësve kryesorë. Një shembull simbolik i pamundësisë së neo-konfucianëve për të fituar terren, ishte heqja e një statuje gjigande të Konfucit rreth 100 ditë pasi ajo u zbulua përballë Muzeut të ri të Kombëtar të Kinës, në sheshin Tianmen. Dukja e statujës në një vend të shquar shkaktoi një trazirë mes liberalëve, neo-Maoistëve dhe elitës intelektuale.
Konfucianët – shkolla e mendimit të të cilëve është cilësuar si një thirrje për “Paqen Kineze” (Pax Cina) – humbën në garë për ide dominuese në sheshin gjigand, të pushtuar nga portreti ikonik i Maos dhe mauzoleumi i tij. Statuja tani dergjet në kopshtin e skulpturave të muzeut, gjoja për estetikë.
Implikimet e këtij debati ideologjik janë të mëdha dhe ka të ngjarë të përcaktojnë të ardhmen e Kinës. Neo-liberalët kërkojnë zbatimin universal të tregut të lirë dhe demokracisë dhe mohojnë veçantinë e përvojës kineze. Baza e fuqisë së tyre është Provinca Gungdong, reformat e tregut të së cilës shërbyen si një projekt pilot, për kombin 3 dekada më parë. Sekretari i partisë së provincës, Uang Jang i cili informoi në Komitetin e Përhershëm të Byrosë Politike, është konsideruar gjerësisht si një lider i guximshëm, i gatshëm për të nxitur ndryshime të bazuara mbi parimet e tregut dhe shoqërisë së hapur. Duke u bazuar tek nocioni “ndershmëri dhe drejtësi” zyrtarë si Uang kanë fituar mbështetjen e Pekinit për të theksuar mundësitë për të dobëtit dhe të paprivilegjuarit. Ndryshe nga lideri Bo Xilai që kanë përdorur masat e grushtit të hekurt kur kanë të bëjnë me pakënaqësi sociale, Uang ka një reputacion të mirë sepse i dëgjon bashkëqytetarët e tij, përfshirë edhe kritikat ndaj qeverisë. Nuk është për tu habitur që shumica e mediave më liberale janë përqendruar në provincën e tij.
Nga ana tjetër Boi i cili ishte një kundërshtar për Komitetin e Përhershëm deri në rënien e tij, ka qenë i njohur për evokimin e taktikave Maoiste, që përfshinin tubimet masive si dhe fushatat antikrim për të luftuar probleme si krimi i organizuar dhe korrupsioni. Programet e tij mbështetën Neo-maoizmin që kundërshton “Perëndimizimin” dhe kritikon reformat e tregut të shtetit kapitalist, duke bërë thirrje bashkimi për “barazi dhe pasuri të përbashkët”, në një kohë kur Kina po përballet me një hendek të zgjeruar të pasurisë.
Në një refuzim delikat të “ndershmërisë dhe drejtësisë” që mbrohet nga neo-liberalët, neo-Maoistët e shohin shtetin si një forcë të nevojshme dhe tregun si një e keqe. Për ta, Kina është unike dhe nuk mund të ribëhet në perëndim, ata e refuzojnë idenë e një modeli universal të zhvillimit. “Eksperimenti Çonking” i Bosë e siguroi Kinën neo-Maoiste me një tërësi idesh të cilat mund konkurrojnë përkundrejt mbrojtjes që kanë neo-liberalët për tregun dhe demokracinë.
Simpatik dhe njohës i medias, Bo bëri apel populist duke patur mbështetjen lokale, por një kthim në dukje në “flakën” e epokës Maoiste, gjë që shkaktoi një shqetësim midis zyrtarëve të partisë, veçanërisht tek veteranët me prirje liberale. Rënia e tij i ka çuar neo-Maoistët në tërheqje, por ka shenja se nëse liderët e rinj e marrin përsipër ata janë të gatshëm të bëhen të zëshëm.
Pas fasadës së bashkimit që ka theksuar partia, gjendet një luftë jo vetëm për pozicionet udhëheqëse por edhe ato ideore. Kjo betejë do të ndikojë në vendimmarrjen kryesore politike, duke përfshirë edhe reformat politike. Është ende shumë herët të parashikojmë se kush do të ngrihet në krye të trupës së lartë udhëheqëse të partisë komuniste. Por orientimi ideologjik do të jetë me siguri një nga konsideratat në lojën për pushtet. Me ardhjen e fundit të mandatit të Hu Xhintaos, qasja e tij e kujdesshme dhe mbi të gjitha ethet ndaj përpjekjeve për reforma ekonomike dhe debatet ideologjike, mund të jenë gjithashtu drejt fundit. Pyetja është, a do të mundet ndonjë nga grupet e ndryshme të ideve të pranohet si pasardhës i Husë dhe shef i partisë, si p.sh. Xi Xhinping. Orientimi i tij ideologjik mbetet i paqartë dhe ai nuk do të ketë kohë të mjaftueshme për të ecur në rrugën e mesme, duke vazhduar çorbën e ideologjisë “së zakonshme” duke mos u pozicionuar. Mënyra se si ai dhe liderët e tjerë kryesorë do të mbajnë qëndrime në këtë betejë për dominim ideologjik, do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme për Kinën dhe drejtimin e saj në dekadën e ardhshme.
Xiabo Lu është profesor i shkencave politike në Kolegjin Bernard të Universitetit të Kolumias, SHBA
Marre nga: WWW.EDITION.CNN.COM
Perktheu: Ervin Hakorja
…