1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Xhokeri i Lindjes së Mesme

Më të lexuarat

Në sfondin e luftës civile në Siri, paqëndrueshmërisë në Irak dhe në gjithë rajonin po fillojnë të shprehen gjithnjë e më shpesh druajtjet në lidhje me rishikimin e pashmangshëm të kufijve në Lindjen e Mesme. Por për këtë nuk janë të interesuar as autorët e “Pranverës arabe”, as Perëndimi dhe madje as separatistët e kallëpeve të ndryshme.
Zhvillimi i situatës në Siri e ka bërë praktikisht të pamundur ruajtjen e integritetit territorial të këtij vendi, vë në dukje gazeta turke “Zaman”. Në të njëjtën kohë i është afruar shumë momentit të shpërbërjes edhe Iraku fqinj, i drejtuar keq nga qeveria e menaxhuar prej Nuri al-Maliki. Autori i këtij artikulli nuk përjashton mundësinë që situata e përgjithshme në të dy vendet të çojë në bashkimin e kurdëve të Irakut dhe kurdëve të Sirisë.
Dhe me të vërtetë, në qoftë se do të analizojmë Irakun, situata e krijuar atje nuk lejon kurrsesi të flitet për ndonjë unitet të qëndrueshëm kombëtar. Rajoni i Kurdistanit tashmë de facto po zhvillon një aktivitet krejtësisht të pavarur nga Bagdadi si në politikë, ashtu dhe në ekonomi. Erbil – kryeqyteti i Kurdistanit irakian – që nga pranvera e vitit të kaluar ka filluar furnizimet e naftës në Turqi, duke injoruar krejtësisht interesat e qeverisë qendrore të Irakut. Në provincën kufitare me Sirinë – Anbar ka intensifikuar veprimtarinë e vet grupi i armatosur “Al-Qaeda në Irak”, i cili së bashku me rebelët sirianë ka marrë faktikisht nën kontroll kufirin. Nuk po rreshtin edhe përleshjet e armatosura ndërsektare.

Në Siri tablloja etno-politike paraqitet edhe më e komplikuar. Situata ndërfetare atje është tmerrësisht e koklavitur, bashkësitë fetare shpesh herë janë fort të përziera përkatësisht vendosjes së tyre dhe sistemimit të tyre gjeografik.

Pothuajse të gjitha shtetet e rajonit, në pamjen e tyre aktuale, lindën pas Luftës së Parë Botërore jo në bazë të impulseve të brendshme, por si rezultat i shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe ekspansionit të egër, të papërmbajtshëm nga ana e evropianëve, kujton eksperti i Lindjes së Mesme, Grigori Kosaç. Kjo do të thotë se kufijtë nuk janë përcaktuar, përvijuar në përputhje me gjeografinë e vendosjes, banimit të këtij apo atij grupi etnik, por në varësi të drejtpërdrejtë me interesat e fuqive të mëdha të asaj kohe. Ndërsa tani problemi konsiston në diçka tjetër, thekson Grigori Kosaç:

– Pavarësisht faktit se sa artificialë janë këta kufij, bashkësia ndërkombëtare aktualisht nuk dëshiron aspak ndarjen, përçarjen e këtyre shteteve. Kjo është demonstruar mëse qartë në shembullin e Irakut, ku është bërë “gjithçka” me qëllim që ky shtet të mos shpërbëhet.

Askush nuk ka ndërmend të rishikojë sot kufijtë e Lindjes së Mesme, sepse kjo është një punë si fort e kushtueshme në të gjitha aspektet, pajtohet eksperti orientalist Sergei Demidenko. Kurrfarë qendrash ndikimi, me përjashtim, ndoshta, të Arabisë Saudite dhe Katarit, nuk do të ndërmarrin një hap të tillë. Dhe ka shumë të ngjarë, që edhe dy vendet e përmendura të mos marrin guximin për këtë gjë, sepse në qoftë se do të fillojë ndarja territoriale e Sirisë dhe Irakut, atëhere pas tyre radha do t’i vijë pashmangshmërisht vetë Arabisë Saudite.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit