1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Xhemati, traditë profetike dhe dobitë mjekësore

Më të lexuarat

Çdo ditë shkencëtarët perëndimorë shpalosin njohuritë bashkëkohore, por ato nuk konsiderohen të reja për fenë tonë të pastër. Hulumtimet bashkëkohore vërtetojnë se jeta shoqërore pozitive për njeriun është shumë më e dobishme për shëndetin e tij sesa vrulli, entuziazmi dhe ushtrimet sportive. Ajo i ul rreziqet e goditjes me sëmundjet si infarkti miokardiak, çmenduria, madje edhe të ftohurit e rëndomtë.

Një hulumtim i ri vjen nga universiteti australian Exeter. Shkencëtarët kanë konstatuar se qëndrimi brenda një shoqërie, të punuarit në kuadër të saj, qoftë ajo në punë ose në shtëpi ka ndikim jashtëzakonisht të madh shërues të sëmundjeve.

Pas një mbikëqyrjeje të gjatë, profesor Alex Haslam nga Universiteti Exeter thotë: “Njeriu është adaptuar ndaj jetës shoqërore dhe të jetojë në grupe që nga fillimi i krijimit të tij. Këto grupe janë pjesë e pandashme e personalitetit të tij, madje ato caktojnë fatin e tij shëndetësor dhe intelektual”.

Në një studim tjetër që është bërë në vitin 2008 në revistën “Neuropsychological Rehabilitation”, shkencëtarët kanë vërejtur se jeta shoqërore e mbushur me bashkëveprim, dashuri dhe vëllazëri ka mundësi ta mbrojë njeriun nga sulmi i zemrës, vdekja e papritur dhe të parandalojë nga çmenduria dhe problemet e memories.

Ndërsa në një studim të vitit 2009 të publikuar në “Ageing and Society” është konstatuar se sa më e madhe të jetë lidhja e njeriut me shoqërinë dhe ambientin në të cilin jeton, sa më i madh të jetë bashkëpunimi mes tyre, ka ndikim të madh në parandalimin nga sëmundja Alzheimer (AD).
Lexues të nderuar, pasi vërejtëm se ç’thonë shkencëtarët perëndimorë, të shohim se ç’thotë feja jonë e pastër.

Të gjithë ne e dimë rëndësinë e xhematit në mësimet e Profetit të mëshirës, e para prej tyre është namazi. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, e ka bërë shpërblimin e namazit me xhemat me njëzet e shtatë gradë më tepër! Kjo nuk është më kot, por për shkak të dobive të shumta, që shkencëtarët akoma vazhdojnë t’i zbulojnë, kurse sot vërejmë dobi shëndetësore që shfaqen në jetën shoqërore apo në grupe. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, thotë: “Namazi me xhemat është më i vlefshëm se namazi i cili falet vetëm për njëzet e shtatë shkallë.” (Buhariu dhe Muslimi)

Prandaj, vëlla i nderuar besimtar! Kur kujdesesh për namazin me xhemat ti fiton shpërblim shumë të madh dhe njëkohësisht shëron veten nga shumë sëmundje.

Gjithashtu ne e dimë hadithin e shkëlqyer të Profetit, paqja e Zotit qoftë mbi të, në të cilin thotë: “Një popull që mblidhet në një shtëpi prej shtëpive të Allahut, e përmendin Atë, ata i mbulojnë engjëjt, i kaplon mëshira, u zbret një kënaqësi, i kaplon mëshira dhe i përmend Allahu tek ata që janë tek Ai.” (Muslimi)

Meditoni me mua fjalën “popull” në mënyrë që të na jep të kuptojmë vlerën e xhematit e mos të jemi të vetmuar në përmendjen e Allahut dhe gjatë adhurimit.

Gjithashtu i Dërguari i Allahut, kësaj çështjeje i ka kushtuar rëndësi të madhe, saqë ka kërkuar prej besimtarëve që të jenë si një trup i vetëm. Ai ka thënë: “Vërtet, besimtari për besimtarin është sikurse një fortifikatë, e cila forcohet mes veti përmes pjesëve të saj.” (Buhariu dhe Muslimi)

Gjithashtu ai thotë: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë ndërmjet tyre, mëshirën dhe butësinë, është si shembulli i një trupi të vetëm, nëse ankohet një prej gjymtyrëve të tij, atëherë e pason atë i gjithë trupi me dhimbje e vuajtje.” (Buhariu dhe Muslimi).

Kjo na jep të kuptojmë se i Dërguari i Allahut, dëshiron për neve mirësinë dhe dobinë. Nuk është vetëm kjo, madje i Dërguari ka paralajmëruar dhe na ka tërhequr vërejtjen nda ndarja, përçarja dhe izolimi. Ai thotë: “Bashkohuni me xhematin dhe kini kujdes ndarjen, sepse shejtani është me atë që është vetëm, e kur janë dy veta ai është më larg.” (Hadith sahih, shënon Ibn Maxhe, 2363)

Ndërsa sa i përket fjalëve të Allahut të Lartësuar, asnjëherë nuk gjejmë në Kuran “O ti besimtar”, por gjithnjë; “O besimtarë” (Bekare, 104). Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër” (Maide, 2), e me qindra ajete të tjera.

Parashtrohet pyetja lexues të nderuar: Çfarë nënkupton fakti që gjendet kjo përputhshmëri ndërmjet mësimeve të Islamit dhe mësimeve që porosisin shkencëtarët perëndimorë sot pas provave të gjata? Ateistët kur u larguan nga feja vendosën mësime të veçanta për ta, të quajtura “liri personale”, sot po fillojnë të kthehen drejt atyre mësimeve dhe të nxjerrin dobi që përputhen me mësimet e fesë sonë të pastër. Kjo na vërteton se mësimet me të cilat ka ardhur Islami janë të vërteta dhe se Islami është feja që duhet ndjekur.

Përktheu: Almedin Ejupi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit