4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Xhemajli: Shteti i Kosovës nuk u ka borxh asnjë cent të burgosurve politikë

Më të lexuarat

Daut Xhemajli, ish i burgosur politik, thotë se shteti i Kosovës i cili që nga viti i ardhshëm do të fillojë të kompensojë ish të burgosurit politikë, nuk u ka gjë borxh këtyre personave për burgimet dhe vuajtjet e tyre, sepse ata “kanë kryer vetëm një pjesë të detyrës që ka patur secili qytetar ndaj Atdheut të robëruar”.
Xhemajli thotë se paraprakisht duhet të sqarohet një çështje: a do të duhej që këta ish të burgosur të kompensohen për dënimet e padrejta ndaj tyre dhe kush do të duhej ta bënte këtë kompensim?

“Ish të burgosurit politikë nuk kanë kërkuar kompensim të tillë nga shteti i Kosovës, por as shteti i Kosovës nuk u ka borxh asnjë cent këtyre personave”, thotë ai.

Sipas tij, asnjërit prej ish të burgosurve politikë, në kohën kur janë arrestuar dhe janë dënuar, nuk u ka shkuar mendja që burgu i tyre një ditë do të kompensohet nga shteti për të cilin ata u sakrifikuan.

“Ata kanë punuar dhe vepruar për lirinë e Atdheut të tyre dhe i vetmi shpagim për këtë kontribut të tyre do të ishte liria e vendit të tyre, sepse me këtë do të kompensoheshin të gjitha vuajtjet dhe sakrificat. Ish të burgosurve politikë, që të gjithëve pa asnjë përjashtim, duke filluar nga baca Adem (Demaçi) e deri te i burgosuri i fundit politik… nuk ka asnjë çmim që ua kompenson vuajtjet e tyre dhe të familjarëve të tyre; nuk ka çmim dhe nuk mund të ketë çmim që ua kompenson humbjet e tyre fizike e psikike; dhe, nuk ka çmim që ua kompenson humbjet e perspektivave pas burgosjes si dhe pengesat tjera për zhvillimin profesional dhe politik të tyre dhe të familjarëve të tyre”.

Sipas tij, nëse u ka dikush borxh, ajo është Serbia si ekzekutore dhe trashëgimtare e ish-Jugosllavisë.

“Të burgosurit politik vetëm Serbinë dhe mekanizmat e saj i llogaritin përgjegjëse për ndjekjen, dënimin dhe persekutimin e tyre dhe të familjarëve të tyre. Ish të burgosurit nuk e kanë kërkuar këtë kompensim nga Kosova dhe as e kanë miratuar e as e kanë kontestuar shumën prej 16.70 eurove që është caktuar nga Qeveria e Kosovës për kompensimin e tyre për një ditë të mbajtur burg”.

Xhemajli tha se një pjesë e madhe e të burgosurve që tani janë gati raste sociale, janë falënderues për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, si një shpërblim “modest” për kontributin e tyre për lirinë e Kosovës, pavarësisht se nuk janë të kënaqur me këtë liri ende të cunguar të saj.

Xhemajli e quan marketing politik deklarimin e Elmi Reqicës dhe të Jakup Krasniqit se do t`i dhurojnë këto mjete për nevoja humanitare.

“Ata sikur i harruan shokët e tyre, diku atje poshtë, të cilët ballafaqohen me vështirësi të mëdha jetësore për veten dhe familjet e tyre. Më erdhi keq sepse u fol nga pozitat të cilat i kanë marrë edhe nga kontributi i shokëve që sot janë në gjendje të keqe ekonomike”.

Sipas tij, baca Adem edhe të gjithë shokët e tij duhet t’i marrin këto mjete, e pasi t`i marrin, të ulen e të mendojnë se ku dhe në çfarë fondi do t`i derdhin si donatorë.

“Është e qëlluar ideja e themelimit të një Fondi, ku ish të burgosurit politikë, personalisht, pa pompozitet dhe pa zhurmë do të derdhin shuma të caktuara, sipas vullnetit të tyre të deklaruar nga ky kompensim, apo burimet tjera të tyre (ka nga disa ish të burgosur politikë që kanë burime të mira financiare). Prandaj, i takon Shoqatës së ish të burgosurve politik konkretizimi i një ideje të tillë e cila është shumë humanitare dhe në harmoni me idealin e shenjtë të të burgosurve politik”, ka thënë Xhemajli. /RajoniPress/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit