1.4 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Xhelili: Bllaca nuk ishte anëtar i SHIK-ut

Më të lexuarat

Ish-pjesëtari i UÇK-së dhe ish-pjesëtari i SHIK-ut, Fatmir Xhelili thotë se Nazim Bllaca ka qenë në ordinancën e tij katër deri në pesë herë brenda një periudhe dymujore për ekzaminim, por që nuk pranon të flet për gjendjen shëndetësore të tij, madje thotë se Bllaca kurrë nuk ka qenë pjesë e SHIK-ut.

Xhelili ka dëshmuar sot në rastin e njohur si “Rasti Bllaca” me kërkesë të mbrojtjes së Sadik Abazit, njëri prej atyre që janë të përfshirë në këtë proces gjyqësor.

Ai mohon ta ketë parë ndonjëherë Sadik Abazin në zyrat apo përreth objektit të SHIK-ut dhe thotë se ai nuk ka pasur asnjë lidhje me këtë shërbim.

Sa i përket Azem Sylës, mbrojtja ka hequr dorë nga dëshmia e tij, duke konsideruar se dëshmitë e mundshme janë konsumuar tashmë nga Fatmir Xhelili.

Këto deklarime janë bërë të hënën para prokurores së rastit dhe avokatëve mbrojtës, ku Xhelili ishte propozuar nga ana e mbrojtjes në rastin “Bllaca II”.

Ish-pjesëtari i UÇK-së pohon se “Gjeografi” ka qenë nofka e Nazim Bllacës gjatë luftës, por që emrin e vërtetë ia ka mësuar shumë vonë. Por, Xhelili ndër të tjera thotë se Bllaca në mënyre publike e ka dëmtuar atë profesionalisht kur e ka etiketuar si urdhërdhënës për vrasje, raporton Kosovapress.

Heqja dorë e mbrojtjes nga dëshmia e Azem Sylës, edhe pse emri i tij është përmendur më së shumti gjatë këtij procesi gjyqësor, sipas avokatit të Sadik Abazit thuhet të ketë ardhur pas konsultimeve me klientin.

Avokati Ilaz Kadolli ka thënë se të gjitha pyetjet që kanë pasur për qëllim me iu parashtruar Azem Sylës janë konsumuar nga dëshmitarët e tjerë.

“Nga dëshmitarët e mëhershëm që kanë qenë pjesë të SHIK-ut, por edhe sot që ishte Fatmir Xhelili… Kemi propozuar në disa rrethana me dëgju por rrethanat që janë propozuar më herët janë konsumuar sot dhe shqyrtimeve të kaluara, për atë, asgjë tjetër”, ka thënë ai.

Sa i përket dëshmisë së Fatmir Xhelilit, e cila ende nuk ka përfunduar, e ka vlerësuar si të saktë dhe që sipas tij, qëllim kishte të dëshmonte për personelin e SHIK-ut si dhe për gjendjen shëndetësore të Nazim Bllacës.

“Xhelili nuk ka dëshmuar në detaje, mirëpo ka dëshmuar se Nazim Bllaca është kuruar për dy muaj rresht gjatë muajve mars, prill dhe maj të vitit 2004 në ordinancën e tij në Shtime… Kjo nuk mund të përcaktohet saktë se çfarë probleme ka, sepse mjeku ekzakt nuk e ka sqaruar këtë për shkak të betimit të Hipokratit, por është deklaruar se ka pasur probleme edhe të natyrës psikike edhe të natyrave të ndryshme”, ka thënë ai.

Në procesin e dytë që po mbahet në bazë të dëshmisë së Nazim Bllacës, janë të akuzuar Sadik Abazi, Driton Hajdari, Bekim Syla, Shaban Syla dhe Shpresim Uka. Së bashku me këta i akuzuar është edhe Fahredin Gashi, por që procedura ndaj tij është veçuar për shkak të gjendjes shëndetësore.

Nazim Bllaca është dëshmitar bashkëpunues në rastin për të cilin po akuzohen gjashtë persona për vrasjen e Ibush Kllokoqit në vitin 1999 dhe tentim vrasjen e Adem Salihajt në Ferizaj dhe Ismet Arifit në Prishtinë,.

Ndryshe, tashmë dihet se Nazim Bllaca ka pranuar se me një armë “Skorpion’, në gusht të vitit 1999, ka vrarë Ibush Kllokoqin, para derës së shtëpisë së tij në Prishtinë. Për këtë rast, Bllaca ka implikuar edhe shokët e “grupit”, Fahredin Gashin, Shpresim Ukën dhe Sadik Abazin, ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë dhe po vazhdon procesi gjyqësor. Përveç këtyre të treve, Bllaca ka implikuar Shaban dhe Bekim Sylën dhe Driton Hajdarin edhe në tentim vrasjen e Adem Salihajt dhe Ismet Arifit. Në një proces tjetër gjyqësor, Fahredin Gashi është dënuar me 18 vjet burg për vrasjen e Sali Gashit, ku dëshmitar kryesor ishte Nazim Bllaca.

Bllaca është shpallur dëshmitar bashkëpunues nga gjykata pasi që në nëntor të vitit 2009, në një deklaratë publike, ka pranuar se ka kryer krime pas luftës si ish-pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit