Të premten rreth orës 13 e 30 minuta tre motorë ku ndodheshin gjashtë pjesëtar të xhandarmërisë serbe kanë parakaluar në vendin e quajtur si “Rruga e Breznicës” që ndodhet disa kilometra në brendi të territorit të Kosovës tha për rajonipress Selver Lenjani përfaqësues i fshatit Karaqevë.
Lenjani tha se ky parakalim i xhandarmërisë serb ka futur frikë dhe panik tek banorët të cilët urgjentisht edhe i kanë lajmëruar organet e sigurisë. “Ne edhe i kemi incizuar këta motorë dhe parakalimin e tyre, por incizimi është bërë nga një distancë e largët. Ne do ta njoftojmë edhe KFOR-in edhe policinë e Kosovës” tha Lenjani.
Ky provokim i xhandarmërisë serbe vjen vetëm pak ditë pasi banorët e Karaqevës dhe qytetarët e Kamenicës kishin protestuar në mënyrë paqësore kundër hyrjes së xhandarmërisë serbe në brendi të Kosovës.
Madje vet Lenjani ishte shprehur optimist se gjendja ishte përmirësuar pasiqë një kohë nuk kishte pasur provokime të xhandarmërisë serbe. Por hyrja e tyre këtë të premte e ka prishur “armëpushimin” e xhandarmërisë serbe në drejtim të territorit të Kosovës.
Lenjani i bënë apel policisë, KFOR-it, Qeverisë së Kosovës që ta diskutojnë këtë provokim në nivele serioze edhe në rrafshin diplomatik edhe atë ushtarak, për të parandaluar çfarëdo lloj eksesi në këtë fshat kufitarë