3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Xhamitë e Tiranës

Më të lexuarat

Tirana e periudhës osmane është quajtur qytet i selvive dhe i minareve, pasi ato ishin të shumta dhe zotëronin lartësitë. Duket se paraardhësit tanë ishin besimtarë të devotshëm dhe tregonin kujdes në ndërtimin e xhamive. Në pjesët që nuk kishin dekoracione, xhamitë ishin gjithmonë të bardha, dhe kishin minare tejet elegante. Edward Lear, ndërsa vizitonte Tiranën në shtatorin e vitit 1848, vinte re se “Tirana është dukshëm një qytet me vëmendje të madhe ndaj fesë. Në asnjë pjesë tjetër të Shqipërisë nuk ka xhami kaq të bukura”, (E. Lear, Journals of a landscape painter in Albania &C, London, MDCCCLI, (1851), f.106).

xhamia e Et’hem Beut, ne qender te Tiranes

Ndërtimi i xhamive kryhej nga njerëz, (apo familje), të pasur. Pasi ndërtoheshin, xhamitë mbanin emrin e atij që kishte dhëne paratë për ndërtimin e saj. Disa xhami njihen me dy emra, sepse më shumë se një person kishte kontribuar për të. Megjithatë, për Xhamitë e Tiranës nuk është bërë një studim gjithëpërfshirës, madje shumica e tyre as nuk janë fotografuar. Për ketë ka penguar qëndrimi i regjimit komunist ndaj fesë, i cili kulmoi me prishjen dhe shkatërrimin, thuajse total, që iu bë ndërtesave të kultit në vitin 1967, por edhe më përpara.

Në statistikat e tij, Teki Selenica ka shënuar se në vitin 1927, në Tiranë ka pasur 82 xhami dhe 95 hoxhallarë, (T. Selenica, Shqipëria me 1927, Tirane, 1928, f.446). Shënojmë se këtu bëhet fjale për atë që ne sot quajmë rrethi i Tiranës. Ibrahim Dalliu shkruan se në fund te shekullit XIX, në qytetin e Tiranës ka pasur 19 xhami të mëdha e të vogla, (H. I. Dalliu, Patriotizma me Tiranë, Tiranë, 1930, f.17).

Le të përpiqemi t’i rendisim këtu xhamitë e Tiranës:

1. Xhamia e Vjetër e ndërtuar në vitin 1614, nga Sulejman Pasha; e djegur në nëntor 1944, dhe e prishur në vitin 1945.

2. Xhamia e Fires, (fotoja horizontale), e ndërtuar në fillim të shekullit XVIII prej Mehmet Fires, e rindërtuar në vitin 1859 nga Selman Beshiri, (për këtë arsye kjo xhami quhej edhe Xhamia e Beshirit). Ajo ndodhej aty ku sot është shkolla e mesme “Sami Frashëri”, dhe është prishur në vitet ’60 të shekullit të kaluar.

3. Xhamia e Mujos e ndërtuar në fillim te shekullit XVIII, në lagjen që shtrihej në lindje të rrugës Elbasanit dhe në jug të rrjedhës së “Lanes”.

4. Xhamia e Kokonozit e ndërtuar nga Mahmud agë Kokonozi, (H. I Dalliu, po aty, f.90), në vitin 1750, (rindërtuar në vitin 1932), tek Pazari i Ri.

5. Xhamia e Zajmit e ndërtuar në gjysmën e dyte të shekullit XVIII, nga Mehmet bej Zajmi. Ajo ndodhej në anën e djathtë të rrugës së Dibrës, pa arritur tek ndërprerja e saj me rrugën “Thanas Ziko”. U prish përpara vitit 1967, “për nevoja urbanistike”.

6. Xhamia e Et’hem beut filloi të ndërtohej nga Molla beu dhe u përfundua në vitin 1821 nga i biri, Et’hem beu, (emrin e të cilit mban edhe sot xhamia). Ndodhet në sheshin “Skenderbej” dhe është xhamia e vetme që ka shpëtuar nga periudha osmane.

7. Xhamia e Karapicit, (fotoja vertikale), e quajtur ndryshe Xhamia e Esnafit, e ndërtuar në shekullin XVIII. Sipas traditës, familja Karapici e restauroi në mesin e shekullit XIX, (1858). Xhamia u shpronësua nga shteti dhe u prish në vitin 1929, për hapjen dhe rregullimin e sheshit “Skenderbej”, dhe në vend të saj u ndërtua Bashkia e Tiranës, (1930-1), e cila u prish në vitin 1980.

8. Xhamia e Tabakëve e ndërtuar në shekullin XVIII, në të majtë të “Lanes”. Më 16 tetor 1927 rrufeja çau ndërtesën e cila u rrezua duke vrarë një ushtar dhe plagosur 11 persona të tjerë. Pas kësaj, Xhamia e Tabakëve u rindërtua. Në vitin 1967, ajo u kthye në magazinë, dhe pas vitit 1990 u rikthye në faltore, u ndërtua rishtas minarja, dhe mban edhe sot emrin Xhamia e Tabakëve.

9. Xhamia e Recit e ndërtuar në shekullin XVIII. Ajo ndodhej në anën e djathte të rrjedhës së sipërme të “Lanes”.

10. Xhamia e Stermasit ndërtuar në vitin 1837, (L. Rey, Guide de l’Albanie, Paris, 1930, f.91), nga Mahmud Muhsin bej Stermasi ndodhej në Pazarin e Vjetër dhe u shkatërrua bashkë me këtë të fundit për ndërtimin e Pallatit të Kulturës, në vitin 1959.

11. Xhamia e Berxollit e ndërtuar në shekullin XIX; ndodhej pranë shkollës së mesme “Partizani”.

12. Xhamia e Balit në rrugën “Mihal Grameno”.

13. Xhamia me Teneqe në rrugën “Hoxha Tahsim”. Ajo quhej Xhamia me Teneqe sepse minaren e kishte prej llamarine; për këtë xhami kujdesej familja e Sharofëve.

14. Xhamia e Kodrës së Kuqe ndodhej në fund të bulevardit “Zog I”, (në aksin e tij), gjë që solli prishjen e paevitueshme.

15. Xhamia e Bamit brenda varrezave të Varrit të Bamit.

16. Xhamia e Merjes tek Sanatoriumi i vjetër.

17. Xhamia e Islam agë Petreles tek rruga e “Fortuzit”, e prishur me rastin e ndërtimit të shkollës “Jeronim de Rada”.

18. Xhamia e Voglit në rrugën “Vllazën Huta”.

19. Xhamia e Vathit në rrugën “Vathi”. Kështu bëhen 19 xhami, siç thotë H. I Dalliu. Xhamia e Sheh Gjuzit tek Sanatoriumi, dhe Xhamia e Tetovës në rrugën e “Shën Gjergjit”, (sot “Ali Demi”). ndodheshin jashtë qytetit të atëhershëm, prandaj ndoshta Dalliu nuk i ka numëruar; Xhamia e Haxhi Hafiz Dashit, (e Dinë Hoxhës), në rrugën e “Kavajes”, u ndërtua në vitin 1932.

S’është e tepërt mbase t’ju kujtoj se regjimi i vjetër me prishjen e xhamive, kishave dhe objekteve të kultit në tërësi, “ndërtoi” Njeriun e Ri, (siç e quante partia). Që nga ajo kohë tragjeditë vazhdojnë.

nga Gazmend A. Bakiu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit