-3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Xhamija e Durrësit dhe busti i Stalinit

Më të lexuarat

NGA GJERGJI THANASI

Kjo foto e sheshit qëndror të Durrësit është bërë në vitin 1966 vetëm pak muaj para se me urdhër nga lart e me inisiativë nga poshtë (nisma e gjimnazistëve të Naim Frashërit) filloi mbyllja e shkatërrimi i institucioneve fetare si edhe ndalimi i ushtrimit të fesë, qoftë edhe brenda katër mureve të shtëpisë.
Në foto në sfond është xhamija e madhe e Durrësit e ndërtuar në v. 1940 me fondet e komunitetit myslyman durrsak dhe me fonde të dhuruara personalisht nga Ducja i fashizmit. Xhamija vetëm pak muaj më vonë nga shkrepja e kësaj fotoje u plackit dhe u shkatërrua (nga llampadari te minarja) nga turma të indoktrinuara durrsakësh kryesisht të rinjsh. Ndërtesa e xhamisë u përshtat për pallat kulture (Pallati i Kulturës “Rinia”) me sallë shfaqjesh e mbledhjesh si edhe me tarracë, që gjatë verës funksiononte si bar restorant, madje edhe me orkestër me muzikë live.
Busti i Stalinit në vitin 1966 është ende në mes të sheshit qëndror (Sheshi “Liria”). Pas prishjes së xhamisë edhe bustit të Stalinit nuk i ndenji b… rehat. Atë e zhvendosën në faqen e kodrës karshi xhamisë së shndërruar në pallat Kulture. Aty qëndroi vetëm pak vjet, sepse në vendin e bustit do të ndërtohej Komiteti i Partisë së Rrethit Durrës. Ndonëse gjatë punimeve për hapjen e themeleve të kësaj ndërtese u ndeshën trakte muresh së periudhës së antikitetit të vonë, mure këto të një kishe paleo-kristiane, partia dha urdhër, që mbetjet arkeologjike me përjashtim të pak artifakteve të hidheshin në zonën e Porto Romanos (ish këneta). Arkeologu i famshmë e maverick durrsak Vangjel Toci kësaj rradhe nuk mundi ta shëptonte një pjesë të arkeologjisë durrsake, ndonëse u ankua lart deri te Dulla (Komandanti) në Tiranë.
Për t’i hapur rrugë ndërtimit të komitetit të partisë, busti i Stalinit u zhvendos anash Teatrit “Aleksandër Mojsiu” në bulevardin, që mbante po emrin e Stalinit. Në 14 dhjetor të vitit 1990 gjatë demonstratës së parë antikomuniste në Durrës, dy nxënës së shkollës së peshkimit meorigjinë nga Himara e sulmuan bustin me lëndë plasëse, amonit, por nuk e shkatërruan dot duke i shkaktuar vetëm dëmtime të vogla. Në mbrëmjen e 20 dhjetorit 1990 me urdhër të Ramiz Alisë dhe me vendim qeverie me firmën e Adil Carcanit, në të gjithë Shqipërinë u hoqën bustet dhe emri i Stalinit. Punonjësit e komunales Durrës me një vinc “Takraff” e hoqën bustin e Stalinit, gjë që gëzoi shumicën dërrmuese të durrsakëve sidomos të arrestuarit si pjesëmarrës së demonstratës antikomuniste të 14 dhjetorit 1990.
Që në fund të nëntorit 1990 shijakasit u ishin imponuar organeve të pushtetit popullor dhe kishin përshtatur ambjente në një banesë si xhami. Shembullin e Shijakut e ndoqi edhe Durrësi. Në mars 1991 filloi largimi i karrigeve, mobiljeve të tjera dhe fonisë nga ambientet e Pallatit Rinia, sepse me urdhër nga lart ndërtesa do të lejohej të kthehej në xhami , sic kishte qenë më parë. Pushtetarët lokalë komunistë gjatë zbrazjes së godinës sukseshëm arritën të vjedhin një pjesë të inventarit të Pallatit Rinia dhe të klubit të ngritur në tarracën e ndërtesës./ Gazeta Impakt

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit