Xhamia më e vjetër, e para që është ndërtuar në territorin e Shqipërisë, është ajo në kalanë e Beratit. Njihet me emrin “Xhamia e Kuqe”, me sa duhet për shkak të përdorimit me shumicë të tullave në muret e saj.
U ngrit në fillim të mbretërimit të Bajazitit I (1389-1402), aty nga viti 1389, pra, kohë përpara sundimit osman të vendit tonë. Historikisht dihet se principatat shqiptare u lidhën me forca të ndryshme të kohës. Muzakajt e Beratit ishin lidhur me Perandorinë Osmane. Në bazë të kësaj, në qytetin e Beratit ishin vendosur forca osmane.
Kronisti turk Evlija Çelebiu, funksionar i lartë i oborrit të sulltanit, me detyrën e inspektorit, vizitoi dy herë vendin tonë, më 1622 dhe më 1670. Në vëllimin e tetë të veprës së tij “Udhëtimet”, në 9 vëllime, botuar më 1902, ndër të tjera ka lënë edhe një përshkrim të hollësishëm të këtij objekti.