-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

WSJ: Cili është problemi real i cili do të nxit perëndimin në sulmin mbi Sirinë

Më të lexuarat

Qëllimi i ndërhyrjes amerikane në Shtetet e Bashkuara duhet të jetë ndryshimi i regjimit në Damask.

Të hënën, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka bërë deklaratën më të qartë deri më tash, se SHBA beson se Siria ka përdorur armët kimike, dhe ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë janë duke pëshpëritur se presidenti Obama është duke lëvizur drejt përgjigjes me sulme ushtarake. Pyetja tani është nëse kjo do ta bëjë Perëndimin të ndjehet më mirë apo do të jetë një ndërhyrje me forcë të mjaftueshme për ta rrëzuar Bashar al-Assadin.

Këtë dilemë shtron në fillim të artikullit gazeta Wall Street Journal.

Sipas saj, përgjigjja më e keqe do të ishte hedhja e disa raketave nga deti. Ato do të vrisnin disa sirianë, përfshirë civilë, por vështirë se do të arrinin qëllimin strategjik apo civil. Assadi dhë mbështetësit e tij në Teheran do ta merrnin si një gjest të destinuar kryesisht për të përmbushur premtimin e Obamës, se përdorimi i armëve kimike ka pasoja. Assadi nuk do të ndalonte vrasjet, shkruan gazeta.

Më serioze do të ishte fushata e bombardimit dhe bastisjet e forcave speciale, për të shkatërruar ose kapur stoqet e armëve kimike në Siri. Kjo është një objektivë e rëndësishme ushtarake dhe antiterroriste. Nëse regjimi ka përdorur armë kimike, atëherë Assadi u është bashkuar preferencave të Saddamit dhe Hitlerit.

Stoqet e armëve kimike në Siri besohet se janë të gjera, por askush nuk duhet të besojë se ato do të qëndrojnë të mbyllura në atë vend. Ato mund të përdoren eventualisht edhe kundër amerikanëve. Nëse Shtetet e Bashkuara dhe bota e civilizuar nuk bëjnë asgjë, presidenti do të dalë joserioz dhe do të nxiste despotët e tjerë të përdorin armë kimike në të ardhmen.

Megjithatë, askush nuk duhet të mendojë se një sulm kirurgjik ose “proporcional” do t’i jepte fund konfliktit. Sipas gazetës, problemi është se ai nuk merret me burimin, e që është regjimi i Assadit, i mbështetur nga armët e Rusisë dhe të Iranit. Ai e di se pas 30 mujash masakra nuk mund të ndajë pushtetin dhe të mbijetojë. Duhet të mposhtë rebelët ose të tjerët.

Një analogji e dobishme është Sllobodan Millosheviqi dhe Ballkani në vitet 1990, shruan Wall Street Journal. Lideri serb ka dashur të dominojë rajonin dhe të spastrojë grupet e tjera etnike. Midis përparimeve të Serbisë dhe spastrimit etnik në Kosovë më 1999, Bill Clinton ka nisur fushatën e bombardimeve dhe pas 78 ditësh Millosheviqi ka ndaluar. Pak më shumë se një vjet më vonë, serbët e kanë përmbysur atë.

Clinton ka vepruar pa shkuar në Këshill të Sigurimit, i cili edhe atëherë, sikur edhe tash, është bllokuar nga Rusia. Fushata në Siri mund të jetë më e vështirë se ajo në Kosovë. Damasku ka mbrojtës më të sofistikuar ajror.

Kundërshtarët e aksionit amerikan në Siri kanë argumentuar se ajo është një luftë civile myslimane, pa pasoja për interesat amerikanë. Kjo është gabim, pasi konflikti po përhapet në Irak dhe Liban.

Irani bën përpjekje të ndërtojë një aleancë me bazë shiite, nga Teherani, përmes Irakut dhe Sirisë, deri në Mesdhe, që do ta bënte atë fuqi dominuese rajonale. Nëse Assadi fiton në Siri, Turqia dhe shtetet e Gjirit duhet të përshtaten me dominimin e ri të Iranit, së shpejti të pasur me armë bërthamore. Izraeli do të jetë më i rrethuar se në çdo kohë që nga mesi i viteve 1960. Shtetet e Bashkuara mund ta gjejnë veten të tërhequra në një konflikt më të madh dhe më të kushtueshëm, apo në pozicion më të dobët për të ndihmuar aleatët dhe ruajtur stabilitetin, thuhet në artikull.

Argumenti i fundit i të mos bërit asgjë është se opozita siriane dominohet nga xhihadistët, andaj SHBA nuk do që të fitojë asnjëra palë.

Xhihadistët janë më të fortë seç do të ishin po qe se SHBA-ja do të vepronte dy vjet më parë, por edhe tani ata nuk e dominojnë opozitën. Rebelët e armatosur mirë, të mbështetur nga fuqia ajrore e NATO-s, kanë një shan të mirë për të triumfuar dhe shumica e botës së lirë do t’i ndiqte po qe se udhëheqin Shtetet e Bashkuara.

Problemi i vërtetë në Siri nuk janë armët kimike. Është udhëheqësi që i ka përdorur ato, Bashar al-Assadi. Këtu duhet të përqendrohet reagimi ushtarak, shkruan Wall Street Journal./Radio Evropa e Lire

* Qendrimet e paraqitura jane vetem reflektime te redaksive perkatese dhe jo domosdoshmerisht edhe te redaksise kohaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit