Presidenti aktual Hollande ka thirrur një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Francës.
Wikileaks ka publikuar se Agjencia e Sigurisë Kombëtare në SHBA (NSA) ka përgjuar presidentët e Francës, Jacques Chirac, Nicolas Sarkozy, gjatë mandateve të tyre nga viti 2006 deri në 2012, si dhe presidentin aktual, Francois Hollande, transmeton Anadolu Agency (AA).
Wikileaks ka publikuar një raport të quajtur “Spiunazi elysian”, ndërsa detajet e përmbajtjes së dokumenteve i ka përcjellë gazetës franceze “Liberation” dhe portalit “MediaPort”.
Në raport theksohet se NSA nuk ka përgjuar vetëm presidentët e atëhershëm të Francës, por edhe zyrtarët e lartë të shtetit, diplomatët dhe ministrat në Paris. Dyshohet se është fjala për përgjimet mbi detajet e marrëdhënieve dypalëshe të Francës me Gjermaninë dhe SHBA-në, por edhe mbi bisedimet e udhëheqësve të vendit në lidhje me çështjet palestineze, krizën greke dhe situatën në Bashkimin Evropian.
Gjithashtu theksohet se janë zbuluar edhe bisedat sekrete të presidentit aktual Hollande mbi temat e shumta, në mesin e të cilëve edhe ato në lidhje me eurozonën dhe se Hollande ishte jashtëzakonisht i shqetësuar gjatë disa prej këtyre bisedave.
Gazeta “Liberation” shkruan se në katin e fundit të ambasadës amerikane në Paris është vendosur qendra për përgjime dhe se nga ky vend është kryer përgjimi i bisedave dhe takimeve në Pallatin Elysian dhe ndërtesat e Ministrive të Punëve të Brendshme, të Jashtme, të Mbrojtjes dhe Drejtësisë, që ndodhen në afërsi të ambasadës amerikane.
Presidenti francez Hollande me rastin e këtij skandali ka reaguar dhe herët këtë mëngjes, ku ka thirrur një seancë të jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Francës.
“Populli francez duhet ta dijë se aleatët kanë përgjuar qeverinë e zgjedhur nga populli në zgjedhjet. Ne jemi krenarë për punën që bëjmë”, tha themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange.
Muajin e kaluar gjithashtu është publikuar se NSA amerikane ka bashkëpunuar me shërbimin gjerman të inteligjencës BND dhe ka përgjuar liderët e disa vendeve evropiane.