-0.4 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Welt: Ekziston mundësia për zgjërim të konfliktit në Maqedoni

Më të lexuarat

Në përleshjet midis policisë dhe luftëtarëve guerilë në veri të Maqedonisë, jetën e humbën 40 persona. Tashmë kërcënohet një konflikt në mes të sllavëve dhe shqiptarëve, mu ashtu si në vitin 2001. Një rol këtu e luan edhe Rusia, shkruan gazeta “Welt” e Gjermanisë
 
Pas përleshjeve midis forcave policore maqedonase dhe shqiptarëve të armatosur gjatë fundjavës, qarqet e sigurisë në Kosovë presin një konflikt më të gjatë e më të madh në vendin fqinj “po që se udhëheqësit politikë në rajon nuk intervenojnë menjëherë që të gjejnë ndonjë zgjidhje politike”, ka deklaruar të dielën një burim mirë i informuar në kryeqytetin kosovar, Prishtinë.
 
Luftimet në, dhe rreth Kumanovës në veri të Maqedonisë, sipas raporteve kundërthënëse, gjatë fundjavës kanë shkaktuar tetë deri në 40 viktima si dhe dhjetëra të plagosur. Viktima në numër më të madh ka pasur nga njësia speciale e Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë, “Tigrat”. Sipas njohësve të rrethanave në Prishtinë, shumë shqiptarë të arrestuar nga policia, janë keqtrajtuar rëndë nëpër burgje dhe janë lënduar pjesërisht rëndë. Ka pasur edhe civilë të arrestuar, në mesin e të cilëve edhe një familje me tre fëmijë.
 
Sipas të dhënave maqedonase, policia kishte intervenuar të shtunën në mëngjes kundër shqiptarëve të armatosur të cilët kanë planifikuar një luftë të re guerile në vend. Qysh në vitin 2001 ishte zhvilluar një luftë në mes të shqiptarëve dhe sllavomaqedonasve, me ç`rast ishin vrarë 200 persona, ndërsa 1000 të tjerë ishin lënduar. Konflikti kishte përfunduar me arritjen e Marrëveshjes së Ohrit nga fundi i vitit 2001, me të cilën udhëheqësia maqedonase kishte premtuar që t`i përforcojë të drejtat kolektive të shqiptarëve në vend. Një e katërta e popullatës së Maqedonisë janë shqiptarë etnikë, të cilët jetojnë kryesisht në veri dhe lindje të Maqedonisë, në kufi me Kosovën dhe Shqipërinë.
 
Qeveria në Shkup, të dielën ka deklaruar se luftëtarët shqiptarë, në Maqedoni kishin “hyrë nga një vend fqinj” duke aluduar në Kosovën, një këndvështrim të cilin udhëheqësia në Prishtinë e kundërshtoi duke cekur se nuk ekzistojnë kurrfarë faktesh se të armatosurit e kanë kaluar kufirin. Një burim anonim nga Prishtina, “Welt”-it i kishte deklaruar se gjasat për involvimin e luftëtarëve kosovarë përskaj atyre të shqiptarëve të Maqedonisë janë reale. Edhe në konfliktin e vitit 2001, disa klane familjare kosovare kanë marrë pjesë në luftime dhe është e mundshme që edhe kësaj radhe ata iu kanë rrekur armëve.
 
“Ekziston një lidhje e ngushtë në mes nesh dhe shqiptarëve nga Maqedonia, shumë më e ngushtë se ajo e tyre me ata të Shqipërisë, pasi si Kosova, ashtu edhe Maqedonia më parë i përkisnin Jugosllavisë”, vazhdon burimi në fjalë. “Kemi jetuar në të njëjtin shtet”. Edhe parashikimi i Shkupit se luftëtarët shqiptarë janë duke e përgatitur një konflikt të ri, është i mundshëm. “E vërteta është se një pjesë e shqiptarëve të cilët iu kishin rrekur armëve gjatë vitit 2001, një gjë të tillë do ta bëjnë përsëri, pasi Qeveria në Shkup asnjëherë nuk e ka implementuar Marrëveshjen e Ohrit”.
 
Ekziston mundësia që konflikti të zgjerohet “po që se udhëheqësit politikë në rajon nuk intervenojnë menjëherë që të gjejnë ndonjë zgjidhje politike, sidomos udhëheqësitë rajonale, por para së gjithash SHBA dhe BE”. Po që se nuk ndodhë një gjë e tillë, duhet pasur parasysh se shumë të rinj shqiptarë nga Maqedonia do t`u bashkëngjiten kryengritësve.
 
Qeveria maqedonase tashmë disa muaj është nën presion të madh politik, që nga publikimi i përgjimeve që përfshijnë gazetarë të Qeverisë dhe opozitës, me gjithsej 20.000 persona të përgjuar. Mu për këtë shkak, tash e disa javë janë shkaktuar protesta masive.
 
Nga ana tjetër, Qeveria ruse e ka përkrahur Gruevskin, duke i gjykuar ashpër luftimet dhe protestat kundër tij. Ministria e Jashtme ruse është e mendimit se qarqet perëndimore janë duke tentuar ta destabilizojnë Maqedoninë.
 
Përderisa Shqipëria dhe Kosova i përforcojnë lidhjet mes SHBA-ve dhe BE-së për një anëtarësim sa më të shpejtë në BE, Maqedonia dhe Serbia e mbajnë ende të gjallë simpatinë për Moskën.
 
Po që se nuk gjendet së shpejti ndonjë zgjidhje politike, qarqet kosovare e shohin shtetin maqedonas “në një rrezik të madh”. Është vendi më labil në Evropë, pa ndonjë armatë të vërtetë, me dy milionë banorë, por me një shumicë të madhe shqiptare. Bullgaria i vlerëson sllavomaqedonasit si bullgarë, ndërsa Serbia si serbë, duke u pozicionuar ushtarakisht qysh të dielën në kufi me Maqedoninë. Nga ana tjetër, Greqia emrin e Maqedonisë e cilëson si emër grek dh për këtë vendi zyrtarisht njihet si “Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë”. Dhe këtu janë shqiptarët të cilët, edhe po që se nuk do të ketë ndryshime formale kufijsh, mund të ëndërrojnë për një “Shqipëri të Madhe” e cila parasheh mëmëdheun, Kosovën dhe Maqedoninë Verilindore.
 
Reagon Gjermania pas konfliktit në Kumanovë
 
Pas konfliktit të përgjakshëm në fundjavë në Maqedoni reagon edhe qeveria gjermane. Ajo ka paralajmëruar nga përkeqësimi i gjendjes aktuale labile politike, njfotn Dojçe Vele. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane në Berlin është shprehur të hënën se “me urgjencë kërkohet të mënjanohet një shkallëzim i mëtejshëm i situatës”. Qeveria gjermane po i ndjek me shqetësim prej disa kohësh zhvillimet e brendshme politike në shtetin ballkanik, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane në konferencën e shtypit.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit