1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Weiß: Haradinaj mos të kthehet menjëherë në politikën kosovare

Më të lexuarat

Pas lirimit të Ramush Haradinajt, kryetari i grupit parlamentar për EJL në Bundestagun gjerman, Peter Weiß (CDU) në një intervistë për Deutsche Welle-n, shprehet se nuk komentohet politikisht një vendim gjyqësor.

DW: Në procesin gjyqësor kundër ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, gjykata e OKB-së për krimet e luftës në ish-Jugosllavi ka liruar të Enjten të akuzuarin si të pafajshëm . Karla del Ponte ka shprehur indinjatën e saj edhe pas lirimit të parë të Haradinajt. Si e shpjegoni ju këtë humbje tjetër të prokurorisë?
Peter Weiß: “Juridiksioni i një gjykate të lartë duhet të respektohet dhe sigurisht që është e vështirë për të komentuar politikisht një vendim gjyqësor. Një gjykatë duhet të ketë dëshmi të qarta për të vendosur për një dënim. Me sa duket, gjykata i ka vlerësuar me sy kritikë këto dëshmi prandaj edhe është shpallur pafajësia. Politikisht, kjo padyshim nuk është një situatë e mirë, sepse në Ballkanin Perëndimor në kuadër të shpërbërjes së Jugosllavisë ne kemi pasur konflikte ushtarake me një brutalitet të madh dhe nëse tani për shkak të mungesës së provave, të cilat sigurohen me shumë vështirësi nuk ka dënime. Është e natyrshme që tek popullsia, popullsia e prekur mbetet një imazh shumë i keq. Ky në të vërtetë është shqetësimi im. Bëhet një luftë dhe askush nuk është përgjegjës.”

DW: Çfarë do të thotë shpallja e vendimit të pafajësisë për Haradinajt dhe rolin e tij të ardhshëm në Kosovë?
Peter Weiß: “Këtë e kam të vështirë ta vlerësoj. Haradinaj ka luajtur një rol të rëndësishëm në skenën politike të Kosovës. Ai ishte për një kohë të shkurtër kryeministër i Kosovës, post nga i cili u desh të japë dorëheqjen për shkak të presionit nga akuzat e ngritura në Hagë. Unë mendoj se për përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës, do të ishte e mençur nëse zoti Haradinaj tani nuk do të kthehej menjëherë në politikë në Kosovë. Ndoshta do të ishte më mirë të qëndronte pak mënjanë.”

DW: Gjykata e OKB-së në Hagë është për shumë të mbijetuar serbë të luftërave në Jugosllavi një institucion anti-serb. Dy javë më parë, u shpall i pafajshëm edhe ish-gjenerali kroat Ante Gotovina. Shumica e 64 të dënuarve deri më tani janë pjesëtarë të nacionalitetit serb. A e kuptoni këtë pikëpamje të përfaqësuar në Serbi?
Peter Weiß: “Jo. Gjykata në Hagë nuk është as pro-serbe, as pro-kosovare e as pro-kroate, por Gjykata ka një përbërje ndërkombëtare dhe ajo vepron në përputhje me standardet ligjore ndërkombëtare. Dhe unë mendoj se do të ishte mirë në qoftë se vendet e Ballkanit Perëndimor, shtetet që dolën nga shpërbërja e Jugosllavisë, por edhe qytetaret dhe qytetarët e këtyre vendeve ta kuptojnë këtë dhe ta pranojnë se një gjykatë e tillë merr vendimet e saj pa u ndikuar nga çdo ndërhyrje politike. Dikush mund t’i konsiderojë këto gjykime si problematike politikisht, por kjo do të thotë pikërisht pavarësi e gjyqësorit dhe ne si politikanë nuk kemi asnjë ndikim në këto procese.”

DW: Beogradi shpreson të arrijë përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën deri në mes të Dhjetorit për të marrë para përfundimit të këtij viti një datë për fillimin e negociatave për pranim në Bashkimin Evropian. Të Martën (4.12.2012), pritet në Bruksel një tjetër takim mes Thaçit dhe Daçiqit. Por Serbia e përjashton ende, ashtu si më parë, mundësinë e njohjes së Kosovës. A do të mund të anëtarësohet Serbia pa e njohur Kosovën?
Peter Weiß: Ne gjermanët dhe evropianët u kemi bërë gjithmonë të qartë si serbëve ashtu dhe kosovarëve, qeverive në Beograd dhe Prishtinë, se mundësia për fillimin e negociatave dhe pastaj pranimi në BE mund të pasojë vetëm kur të ketë një Modus-Vivendi të qartë, domethënë një rregullim kontraktual të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Ne nuk duam një Qipro të dytë në BE. Fakti që ne e kemi pranuar Qipron pa i zgjidhur çështjet e diskutueshme mes Qipros Veriore dhe Jugore ishte një gabim i madh”.

DW: Ndërkohë edhe nga Moska mund të dëgjohet se ajo nuk sheh ndonjë pengesë që Serbia të bëhet anëtare e BE-së dhe njëkohësisht të mbetet partnere strategjike e Rusisë. Çfarë mendoni ju, a është kjo e mundur?
Peter Weiß: “Ne evropianët gjithashtu duam të kemi marrëdhënie të privilegjuara me Rusinë, sepse kjo është e rëndësishme. Por ajo që mendoj se nuk është e mundur, është instalimi i një politike luhatëse midis Evropës dhe Rusisë, të cilën e kanë ndër mend disa politikanë. Duhet vendosur në mënyrë të qartë: jemi pjesë e Bashkimit Evropian – Po ose Jo, dhe sigurisht që nuk përjashtohet kultivimi i marrëdhënieve speciale me Rusinë.”/dw

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit