-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Wall Street-it sheh plot frikë drejt Evropës

Më të lexuarat

Pas zgjedhjeve në Greqi në tregjet e kapitalit nuk ka shpërthyer kaosi i pritur plot frikë. Ende jo! Por nuk ndihet as eufori, aq më pak në Wall Street.
Greqia mbijetoi për t’u rrënuar një ditë tjetër. Kështu shkruante pas zgjedhjeve në Greqi agjencia e lajmeve Bloomberg. Rrezik i shtyrë por jo i shmangur – ky është opinioni mbizotërues në lagjen financiare të Nju Jorkut. Më duket vetja si një turist amerikan në udhëtim nëpër Evropë, thotë Nicholas Colas, kryestrateg në grupin Convergex në Nju Jork: “Është si në udhëtimet paketë në Evropë, që amerikanët i duan aq shumë. Shtatë vende në shtatë ditë. Tregjet e kapitalit janë thjesht të shqetësuara për xhiron nëpër kryeqytetet evropiane, pasi ende nuk është zgjidhur asgjë.”
Më shumë hapësirë veprimi për Bankën Qendrore (Fed)
Ditët e kaluara në shtypin financiar qarkullonte fjala “kaos”. Të gjitha bankat qendrore të botës u shprehën paraprakisht me tone luftarake. Nga Banka e Japonisë tek Banka e Anglisë, nga Banka Kombëtare zviceriane tek banka të tjera qendrore në Evropë – të gjithë flisnin për aksione të bashkërenduara nëse Greqia do t’i hidhte në kaos tregjet financiare. Kjo nuk ndodhi. Louis Sulsenti punon prej 25 vjetësh në bursë. Me rezultatin e zgjedhjeve, në thelb jo të keq, ndërhyrja e menjëhershme, masive e bankave qendrore nuk ka shumë gjasa të ndodhë: “Çfarë do të bëjë tani banka qendrore? Ka të ngjarë që Fed-it t’i japë pak më shumë kohë vetes.”
“Euro nuk do të shpërbëhet”
Por vërtet i gëzuar në Wall Street nuk ishte askush. Brokeri Stephen Guilfoyle nuk shpreh habi: “Që gjatë javës së kaluar dukej se konservatorët në Greqi kishin shanse për fitore. Dhe fitimet në bursë janë në përputhje me këto pritje.”
Gati 650 pikë është rritur indeksi “Dow Jones” vetëm brenda dy javëve të kaluara. Por Stephen Guilfoyle tërheq vëmendjen edhe ndaj problemeve në Spanjë dhe Itali. Ato bëjnë që zjarri i optimizmit në bursë të ketë vetëm forcën e një flakëze delikate. Megjithatë zgjedhjet kanë bërë që të fitohet të paktën kohë. Dhe për kolapsin në Eurozonë askush nuk dëshëron të mendojë: “Euro nuk do të shpërbëhet”, thotë Stephen Guilfoyle. “Ndoshta do të dalin një ose dy vende. Por jo më shumë.” Xhiro evropiane megjithatë vazhdon. Dhe në lidhje me Greqinë në Wall Street gjithnjë e më shpesh ngrihet pyetja, nëse një fund i tmerrshmën është më i mirë se sa një tmerr pa fund.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit