3.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

VV: Ekonomia drejt shkatërrimit

Më të lexuarat

Në një konferencë për media të Lëvizjes Vetëvendosje, drejtuar nga Shpend Ahmeti, është vlerësuar se Ekonomia e vendit është duke u zvogëluar edhe më tepër. Kjo lëvizje ka kritikuar Qeverinë e vendit se është duke vepruar shumë dobët dhe se ekonomia është duke u shkatërruar.

Vetëvendosje konsideron se Qeverisë nuk është duke i interesuar aspak kjo ekonomi, e as politika. Vetëvendosje thotë se Thaçit janë duke i interesuar vetëm koalicionet dhe ikja nga përgjegjësia e të ardhmes ekonomike.
“Në këtë konstelacion e gjendje, kryeministrit dhe partisë në pushtet i ka mbetur vetëm një politikë, ajo e kërkimit të koalicionit të ri e më të gjerë, për të shpërndarë përgjegjësinë. Përveç kërkimit të partnerëve për ta shitur vendin në negociata të reja, kryeministri është duke kërkuar partnerë për ta ndarë, apo për ta shmangur përgjegjësinë për krizën ekonomike e sociale që e ka kapluar vendin. Pra, kryeministri po kërkon partnerë jo vetëm për ta shpërndarë përgjegjësinë për të ardhmen politike të vendit, por edhe për të tashmen ekonomike. Duke parë se këtij koalicioni po i vjen fundi, duke parë se më nuk e ka më as pjesën më të vogël të legjitimitetit politik, ligjor e moral, kjo qeveri po mundohet ti japë shqelmat e fundit shumë të rrezikshëm për ekonominë kosovare e që mund të jenë vdekjeprurës për stabilitetin fiskal dhe ekonomik të vendit”, ka thënë Shpend Ahmeti nga vetëvendosja.
“Papunësia mbetet në nivele rekorde, ndërsa tani më edhe diaspora ka filluar të tregojë shenja të goditjes nga kriza në Evropë. Eksportet edhe ashtu të vogla, sipas Bankës Qendrore të Kosovës kanë shënuar rënie në gjashtëmujorin e parë, deficiti tregtar është rritur, investimet e huaja direkte kanë rënë e po ashtu edhe remitancat, apo dërgesat nga diaspora jonë janë në rënie”, ka deklaruar Ahmeti gjatë konferencës.
Shpend Ahmeti, ka theksuar se nuk është kriza financiare botërore ajo që ka shkaktuar problemet më të mëdha në Kosovë. Ai ka thënë se përgjegjësinë kryesore e kanë politikat e gabueshme ekonomike të Qeverisë së Kosovës, që fillimisht janë paraqitur në (power point) planin Bansko.
“Politika të cilat transferojnë para jashtë vendit duke i mbrojtur prodhimet e huaja më shumë se ato vendore, politika të cilat mbrojnë vendet e punës në shtetet tjera më shumë se sa në vendin tonë dhe politika që për pasojë kanë pas vetëm rritjen e papunësisë dhe rritjen e numrit të familjeve të regjistruara për asistencë sociale. Këto politika po e dërgojnë shtetin e Kosovës drejt dështimit”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti përmendi se raporti gjashtëmujor i shpenzimeve, i paraqitur nga Ministria e Financave tregon trendin e rritjes së shpenzimeve buxhetore, posaçërisht në kategori që nuk krijojnë bazë të qëndrueshme të zhvillimit ekonomik. Ai tha se krahasuar me gjashtëmujorin e vitit 2011 janë rritur dukshëm shpenzimet në mallra e shërbime.
“Për të përmendur disa nga këto, shpenzimet e udhëtimit janë shtuar për 45 për qind (dyzet e pesë), shpenzimet për shërbime për 70 për qind, blerja e mobilieve dhe pajisjeve më të lira se 1,000 euro për 61 për qind, mirëmbajtja për 37 për qind e kështu me radhë. Duke parë krizën ekonomike që po vjen e po shtohet, qeveritarët e shohin luksin që po vjen e po shtohet për ta”, ka theksuar Ahmeti.
Siç thekson Shpend Ahmeti, edhe të hyrat e brendshme të Kosovës kanë stagnuar.
“Të hyrat nga tatimet e mbledhura në vend nga bizneset janë në rënie, për shkak se edhe bizneset kosovare janë në krizë të rëndë. Niveli i të hyrave po mbahet me taksa nga importi dhe nga TVSH, që nuk jep shpresë për një rimëkëmbje të shpejtë. Është edhe më interesant fakti se gjobat kanë shënuar një rritje marramendëse për ti mbuluar zbrazëtirat në buxhet”, ka thënë ai.
Kjo qeveri e dobët është edhe shumë e rrezikshme, ka thënë Ahmeti, duke thënë që pikërisht dobësia e tyre politike dhe profesionale është rreziku i Kosovës.
Ahmeti ka theksuar se kjo gjendje ekonomike ka rrezik të thellohet në qoftë se në Kosovë nuk bëhen ndryshimet.
Lëvizja Vetëvendosje u bënë thirrje subjekteve politike, ekonomike e shoqërore që të mos lejojmë këtë qeveri me këtë legjitimet politik, moral e ligjor të veprojnë në fushat strategjike të cekura më lartë dhe që për pushtet të shkatërrojnë shtetin./Indeksonline/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit