-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Vlorë, nuk ka më hotele të lira

Më të lexuarat

Festa e 100-vjetorit të Pavarësisë ka mbledhur shqiptarët nga të gjitha trevat shqipfolëse në qytetin e flamurit. Deri tani njoftohet se në hotelet e Vlorës ka mbipopullim dhe fluks kërkesash, duke nisur nga kjo fundjavë. Tanimë qytetarët vlonjatë janë duke ofruar edhe shtëpi me qira për disa ditë qëndrimi.

Pavarësisht buxhetit apo andrallave të pushtetit vendor, deklaratave e përtej politikës, Vlora do të habisë dhe nuk do të zhgënjejë asnjë shqiptar në nëntorin e 100 të pavarësisë.

Kalendari i festimeve është bërë publik nga bashkia e qytetit, ndërkohë që pritet që 28 Nëntori të jetë një ditë madhështore, me një organizimin me “5 yje” enkas për vitin jubilar.

Bashkia e Vlorës, prej disa ditësh, ka nisur aktivitetet e shumta me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Atmosfera festive ka hapur siparin prej disa ditësh. Aktivitetet janë të ndryshme duke nisur nga grupe këngëtarësh e deri te sportistët që performojnë në skenat dhe arenat sportive të qytetit të Flamurit. Aktivitete të shumta priten dhe në ditët në vazhdim.

Për këtë, nënkryetari i Bashkisë së Vlorës, Arben Beqiri, tha për “Shqip”: “Sa më shumë i afrohemi ditës jubilare të 100-vjetorit, pra 28 Nëntorit, Vlora po prezantohet me shumë aktivitete, që nga mbrëmja e djeshme, ku në teatrin ‘Petro Marko’ të qytetit u organizua një mbrëmje gala. Kanë performuar me stilin e tyre artistik, disa personalitete të shquar të skenës dhe të ekranit shqiptar, si Artisti i Madh i skenës dhe ekranit Timo Flloko, Alban Skënderaj, Miriam Cani, Adi Krasta, Rona Nishliu”.

Sipas tij, ky aktivitet ka tërhequr vëmendjen e shumë artdashësve vlonjatë si dhe atyre të ardhur nga rrethet dhe trevat shqiptare. Aktivitetet kanë vijuar me ceremoninë zyrtare për dhënien e titulli “Qytetar Nderi”, akorduar Fatmir Limajt, i cili do të jetë i pranishëm në tërheqjen e titullit nga kreu i Bashkisë së Vlorës.

Më pas, aktivitetet do të vijojnë me shfaqje në skenën e teatrit nga grupet e Prishtinës. Këto aktivitete sa vijnë dhe arrijnë kulmin në performancën e tyre si dhe pjesëmarrjen e shumtë të artistëve dhe sportistëve.

Në datën 25 nëntor do të organizohet një aktivitet i madh nga grupet shqiptare të skenës dhe teatrit. Në bashkëpunim me grupet e Shqipërisë, do të jenë pjesëmarrës dhe shqiptarë nga Kosova, Maqedonia si dhe nga trevat e tjera shqiptare. Ky aktivitet do të marrë karakter më të gjerë në datën 27 nëntor. Mbrëmja do të ketë të ftuar personalitetet më të larta të vendit, deputetë, trupat diplomatikë, personalitete ndërkombëtare dhe do të përfshijë jo vetëm numrat artistikë, por dhe ato folklorike popullore, këngë moderne e bashkëkohore.

Në datën 27 nëntor do të zhvillohet edhe një aktivitet sportiv mbarëkombëtar, ku emra të shquar të karatesë shqiptare në botë si dhe shumë sportistë do të masin forcat në Vlorë, për nder të 100-vjetorit të Pavarësisë. Ky aktivitet sportiv është Kupa e Republikës për Karatenë Shqiptare, ku do të marrin pjesë rreth 350-400 sportistë nga të gjithë trevat shqiptare.

Data 28 Nëntor, është dhe kulmi i aktiviteteve që Bashkia e Vlorës organizon. Në orën 08:00, do të nisë festa në Sheshin e Flamurit, me këngë të zgjedhura të karakterit-historik patriotik, për të vijuar në orën 09:00 me një manifestim madhështor. Ky aktivitet do të nisë nga Sheshi Pavarësia në zonën e Skelës drejt Sheshit të Flamurit. Bulevardi I. Qemali, në të gjithë gjatësinë e tij prej më shumë se 1 km, parashikohet të jetë i tejmbushur me shumë qytetarë jo vetëm nga Shqipëria, por dhe nga trevat shqipfolëse. Këtu do të ketë një pjesëmarrje masive të të rinjve, të cilët do të jenë të veshur Kuqezi.

Do të ketë një paradë të madhe dhe një flamur gjigand. Marshimi do të jetë drejt Sheshit të Flamurit, për të finalizuar ceremoninë e orës 10:00, ku do të ngrihet flamuri nga Presidenti i Republikës. Në kë të ceremoni do të jenë pjesëmarrës të gjitha personalitetet e larta të vendit, Kryeministri, qeveria, deputetë t, trupat diplomatike si dhe shumë titullarë . Pas ngritjes së flamurit nga Presidenti, do të bëhen homazhe në varrin e Ismail Qemalit.

Pas këtij protokolli, aktivitetet vijojnë në Sheshin e Flamurit, e më pas me koncertin jubilar të organizuar në pallatin e sportit “Flamurtari”, në orën 11:30. Më pas, kryetari i Bashkisë së Vlorës, në orën 13:30 ka organizuar drekën zyrtare.

Në këtë drekë janë të ftuar 380-400 pjesëmarrës dhe eventi do të organizohet në një nga resortet në zonën e Ujit të Ftohtë.

Ndërkohë, koncerti i cili ka nisur që pas ngritjes së flamurit do të vazhdojë deri në orët e para të 29 Nëntorit.

Sheshi i Flamurit do të “gjëmojë ” nga muzika dhe festa.Në hyrje të shkallëve të monumentit të Pavarësisë do të pritet në mënyrë simbolike Torta e Pavarësisë. Gatimi i ëmbëlsirës është mundësuar falë kontributit të qytetarëve vlonjatë dhe ka përmasa prej 15 meter katror. Torta do të pritet nga Presidenti i Republikës.

Për 29 Nëntorin është parashikuar që në orën 10:00 të bëhen homazhe për nder të Dëshmorëve të Atdheut në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit për të vijuar me koncerte, dhe më pas në mbrëmjen e datës 29 Nëntor do të jetë dhe mbyllja, me Natën e Bardhë po në Sheshin e Flamurit.

Sipas nënkryetarit të Bashkisë së Vlorës, Arben Beqari, atmosfera dhe festa do të jetë si asnjëherë tjetër, organizimi dhe infrastruktura për këtë ditë të shënuar do të jenë në nivelet më të larta.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit