2.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Vlera e duasë në muajin e Ramazanit

Më të lexuarat

Është obligim i agjëruesit të bëjë shumë dua gjatë ditëve të Ramazanit dhe, me theks të veçantë, duanë e tij ta manifestojë në kohën e iftarit, për shkak se koha e iftarit është koha e përfundimit të ditës së agjërimit dhe, sikurse në fund të çdo adhurimi apo vepre, i lutemi Allahut për pranimin e asaj vepre, ashtu edhe me rastin e përfundimit të ditës së agjërimit, i lutemi Allahut që të na e pranojë agjërimin e ditës përkatëse.

Shkruan: Eljasa Mahmudi

Duaja, përkatësisht lutja drejtuar Allahut të madhërishëm, është shumë e rëndësishme, me vlerë shumë të madhe dhe me pozitë të lartë në Fenë Islame. Ajo është thelbi dhe esenca e fesë, nëpërmjet së cilës manifestohet përulja, përkushtimi dhe adhurimi i robit ndaj Krijuesit të madhërishëm dhe për këtë shkak besimtari mysliman nuk ngurron që të lutet, por ai është i kujdesshëm që në çdo çast dhe kohë të kërkojë prej Allahut të gjithmëshirshëm realizimin dhe plotësimin e kërkesave dhe dëshirave të tij.

Pra, duaja e robit drejtuar Krijuesit të madhërishëm përveç se është shprehje e përkushtimit dhe devotshmërisë, ajo është obligative dhe e domosdoshme për njeriun, i cili gjithmonë është i varur dhe i nevojshëm për ndihmën, mbrojtjen dhe kujdesin e Allahut, i Cili në Librin e Tij, në Kuranin famëlartë, thotë: “Zoti juaj ka thënë: Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem, e ata që nga mendjemadhësia i shmangen adhurimit ndaj Meje, do të hyjnë në Xhehenem të nënçmuar.” (Gafir: 60) Pa dyshim, duaja kërkohet në çdo kohë, siç shihet edhe në ajetin e lartpërmendur, mirëpo ekzistojnë disa kohë të veçanta kur duaja është edhe më e preferuar, edhe më e kërkuar, por edhe më e pranuar.

Nuk ka dilemë se një prej atyre kohëve më të preferuara është muaji i bekuar i Ramazanit, kur besimtarët duke qenë në agjërim për hir të Allahut të madhërishëm për një muaj të plotë, ata duhet që këtë muaj madhështor ta shfrytëzojnë duke bërë shumë dua. Jo rastësisht, mu për këtë qëllim, Allahu i madhërishëm kur përmendi obligueshmërinë dhe dispozitat e agjërimit të muajit të Ramazanit, Ai në mesin e këtyre ajeteve të agjërimit e theksoi rëndësinë dhe vlerën e madhe të duasë, duke thënë: “E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet. Pra, për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.” (El-Bekare: 186)

Pra, agjëruesit e muajit të Ramazanit duhet ta kuptojnë se duaja në këtë muaj të bekuar është shumë e kërkuar, prandaj ata nuk duhet të tregohen të pakujdesshëm ndaj këtij adhurimi; përkundrazi, ata duhet që t’i shfrytëzojnë në mënyrë maksimale ditët dhe netët e muajit të Ramazanit, duke iu lutur Krijuesit të Gjithësisë për agjërim, për ibadet dhe për vepra të pranuara, e gjithashtu edhe realizimin e nevojave, kërkesave dhe dëshirave të tyre.

Duaja në muajin e Ramazanit ka specifikë madhështore, për shkak se në këtë muaj të bekuar tubohen dy vlera: vlera e kohës dhe vlera e agjërimit. Themi vlera e kohës, për arsye se ky muaj është muaj i shpalljes së Kuranit famëlartë, që është udhëzim për njerëzit dhe me faktet e argumentet e tij është dallues i të vërtetës prej të pavërtetës, e gjithashtu themi vlera e agjërimit, për arsye se agjërimi është një prej pesë shtyllave kryesore të Islamit, nëpërmjet të cilit agjëruesit e falënderojnë Allahun e madhërishëm për mirësinë e Kuranit.

Pra, është obligim i agjëruesit të bëjë shumë dua gjatë ditëve të Ramazanit dhe me theks të veçantë duanë e tij ta manifestojë në kohën e iftarit, për shkak se koha e iftarit është koha e përfundimit të ditës së agjërimit dhe sikurse në fund të çdo adhurimi apo vepre, i lutemi Allahut për pranimin e asaj vepre, ashtu edhe me rastin e përfundimit të ditës së agjërimit i lutemi Allahut që të na e pranojë agjërimin e ditës përkatëse. Për vlerën e duasë në kohën e iftarit, i dërguari i Allahut, Muhammedi (alejhisselam), ka thënë: “Tre personave nuk u kthehet duaja mbrapa: Imamit (udhëheqësit) të drejtë, agjëruesit kur bën iftar dhe lutja e atij ndaj të cilit është bërë zullum.”

Përveç se preferohet duaja në mënyrë të veçantë në kohën e iftarit, ajo është shumë e preferuar gjatë netëve të Ramazanit, sidomos në kohën e syfyrit, kohë të cilën e ka theksuar Allahu i madhërishëm në Kuranin famëlartë kur thotë: “Në syfyr (kah mbarimi i natës) ata kërkonin falje për mëkate.” (Edh-Dharijatë: 18) Pra, koha e syfyrit është kohë e bekuar, siç mund të shihet në ajetin e sipërpërmendur, prandaj është obligim i besimtarit mysliman që të zgjohet në syfyr për ta ngrënë ushqimin e syfyrit, që do t’i ndihmojë atij në kalimin sa më të lehtë të ditës së agjërimit dhe njëkohësisht ta shfrytëzojë këtë kohë në dua dhe istigfar-kërkim të faljeve të mëkateve tek Allahu i madhërishëm. Për vlerën e kohës së syfyrit, Muhamedi (alejhis-selam) ka thënë: “Hani syfyr, për shkak se në syfyr ka bereqet.”

Veç kësaj që theksuam, vlen të përmendet se duaja në muajin e Ramazanit duhet të shtohet edhe më tepër në dhjetëditëshin e fundit të tij, i cili është shpëtim prej zjarrit të Xhehenemit dhe kur besimtarët myslimanë e kërkojnë dhe e presin Natën e Madhe të Kadrit, e cila natë ka vlerë të jashtëzakonshme, për shkak se ajo është nata kur zbriti Kurani famëlartë nga Levhi Mahfudhi në qiellin më të afërt të dynjasë, ajo është nata më e mirë se një mijë muaj, sepse në këtë natë të bekuar përcaktohet çdo çështje në mënyrë të prerë dhe të urtë; ajo është nata kur zbresin melaqet në tokë afër njerëzve dhe është nata e paqes deri në agimin e mëngjesit.

Pra, kjo natë me sigurinë më të plotë është njëra prej dhjetë netëve të fundit të muajit të Ramazanit, ashtu siç na ka mësuar i dërguari i Allahut, Muhamedi (alejhis-selam), duke thënë: “Kërkojeni Natën e Kadrit në dhjetë netët e fundit të Ramazanit.”

Sa i përket duasë në këtë natë të bekuar, themi se duhet që të bëjmë shumë dua në këtë natë madhështore për veten tonë, për prindërit tanë, për fëmijët tanë, për vëllezërit dhe motrat tona nga gjaku dhe feja, ndërsa duaja më e preferuar në Natën e Kadrit është ajo që e transmeton bashkëshortja e Muhamedit (alejhis-selam), Aisheja (radijallahu anha), e cila kur e pyeti bashkëshortin e saj se ‘nëse e qëlloj Natën e Kadrit, çka të them?’, Ai, i dërguari i Allahut, iu përgjigj: Oj Aishe, thuaj: “Allahume inneke afuvvun tuhibul afve fa’fu anni”, që do thotë: “O Zot, Ti je Falës, e do faljen, më fal mua!”

Siç mund të shihet nga sqarimet e mësipërme se duaja ka vlerë madhështore dhe pozitë shumë të lartë në Fenë Islame, saqë i dërguari i Allahut, Muhamedi (alejhis-selam), duke e përmendur vlerën e duasë ka thënë: “Duaja është truri i ibadetit (adhurimit).” “Adhurimi më i mirë është duaja.” “Nuk ka gjë më fisnike tek Allahu sesa duaja.”

Fillimi dhe përfundimi i duasë duhet të jenë me falënderim ndaj Allahut të madhërishëm dhe me përshëndetje (salat dhe selam) mbi të dërguarin e Allahut, Muhamedin (paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të).
-Gjatë duasë të bëhet ngritja e duarve drejtuar Allahut të madhërishëm, sepse Ai nuk i kthen ato të dëshpëruara.
-Të qenit me avdes dhe kthimi në drejtim të Kibles sipas mundësisë.
-Duatë të jenë të zgjedhura nga Kurani famëlartë dhe Sunneti i Muhamedit (alejhis-selam).

-Duaja të bëhet duke iu drejtuar Allahut të madhërishëm me emrat e bukur të Tij dhe me cilësitë e larta të Tij.

-Duaja të bëhet me zemër të plotë dhe me vendosmëri të sinqertë, duke e manifestuar përkushtimin, nënshtrimin dhe përuljen ndaj Allahut të madhërishëm.

-Fitimi hallall, e gjithashtu veshja, ushqimi dhe pija hallall, janë kushte të domosdoshme për pranimin e duave.

-Insistimi në dua dhe mosnxitimi, që do të thotë mos të humbet shpresa në pranimin e duasë, sepse është obligim dhe detyrë e besimtarit t’i drejtohet Allahut me dua, ndërsa Allahu e di më së miri kohën e pranimit të duasë përkatëse.

-Duaja të bëhet në të gjitha gjendjet dhe rrethanat, pa marrë parasysh në gjendje të vështirë apo gjendje të mirë.

-Përmendja e veprave të mira gjatë duasë janë shkak prej shkaqeve të mëdha për pranimin e duave.

-Gjatë duasë besimtari mos të lutet për të bërë mëkat, apo për t’i ndërprerë lidhjet farefisnore. Në përmbyllje të këtij shkrimi lus Allahun e madhërishëm t’i pranojë duatë tona, duke kërkuar nga Madhëria e Tij të na mbulojë me mëshirën dhe faljen e Tij të pakufizuar në këtë muaj të bekuar!
(Autori është vaiz dhe hatib në Xhaminë e Re të Kumanovës)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit