Muhamed Husejn Jakub
Vëllezërit e mi!
Vërtet ju dua për hir të Allahut të Lartësuar dhe e lus Allahun të na mbledhë me këtë dashuri nën hijen e Arshit të Tij, pasi nuk ekziston hije tjetër pos saj!
Allahu im, bëji veprat tona të gjitha të mira, bëji ato të sinqerta vetëm për Ty!
Mëso, vëlla i dashur, se Allahu i Lartësuar e ka zgjedhur kohën. Pjesa më e dashur për Allahun janë muajt e shenjtë, ndërsa prej muajve të shenjtë më i dashuri është Dhulhixhxheja, kurse prej këtij muaji më të dashura janë dhjetë ditët e para të tij.
Ky dhjetëditësh nuk është si një dhjetëshe e zakontë, por përfshinë dhe përmbledh në vetvete dhjetë merita dhe cilësi të larta.
E para:
Allahu i Lartësuar betohet për dhjetëshen e këtij muaji dhe thotë:
“Betohem për muzgun e agimit dhe për dhjetë netët (e para të muajit Dhulhixhxhe)! Betohem për çiftin dhe tekun dhe për natën kur largohet! A nuk janë këto betime të mëdha për njerëzit e mençur?!” (Fexhr: 1-5)
E dyta:
Këto ditë i ka quajtur “ditët e caktuara” duke thënë:
“…Dhe të përmendin emrin e Allahut në ditët e caktuara.” (Haxhxh: 28)
E treta:
Muhamedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dëshmoi për to se janë ditët më me vlerë të dynjasë. Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: I Dërguari i Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë:
“Ditët më të vlefshme të dynjasë janë dhjetë ditët (e Dhulhixhxhes).” (Sahih el-Xhami’”, Albani e vlerëson të saktë)
Gjithashtu, Muhamedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë:
“Nuk ka ditë që vepra të jetë më madhështore dhe më e dashur tek Allahu sesa këto dhjetë ditë, prandaj shqiptoni sa më shumë tehlil (La ilahe il-lAllah), tekbir (Allahu Ekber) dhe tahmid (El-hamdulil-lah).” (Shënon Ahmedi)
E katërta:
Muhamedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem porosit për veprime të hajrit në këto ditë.
E pesta:
Muhamedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem urdhëroi që në këto ditë të madhërohet Allahu dhe të falënderohet.
E gjashta:
Në këto ditë gjendet dita e tervijes.
E shtata:
Gjatë këtyre ditëve është edhe dita e Arafatit, agjërimi i së cilës fshin gjynahet e dy viteve.
E teta:
Të mirat e këtyre ditëve shumëfishohen. Disa prej selefit kanë thënë: “Nuk ka ditë më të dashura për Allahun sesa adhurimi (ibadeti) për Të gjatë këtyre dhjetë ditëve të Dhulhixhxhes, kur çdo ditë është e barabartë me një vit agjërim, falja për çdo natë e namazit të natës është si namazi në Natën e Kadrit.”
Ibën Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur më të, ka thënë: “Nuk ka ditë që vepra të jetë më e dashur për Allahun sesa këto dhjetë ditë, prandaj shpeshtoni sa më shumë “La ilahe il-lAllah”, “Allahu Ekber” dhe “El-hamdulil-lah”. Një ditë agjërimi në këto dhjetë ditë është e barabartë me një vit agjërim dhe veprat në këto ditë shumëfishohen deri në shtatëqind fish.”
Enes bin Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Për dhjetëshen e Dhulhixhxhes është thënë se çdo ditë ka vlerën e një mijë ditëve, dita e Arafatit të dhjetë mijë ditëve.” (Shënon Bejhekiu, Asfahani, Mundhiri dhe thotë se isnadi i Bejhekiut bën)
Imam Evzaiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Më ka ardhur lajmi se puna në njërën prej dhjetë ditëve është si vlera e luftës në rrugën e Allahut, kur agjërimi bëhet ditën e roja natën.”
Hasan el-Basriu ka thënë: “Agjërimi i një dite nga kjo dhjetëshe barazohet me dy muaj.”
E nënta:
Në këtë dhjetëshe është haxhi.
E dhjeta:
Është Dita e Bajramit, ndër ditët më me vlerë. Muhamedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë:
“Dita më e vlefshme tek Allahu është Dita e Bajramit e pastaj dita që vjen pas saj.” (Shënon Ebu Davudi, Albani e vlerëson sahih)
Kujdes vëlla, sepse pa dyshim që këto dhjetë ditë janë një mundësi e madhe në jetën tënde, një faqe e re në raportin tënd me Allahun. Këto janë ditët më të mira të Allahut.
Mendo që këto ditë janë më të vlefshme se dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. I Dërguari i Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë:
“Nuk ka ditë në të cilat vepra e mirë është më e dashur për Allahun sesa në këtë ditë (të Dhulhixhxhes).” I thanë: “As xhihadi?” Tha: “As xhihadi, përveç nëse del dikush vetë dhe me pasurinë e vet dhe nuk kthehet me asgjë.” (Shënon Buhariu)
Shikoni se si shprehën habi sahabët, saqë thanë: “As xhihadi?” Sepse xhihadi është shkalla më e lartë e Islamit.
Shiko, vëlla i dashur, se si kjo dhjetëshe ka arritur shkallën më të lartë. Dobia tjetër që të njeh me një vlerë tjetër të kësaj dhjetëshe është fjala e Allahut të Lartësuar:
“Ne i premtuam Musait se do t’i flisnim pas tridhjetë netësh, të cilat ia shtuam edhe me dhjetë të tjera, kështu që takimi me Zotin e tij u bë pas dyzet netësh.” (A’raf: 142)
Disa studiues të tefsirit kanë thënë se “dhjetë të tjera” janë dhjetëshja e Dhulhixhxhes.
Shiko se si Allahu i dhuroi mirësi Musait alejhi selam dhe të Dërguarit tonë, Muhamedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, duke i shpallur atij se pas tridhjetë netëve u desh të plotësohen edhe dhjetë ditë të Dhulhixhxhes.
Muxhahidi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk ka vepër që gjatë ditëve të vitit është më e mirë sesa në dhjetëshen e Dhulhixhxhes.”
Allahu i Lartësuar e nderoi Muhamedin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe Umetin e tij duke u dhënë çdo vit nga tridhjetë net të bekuara, që janë ato të Ramazanit. Këtë vlerë shtesë e plotësoi edhe me dhjetë ditët e Dhulhixhxhes.
Pa dyshim që ky është një rast i volitshëm për të filluar një faqe të re me Allahun e Lartësuar, shans për të fituar sevape të pakufishme. Është shansi për të fituar të mira që janë më të vlefshme se të shpenzuarit e pasurisë, jetës dhe shpirtit në xhihad.
Ky është shansi për ripërtëritjen dhe rimbushjen e zemrës tënde.
Ibën Rexhepi thotë: “Çdo njeri nuk e ka mundësinë e vizitës së Qabes çdo vit, ndërsa haxhi është detyrim një herë në jetë për atë që ka mundësi. Kështu që këtë dhjetëshe e ka bërë që të jenë pjesëmarrës, pra të jenë të njëjtë si pjesëmarrësit në haxh ashtu edhe jopjesëmarrësit. Kush nuk mund të shkojë në haxh këtë vit, i vlerësohet vepra e tij në shtëpi, këto dhjetë ditë si më të vlefshme se xhihadi, që është më i vlefshëm se haxhi.”
Ditët e para të Dhulhixhxhes janë ditët për të cilat Allahu i Lartësuar betohet. Betimi fillon me agimin duke thënë: “Betohem për muzgun e agimit dhe për dhjetë netët”, që këto ditë të jenë agim i ri në jetën tënde.
Atëherë, pas gjithë kësaj që u tha, patjetër që duhet të kesh një plan të qartë dhe të menduar mirë, që në fund të dhjetë ditëve të jesh fitues. Largoje përtesën dhe dembelinë dhe cakto qëllimin tënd. Atëherë projektet në vijim të jenë jo vetëm propozim, por detyrim. Realizoji të gjitha, të paktën një herë në jetë.
Përktheu dhe përshtati: Ulvi Fejzullahu