2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Vlera dhe rëndësia e Hadithit

Më të lexuarat

Falënderimet i takojnë Allahut të Lartësuar, vetëm Atë e adhurojmë dhe prej Tij ndihmë, falje, mëshirë kërkojmë. Përshëndetjet tona i takojnë të Dërguarit të fundit, vulës së të gjithë Pejgamberëve, Muhamedit salallahu alejhi ue selem.
Të nderuar lexues të websajtit klubikulturor.com, ka kaluar një kohë shumë e gjatë nga vdekja e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, mirëpo fjalët, thëniet, miratimet, pëlqimet e tij kanë mbetur dhe me to duhet të punojë një musliman i cili dëshiron të jetë nën mbikëqyrjen e Allahut të Lartësuar.
Pasi hadithi pra zë vendin e dytë pas librit të Allahut (Kuranit), jemi të obliguar t’i kushtojmë një rëndësi të veçantë leximit të tyre, mësimit përmendësh, transmetimit të tyre dhe të punuarit me to në jetën e përditshme.
Pra, vlerën dhe rëndësinë e madhe të Hadithit e vë në dukje në radhë të parë vetë Kurani. Shohim qartë se Kurani i ka dhënë një rëndësi të plotë, siç na porositin ajetet që flasin drejtpërdrejt për këtë qëllim:
“Ai (Muhamedi) nuk flet sipas dëshirës së vet.” (Nexhm, 3)
“O ju që keni besuar! Binduni Allahut dhe binduni Pejgamberit.” 
(Nisa, 59)
“E kush i nënshtrohet Allahut dhe Pejgamberit të Tij, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë begati: me Pejgamberët, me të drejtët, me dëshmorët 
(martirët) dhe me njerëzit e tjerë të mirë. Ata janë shokë të mrekullueshëm!” (Nisa, 69)
“Me të vërtetë ju e keni shembull të mrekullueshëm Pejgamberin e Allahut.” 
(Ahzab, 21)
“Thuaj 
(o Muhammed): Nëse ju e doni Allahun, më pasoni mua (ndiqeni rrugën time pranoni Islamin, ndiqni Kuranin dhe Sunetin, rrugën time), Allahu do t’ju dojë ju dhe do t’ua falë gabimet (gjynahet)tuaja. Allahu është falës dhe mëshirues i madh.” (Ali Imran, 31)
“…atë që ua jep Pejgamberi, atë merreni, atë që ua ndalon, lëreni.”
(Hashr, 7)

Vlera dhe rëndësia e Hadithit mund të shihet edhe në sa vijon:

Çdo njeri që e lexon Kuranin me vëmendje, do të vërejë se në të për disa çështje flitet në mënyrë të përgjithshme, d.m.th. pa hyrë në hollësi të problemit përkatës. Për shembull, sado që në shumë ajete të Kuranit urdhërohet falja e namazit, askund nuk shpjegohet mënyra e faljes e as nuk jepen hollësi të tjera. Edhe dhënia e zekatit urdhërohet në shumë ajete, por, megjithatë, përveç përcaktimit se kush duhet ta japë zekatin dhe kujt duhet t’i jepet ai, në asnjë ajet nuk thuhet më konkretisht se cila pasuri i nënshtrohet zekatit dhe sa duhet ndarë nga pasuria e cila arrin shkallën e duhur (nisabin). Ka edhe shembuj të tjerë.
Zbërthimin dhe stërhollimin e dispozitave të këtilla të Kuranit dhe mënyrën e zbërthimit praktik të tyre, në përputhje me mësimet dhe detyrën që i ishte dhënë nga ana e Allahut xh.sh., në mënyrë të përpiktë e bëri Muhamedi alejhi selam.
Kjo do të thotë se pa shpjegimin e hollësishëm të çështjeve të caktuara nga ana e tij, shumë gjëra nuk do të ishte e mundur të kuptoheshin drejt e aq më pak të zbatoheshin në jetën praktike. Pra, roli dhe detyra e Muhamedit alejhi selam si i Dërguar ka qenë, në radhë të parë, të shpjegojë Shpalljen e Allahut xh.sh., siç shihet qartë në ajetin e Kuranit: (Ne i çuam të Dërguarit) Me shenja të qarta dhe me libra. Ndërsa edhe ty (O Muhamed) të kemi zbritur përkujtuesin me këshilla (Kuranin), që ti të mund t’u shpjegosh njerëzve qartë se çfarë u është zbritur atyre dhe që të mund të mendojnë.” (Nahl, 44)
“…atë që ua jep Pejgamberi, atë merreni, atë që ua ndalon, lëreni.”(Hashr, 7)
“Ai (Muhamedi) nuk flet sipas dëshirës së vet.” (Nexhm, 3)

Mund të themi me bindje të thellë se Muhamedi salallahu alejhi ue selem përveç se është shpjegues i parë i Kuranit, ka dhënë edhe disa zgjidhje që nuk gjenden në Kuran, por këto zgjidhje mund të kuptohen vetëm atëherë kur është dashur të shpjegohen ato çështje të përgjithshme të Kuranit. Megjithatë, nga kjo duhet të kuptohet se Hadithi gjithnjë është në lidhshmëri të ngushtë dhe të plotë me Kuranin.
Shembuj tipikë që flasin për vlerën dhe rëndësinë e Hadithit, respektivisht që tregojnë se Hadithi, pas Kuranit, është burim themelor i Islamit, janë edhe fjalët e Muhamedit salallahu alejhi ue selem, i cili me rastin e Haxhit Lamtumirës, para masës ndër të tjera ka thënë edhe këto fjalë: “Ua kam lënë atë që ju do t’i përmbaheni, që asnjëherë të mos hezitoni e të mos humbeni, pra, ua kam lënë librin e Allahut (Kuranin) dhe fjalët e Pejgamberit të Tij (Hadithin).”
Nga sa u tha më lart, shihet qartë se muslimanët janë të detyruar t’u nënshtrohen urdhrave të Allahut të Madhëruar dhe të shkojnë rrugës së mësimeve të Muhamedit salallahu alejhi ue selem.
Eroll Rexhepi
11.1.2008

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit