3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Vizita e varreve dhe kërkimi i ndihmës nga i varrosuri

Më të lexuarat

Autor: Shejhul Islam Ahmed ibn Abdul Halim ibn Tejmije, All-llahu e mëshiroftë
Përshtati në gjuhën shqipe: B. ALI

Teksti i pyetjes

Shehu Islam Ahmed ibn Tejmije – Allahu e mëshiroftë u pyet:

– Çfarë mendoni (si është gjykimi) për një person i cili viziton varret dhe kërkon ndihmë nga i varrosuri, për shkak se ai vetë është i sëmurë ose i është sëmurë kali apo deveja e tij? Ai kërkon largimin e sëmundjes që ata kanë dhe thotë:”O zotëriu im! Unë jam në fqinjësi me ty dhe jam nën mbrojtjen tënde. Filani më ka bërë padrejtësi, filani donte të më dëmtonte.” Ai këtë veprim e bën duke pretenduar se i varrosuri është ndërmjetës midis tij dhe Allahut të Lartmadhëruar. Gjithashtu, çfarë thoni për atë që zotohet se do të investojë për xhamitë, qoshet (vendet në të cilat qëndrojnë shehlerët dhe dervishlerët), shehlerët (qofshin të gjallë apo të vdekur) me anë të të hollave, deveve, deleve, qirinjve, vajit etj.?

Po ashtu thotë: Nëse djali im shpëton, zotohem se kam për t’i dhënë shehut këtë dhe këtë? Po ashtu çfarë thoni për atë person i cili i drejtohet për ndihmë shehut të vet duke kërkuar prej tij që t’ia bëjë të qëndrueshme zemrën prej një ngjarje të caktuar?

Po për një tjetër i cili shkon tek shehu i tij duke patur për qëllim varrin dhe vendos kokën mbi të, fërkon varrin me duar e më pas fshin me to fytyrën e tij, e të tjera veprime si këto? Po për një tjetër që e ka për qëllim atë për një nevojë që ka dhe thotë: O filan, me bereqetin tënd.

Ose thotë: Mu plotësua nevoja që kisha me bereqetin e Allahut dhe bereqetin e shehut? Po për atë që mendon se i varrosuri dëgjon dhe vjen tek varri, zbulohet dhe vendos kokën para shehut i përulur në tokë (në formën e sexhdes)? Po për një tjetër që thotë: Ndodhet një “el-Kutb” (pol ose bosht) ndihmëtar (gauth) i përgjithshëm në këtë ekzistencë? Shpresojmë të na japësh përgjigje me detaje (hollësisht) rreth kësaj çështjeje.

[color=blue:68714c6910]Fillimi i përgjigjes

Ibn Tejmije u përgjigj:

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Feja me të cilën Allahu dërgoi të dërguarit e Tij dhe me të cilën zbriti librat e Tij, është adhurimi i Allahut të Vetëm pa asnjë ortak, kërkimi i ndihmës prej Tij, të mbështeturit tek Ai dhe të lusim vetëm Atë për sjelljen e dobive dhe largimin e dëmeve.

Allahu i Lartëmadhëruar thotë:

“Shpallja e Librit (Kur’anit) është nga Allahu, i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues. Vërtet që Ne të kemi zbritur ty (Muhamed) Libër me të vërtetën dhe adhuroje Allahun duke plotësuar detyrat e fesë së tij me sinqeritet vetëm për hir të tij. A nuk është për Allahun feja e vërtetë (adhurimi, përkushtimi, nënshtrimi). Dhe ata që zgjedhin për mbrojtës e ndihmues të tjerë në vend të Tij (thonë): Ne nuk i adhurojmë ata vetëm që të mund të na afrojnë tek Allahu. Padyshim që Allahu do të gjykojë midis tyre në lidhje me atë për çfarë dyshuan.” [ez-Zumer: 1-3]

I Lartmadhëruari përsëri thotë:

“Dhe vërtet që xhamitë janë për Allahun (të vetëm), kështu që mos lutni asnjë tjetër bashkë me Allahun.” [el-Xhin: 18]

Thotë në një ajet tjetër:

“Thuaj: Zoti im më ka urdhëruar drejtësi dhe t’i drejtohemi vetëm Atij (të adhurojmë vetëm Allahun duke u kthyer nga kibla gjatë faljeve) në çdo xhami që të jemi duke u falur, duke iu lutur vetëm Atij, duke e shprehur fenë tuaj zemërhapur dhe me përkushtim ndaj tij” [el-A’raf: 29]

“Thuaju (o Muhamed): Thërrisni ata përveç Atij (Allahut) të cilët juve ua merr mendja (për zota si: melekët, pejgamberët kushdo qofshin, Isai, Uzeiri, idhuj etj.). Ata nuk kanë fuqi për ta larguar të keqen prej jush, dhe as për ta kaluar atë prej jush te dikush tjetër. Ata të cilëve u thërrasin (si Isai – biri i Merjemes, Uzeiri, melekët etj.) vetë duan (për veten e tyre) mënyrë e rrugë të drejtë afrimi tek Zoti i tyre (Allahu). Secili prej tyre do të donte të ishte më i afërti dhe ata (Isai, Uzeiri,, melekët, etj.) vetë shpresojnë mëshirën e Tij dhe i frikësohen ndëshkimit të tij Vërtet që ndëshkimit të Zotit tënd është për t’iu pasur frikë.” [el-Isra: 56-57]

Disa nga selefët, (të parët tanë) kanë thënë: Disa njerëz thërritnin dhe lutnin Mesinë, Uzeirin dhe melekët. Allahu i Madhëruar tha:

“Ata të cilët ju i lutni janë robërit e Mi ashtu sikurse edhe ju jeni robërit e Mi, ata shpresojnë Mëshirën Time ashtu sikurse edhe ju shpresoni Mëshirën Time, ata kanë frikë ndëshkimin Tim ashtu sikurse edhe ju keni frikë ndëshkimin Tim dhe ata afrohen tek Unë ashtu sikurse edhe ju afroheni tek Unë.”

Përderisa kjo është gjendja e atyre që thërrasin e lusin pejgamberët dhe melekët, atëherë vallë si është gjendja e atyre që janë më poshtë tyre (në gradë).

Allahu i Lartëmadhëruar thotë:

“A mos mendojnë ata që nuk besojnë se ata mund të marrin robërit e Mi (të dërguarit e Mi, Isain birin e Merjemes, Uzeirin, melekë, shenjtorë etj.) si eulija (zota, mbrojtës, ndihmues) përveç Meje? Vërtet që Ne kemi pregatitur xhehenemin për vendpritjen e jobesimtarëve.” [el-Kehf: 102]

I Lartmadhëruari në një vend tjetër thotë:

“Thuaj (o Muhamed, këtyre politeistëve): Thirruni atyre të cilët ju i pohoni (se janë zota) në vend të Allahut (Një). Ata nuk kanë as sa pesha e një grimce (sa një milingonë) qoftë në qiej e qoftë në tokë, e as nuk kanë aspak pjesë në ndonjërin prej tyre (në qiej ose në tokë) dhe nuk ka asnjë mbrojtës për to tek Ai nga mesi i tyre. Ndërmjetësimi tek Ai nuk ka dobi përveçse për atë për të cilin Ai lejon.” [Sebe’: 22-23]

Pra, Allahu i Lartësuar tregon qartë se kush lutet përveç Allahut prej të gjitha krijesave qofshin prej melekëve, njerëzve e të tjerë, ata që të gjithë pa përjashtim nuk kanë as sa pesha e një grimce në sundimin e tij Gjithashtu, Ai nuk ka asnjë ortak në sundimin e Tij, madje Ai (Allahu) i Lartësuar është i Vetmi Sundimtar. Atij i takon Falënderimi. Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë. Ai padyshim nuk ka ndonjë ndihmëtar që ta ndihmojë ashtu siç ka një mbret ndihmëtarët dhe përkrahësit e tij Ndërmjetësuesit tek Ai nuk mund të ndërmjetësojnë për askënd veçse për atë me të cilin Ai është i kënaqur. Pra, duket qartë se me atë që përmendëm mohohen të gjitha mënyrat që të çojnë në shirk.

Ai që ata lutin përveç Allahut ose është sundimtar, ose nuk është sundimtar. Nëse nuk është sundimtar, atëherë ose është ortak, ose nuk është ortak. Nëse nuk është ortak, atëherë ose është ndihmëtar, ose është kërkues. Tri llojet e para të sipërpërmendura, të cilat janë: sundimi, ortakëria dhe ndihma janë të mohuara, kurse përsa i përket të katërtit, ai ndodh vetëm pas lejes së Allahut. Allahu i Lartësuar thotë:

“E kush është Ai që mund të ndërmjetësojë tek Ai përveçse me lejen e tij” [el-Bekare: 255]

Gjithashtu thotë:

“Dhe ka shumë melekë në qiej ndërmjetësimi i të cilëve nuk vlen, vetëm pasi Allahu të ketë dhënë lejen për atë që Ai do e dëshiron.” [en-Nexhm: 26]

Po ashtu thotë:

“A kanë marrë të tjerë si ndërmjetësues në vend të Allahut? Thuaj: edhe sikur ata të mos kenë fuqi mbi asgjë dhe që të mos mendojnë? Thuaj: Allahut i takon ndërmjetësimi, Atij i përket mbizotërimi i qiejve dhe tokës.” [ez-Zumer: 43-44]

Gjithashtu thotë:

“Allahu është Ai i Cili ka krijuar qiejt dhe tokën dhe gjithçka që ndodhet midis tyre, në gjashtë ditë. Pastaj Ai u ngrit dhe qëndroi mbi Arsh (në fronin e tij madhështor, ashtu si i takon madhështisë së Tij). Ju o njerëz nuk keni askënd tjetër veç Tij si mbrojtës dhe as ndërmjetësues. A nuk do të përkujtoni (e të këshilloni) pra? [es-Sexhde: 4]

Po ashtu thotë:

“Këshilloji (me Kur’an) ata që kanë frikë se do të mblidhen tek Zoti i tyre kur nuk do të ketë as mbrojtës për ta e as ndërmjetësues përveç Atij (Allahut), me qëllim që ata ta kenë frikë Allahun dhe të plotësojnë detyrat ndaj Tij (duke u përmbajtur nga ndalesat e duke kryer detyrimet e urdhëruara).” [en-Am: 51]

Dhe thotë:

“Nuk është e mundur për askënd të cilit Allahu i ka dhënë Librin, Hukmin (gjykimin, urtësinë dhe dijen e plotë të fesë) dhe pejgamberinë që t’u thotë njerëzve:”Bëhuni adhuruesit e mi në vend të Allahut. Përkundrazi (ai duhet t’u thotë): Jini Rabbanijjinë (njerëz të ditur fetar që zbatojnë çfarë dinë dhe ftojnë të tjerët), sepse ju po mësoni Librin dhe po e studioni atë. As nuk do t’ju urdhëronte të merrnit melekët ose pejgamberët për zota. A mos vallë do t’ju urdhëronte të mohonit pasi ju t’i ishit nënshtruar Allahut (muslimanë)?” [Al Imran: 79-80]

Nëse Ai gjykon se kush merr për zota melekët dhe pejgamberët është mosbesimtar, atëherë si do të jetë gjendja e atij që merr për zota ata të cilët janë më të ulët në gradë, si shehlerët etj?!

Në rreshtat që vijojnë do ta shtjellojmë më tepër këtë çështje. Në rast se kërkesa e robit është prej gjërave të cilat nuk mund t’i plotësojë askush tjetër përveç Allahut si p.sh: të kërkojë shërimin e të sëmurit të tij, qoftë prej njerëzve apo kafshëve, shlyerjen e borxhit në mënyrë jo të zakontë, shëndetin e familjes së tij, largimin e fatkeqësisë qoftë në këtë botë apo në ahiret, triumfin ndaj armikut të tij, udhëzimin e zemrës, faljen e gjynahit, hyrjen në xhenet, shpëtimin nga zjarri, mësimin e diturisë dhe Kur’anit, rregullimin e zemrës, përmirësimin e moralit, pastrimin e vetes, etj., atëherë që të gjitha këto gjëra në mënyrë të prerë nuk lejohen të kërkohen prej askujt tjetër veç Allahut të Lartmadhëruar.

Pra, nuk lejohet në asnjë mënyrë t’i thuhet melekut, pejgamberit apo shehut – qoftë i gjallë apo i vdekur –: më fal gjynahin, më ndihmo ndaj armikut, më shëro të sëmurin, më jep shëndet mua, familjes sime dhe kafshës sime etj. Kush i kërkon këto që përmendëm prej ndonjë krijese – kushdo qoftë – ai është mushrik që i ka bërë Allahut shok në adhurim. Ky lloj shirku që bëri ai është si shirku i mushrikëve të cilët adhurojnë melekët, pejgamberët dhe statujat, të cilat i përshkruajnë në formën e pamjeve të tyre. Po ashtu është si lutja që i bëjnë të krishterët Mesisë dhe nënës së tij Allahu i Lartësuar thotë:

“Kujto dhe kur Allahu do të thotë (ditën e ringjalljes): O Isa, biri i Merjemes! A mos u the ti njerëzve: Më adhuroni mua dhe nënën time si dy zota përkrah Allahut?” [el-Maide: 116]

Po ashtu thotë:

“Ata (çifutët dhe të krishterët) morën rabinët dhe murgjit e tyre si perëndi të tyren në vend të Allahut, (morën për Zotë të tyre) edhe Mesinë, birin e Merjemes, ndërkohë që ata qenë urdhëruar të mos adhurojnë kënd tjetër, por vetëm një Zot, nuk ka zot tjetër përveç Tij (që e meriton adhurimin). I Lartësuar është Ai nga të pasurit shokë që ata ia mveshin Atij.” [et-Teube: 31]

Kurse përsa i përket gjërave që ka mundësi t’i plotësojë robi, është e lejuar ta kërkojë prej dikujt në disa raste dhe është e ndaluar në disa raste të tjera.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Kështu që kur të kesh mbaruar (punën, detyrën tënde) ngrihu dhe qëndro në adhurim të Allahut (duke kryer falje). Dhe (vetëm) tek Zoti yt ktheji (të gjitha qëllimet, shpresat dhe) lutjet.” [esh-Sherh: 7-8]

Pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) e porositi Ibn Abasin duke i thënë:”Nëse kërkon (diçka) kërkoje prej Allahut dhe nëse kërkon ndihmë kërkoje prej Allahut.” Pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka porositur një pjesë të mirë të shokëve të tij duke u thënë atyre që të mos u kërkojnë asgjë njerëzve, saqë ka pasur prej tyre ndonjë që i binte shkopi nga dora (ndërkohë që ishte mbi kafshë) dhe nuk i thoshte askujt:ma jep atë!

Po ashtu, është bërë e qëndrueshme në dy sahihët (në Sahihun e Imam Buhariut dhe Sahihun e Imam Muslimit) se Pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë:”Shtatëdhjetë mijë (njerëz) prej Umetit (popullit) tim do të hyjnë në xhenet pa llogari. Ata janë ata që nuk kërkojnë rukje (leximi i diçkaje prej Ku’anit për të sëmurin), nuk përdorin djegien me zjarr për shërimin e sëmundjeve dhe nuk bëhen pesimist nëse shohin diçka (duke e lidhur mbarësinë dhe tersllëkun me shenjat ogurzeza si shikimi i një shpendi etj…) dhe tek Zoti i tyre janë të mbështetur.”

Fjala el-istirka (që ka ardhur në fillimin e hadithit) do të thotë: kërkimi i rukjes që është prej llojeve të lutjes. Megjithatë është transmetuar se Pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë:”Për çdo person që lutet për vëllanë e tij në fshehtësi me ndonjë lutje, Allahu ngarkon një melek me përgjegjësi që sa herë ai të lutet për vëllanë e tij, meleku thotë: edhe për ty njëlloj si ai.” Prej lutjeve që i ka aprovuar Sheriati është dhe lutja e një personi për një të papranishëm. Prandaj, ka urdhëruar Pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) që të bëhet salavati për të dhe që ne të kërkojmë uesilen për të. Gjithashtu ka njoftuar se ne do të kemi shpërblim nëse e bëjmë këtë lutje për të. Ai ka thënë:”Kur ta dëgjoni muezinin, përsëriteni atë që thotë ai e në fund bëni salavate për mua, sepse kush bën një salavat për mua, Allahu bën dhjetë për të. Pastaj kërkoni për mua uesilen, ajo është një gradë në xhenet që s’mund ta ketë vetëm se një rob prej robërve të Allahut, dhe shpresoj që ai të jem unë. Kush kërkon uesilen për mua, i lejohet shefati (ndërmjetësimi) im ditën e Kijametit.”

Gjithashtu, prej gjërave që ka aprovuar Sheriati, është që muslimani ta kërkojë lutjen prej dikujt që është mbi gradën e tij dhe dikujt që është poshtë grades së tij. Është transmetuar kërkimi i lutjes prej dikujt që është më lart ose më poshtë në gradë se ai, sepse Pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) kur përcolli Umerin për në umre i tha:”Mos na harro në lutjet e tua, o vëlla.”

Por Pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) kur na urdhëroi që të bëjmë salavat për të dhe që të kërkojmë uesilen për të, na njoftoi se kush bën një salavat për të, Allahu ka për t’i bërë atij për shkak të atij salavati dhjetë. Po ashtu na njoftoi se kush kërkon për të uesilen, atij i lejohet ndërmjetësimi i pejgamberit (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) Ditën e Kijametit. Pra, kërkimi i asaj gjëje prej nesh është në dobinë tonë dhe sigurisht që ka dallim të theksuar midis atij që kërkon diçka prej dikujt që i kthehet dobia atij dhe midis atij që kërkon prej dikujt që të plotësojë vetëm nevojën e tij Është theksuar në “Sahih” (Sahihun e Imam Muslimit) se Pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) i përmendi Umerit Uejsenil Karnij1 dhe i tha:”Nëse ke mundësi që ai të kërkojë falje për ty, bëje!”

Është bërë e qëndrueshme në dy Sahihët se ka patur diçka midis Ebu Bekrit dhe Umerit – Allahu qoftë i kënaqur prej të dyve – dhe Ebu Bekri i tha Umerit:”Kërko falje për mua,” porse në hadith thuhet se Ebu Bekri u zemërua me Umerin. Gjithashtu është transmetuar se disa njerëz kërkonin rukje prej Pejgamberit (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) dhe Pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) u lexonte atyre.

——————————————————————————–
1. Ai është Uejs ibn Amir el-Karnij el-Muradij, zahid i njohur. Ka jetuar në kohën e pejgamberit (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen tij), por nuk e ka parë atë (nuk është takuar me të). Pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen tij ) pat informuar për të para gjëndjes së tij (para se të vinte në Medine). Ka transmetuar hadithe nga Umeri dhe Aliu. Ka marrë pjesë në luftën e Sifinit me Aliun dhe ka qënë nga muslimanët më të zgjedhur. E ka pranuar Islamin gjatë jetës së pejgamberit (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij), por e ka penguar mirësia (përkujdesja) ndaj nënës së tij që të takohej me pejgamberin (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij), Allahu qoftë i kënaqur prej tij

——————————————————————————–

Është theksuar në dy sahihët se kur njerëzit i goditi një thatësirë, ata kërkuan nga Pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) që të kërkojë shi për ta. Ai e luti Allahun për ta dhe u furnizuan me shi. Po ashtu është transmetuar në dy Sahihët se Umer Ibn Hatabi – Allahu qoftë i kënaqur me të – kërkoi shi nëpërmjet Abasit dhe ai e luti Allahun duke thënë:”O Allah! Kur na godiste thatësira ndërmjetësoheshim tek Ty me anë të Pejgamberit tonë dhe e dërgoje shiun. E tani ndërmjetësohemi tek ty me anë të xhaxhait të Pejgamberit tonë, pra na dërgo shi; e më pas u zbriste shiu. Ka ardhur në Sunen (të Ebi Daudit) se një nga banorët e shkretëtirës i tha Pejgamberit (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij): Po vuajnë njerëzit, fëmijët janë të uritur dhe po shkatërrohet pasuria. Prandaj lute Allahun për ne. Ne po ndërmjetësohemi me Allahun tek ty dhe me ty tek Allahu. I Dërguari Allahut e madhëroi dhe e lartësoi Allahun derisa u dallua qartë në fytyrat e shokëve të tij dhe tha:”Mjerë ti! Askush nuk mund të ndërmjetësohet me Allahun tek ndonjë nga krijesat e tij Çështja (pozita) e Allahut është më e madhe se kjo gjë (që të merret si ndërmjetës tek ndonjë prej krijesave të Tij).” Pejgamberi e aprovoi fjalën e tij “ne po ndërmjetësohemi me ty tek Allahu,” kurse fjalën “ne ndërmjetësohemi me Allahun tek ty” e mohoi, sepse ndërmjetësuesi kërkon prej atij tek i cili bën ndërmjetësim dhe robi i kërkon Zotit të tij dhe ndërmjetëson tek Ai. Kurse Allahu i Lartësuar nuk kërkon prej askujt dhe nuk ndërmjetësohet tek askush. (Pra nuk merret Allahu si ndërmjetës)

Mënyra e vizititës së varreve që përputhet me sheriatin

Përsa i përket formës së vizitës që përputhet me sheriatin, ajo bëhet duke përshëndetur të vdekurin dhe duke e lutur Allahun për të. Pra, afërsisht si namazi i xhenazes. Pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) i mësonte shokët e tij që kur të vizitonin varret të thoshin:

“Paqa e Allahut qoftë mbi ju, o banorë besimtarë të këtij vendi. Edhe ne me urdhërin e Allahut, kur të vijë përcaktimi i Tij, inshaAllah me ju do të rradhitemi. Allahu mëshiroftë prej nesh dhe prej jush ata që kanë ikur para dhe ata që do të vinë më pas. Lusim Alahun për ne dhe për ju që të na ruajë nga çdo gjë. O Allah! Mos na e ndalo shpërblimin e tyre dhe mos na sprovo pas tyre.”

Është transmetuar prej pejgamberit (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) se ka thënë:”Çdo njeri që kalon në varrin e një njeriu, të cilin e njihte në këtë botë dhe e përshëndet atë, atëherë Allahu ia kthen shpirtin atij derisa t’ia kthejë atij përshëndetjen.”

Allahu i Lartëmadhëruar e shpërblen të gjallin nëse lutet për të vdekurin besimtar, ashtu sikurse e shpërblen atë nëse i fal atij xhenazen. Prandaj Allahu i Madhëruar e ndaloi pejgamberin (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) që të bëjë një gjë të tillë me munafikët (hipokritët të cilët shfaqin besimin dhe fshehin mosbesimin). Allahu i i Madhëruar thotë:

“Dhe kurrë (o Muhamed) mos (fal xhenaze) për ndonjë prej atyre (hipokritëve) që vdes dhe as mos rri te varri i tij” [et-Teube: 84]

Tek vizita që është në përputhje me sheriatin, nuk ekziston ndonjë nevojë e të gjallit që t’ia paraqesi të vdekurit, as nuk kërkon prej tij dhe as nuk e merr atë për ndërmjetës, madje në të ekziston dobia që kryhet nga i gjalli për të vdekurin, siç duket qartë kjo gjë tek namazi i xhenazes. Allahu i i Madhëruar e mëshiron këtë me anë të lutjes së tij dhe bamirësisë së tij tek ai, dhe e shpërblen këtë tjetrin (që bëri lutjen) për shkak të punës së tij, sepse është theksuar në Sahihun e Muslimit se pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë:”Kur ndërron jetë biri i Ademit, ndërpritet puna e tij përveçse tri gjërave: sadakaja e vazhdueshme, dituria prej së cilës përfitohet pas tij dhe djali (fëmija) i mirë që lutet për të.”

Gjykimi ndaj atij që vjen tek varri i pejgamberit (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) apo tek varri i një njeriu të mirë duke kërkuar diçka prej tij ose duke iu drejtuar atij për ndihmë

Përsa i përket atij që shkon tek varri i pejgamberit apo i një njeriu të mirë ose tek ai që pretendohet se është varri i një pejgamberi ose i një njeriu të mirë, por që në të vërtetë nuk është ashtu, duke kërkuar diçka prej tij ose duke iu drejtuar atij për ndihmë ndahet në tre lloje:

Lloji i parë: Kur kërkon plotësimin e nevojës që ka, si p.sh.: kërkon largimin e sëmundjes së tij ose sëmundjes së kafshës së tij, të shlyej borxhet, të hakmerret ndaj armikut të tij, t’i japë shëndet atij dhe familjes së tij, etj…, prej gjërave të cilat nuk mund t’i plotësojë askush tjetër përveç Allahut të Madhëruar. Ky veprim i tij është shirk i qartë dhe kërkohet prej tij që të pendohet. Nëse pendohet, mirë; nëse nuk pendohet, vritet.

Nëse ai thotë se i drejtohem atij për ndihmë për arsye se ai është më afër se unë tek Allahu dhe që ai të ndërmjetësojë për mua në këto gjëra, dhe se unë me anë të tij ndërmjetësohem tek Allahu ashtu sikurse ndërmjetësohet tek mbreti me njerëzit e tij të veçantë dhe këshilltarët e tij; ky veprim i tij është si veprat e mushrikëve (idhujtarëve) dhe të krishterëve, sepse ata i pretendojnë (i marrin) rabinët dhe murgjit e tyre si ndërmjetës për të ndërmjetësuar për kërkesat e tyre. Na ka njoftuar Allahu për gjendjen e mushrikëve se ata thonë:

“Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër vetëm që të na afrojnë sa më afër Allahut.” [ez-Zumer: 3]

Përsëri Allahu i Lartësuar thotë:

“A kanë marrë të tjerë si ndërmjetësues në vend të Allahut? Thuaju: Edhe sikur ata të mos kenë fuqi mbi asgjë dhe të mos mendojnë?Thuaju: Allahut i takon i gjithë ndërmjetësimi. Atij i përket mbizotërimi i qiejve dhe i tokës. Pastaj tek Ai do të ktheheni.” [ez-Zumer: 43-44]

Allahu i Lartësuar thotë:

“Ju (o njerëz) nuk keni askënd tjetër përveç Atij si mbrojtës e ndihmues dhe as ndërmjetësues. A nuk do të përkujtoni pra?”

Përsëri Allahu thotë:

“E kush është ai që mund të ndërmjetësojë tek ai përveçse me lejen e tij” [el-Bekare: 255]

Pra, Ai e sqaroi dallimin midis Tij dhe krijesave të tij Është prej traditës së njerëzve që kur duan të hyjnë tek ndonjë prej të mëdhenjve të tyre gjejnë një person që ka pozitë tek ai. Më pas ndërmjetësuesi kërkon prej tij dhe ai ia kryen nevojën atij nga dëshira ose nga frika, ose nga turpi, ose nga dashuria që ka për të, dhe ose për shkaqe të tjera. Ndërsa tek Allahu i i Madhëruar nuk hyn asnjë për ndërmjetësim derisa Ai t’i japë leje ndërmjetësuesit, pra nuk veprohet asgjë përveç asaj që Ai do. Ndërhyrja e ndërmjetësuesit është me lejen e Tij dhe si rrjedhojë e gjithë çështja i takon vetëm Atij. Prandaj pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) thotë në hadithin që transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejre – Allahu qoftë i kënaqur prej tij-:”Të mos thotë ndonjëri prej jush: O Allah! Më fal mua nëse do! O Allah! Më mëshiro mua nëse do! Por të kërkojë me zell dhe me siguri (duke besuar bindshëm se do t’i pranohet kërkesa), sepse Allahun nuk mund ta detyrojë askush.”

Këtu sqaroi se Allahu i i Madhëruar vepron çfarë të dojë dhe nuk mund ta detyrojë Atë askush në atë çka Ai e zgjodhi, ashtu siç mund të detyrojë ndërmjetësuesi dikë dhe ashtu siç detyron kërkuesi dikë, pasiqë i kërkon diçka me ngulm dhe duke e zënë ngusht me kërkesën e tij Pra, të gjitha dëshirat dhe qëllimet duhet t’i drejtohen Allahut, siç thotë i Madhëruari:

“Kështu që kur të kesh mbaruar (punën, detyrën tënde) ngrihu dhe qëndro në adhurim të Allahut (duke kryer falje). Dhe (vetëm) tek Zoti yt ktheji (të gjitha qëllimet, shpresat dhe) lutjet.” [esh-Sherh: 7-8]

Po ashtu duhet t’i frikësohet vetëm Allahut. Allahu i i Madhëruar thotë:

“Dhe vetëm Mua m’u frikësoni.” [el-Bekare: 40]

Allahu i Lartëmadhëruar thotë:

“Mos iu frikësoni njerëzve por m’u frikësoni vetëm Mua.”

Allahu na ka urdhëruar që të bëjmë salavat për pejgamberin (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) gjatë lutjes, madje e ka bërë këtë gjë prej shkaqeve të pranimit të lutjes sonë. Shumë prej njerëzve të humbur thonë: Kjo që unë po bëj është më afër tek Allahu sikur ta bëj vetë, sepse unë jam larg prej Allahut dhe nuk mund ta lus Atë vetëm se nëpërmjet këtij ndërmjetësuesi. Gjithashtu edhe thënie të tjera të ngjashme që i përdorin mushrikët. Allahu i Madhëruar thotë:

“Dhe kur robërit e Mi të pyesin ty (o Muhamed) për Mua, atëherë (përgjigju atyre): Vërtet Unë jam pranë tyre (me dijen Time). Unë u përgjigjem du’ave (lutjeve) të lutësit kur ai më drejtohet Mua me lutje (pa ndërmjetësues apo ndërlidhës).” [el-Bekare: 186]

Është transmetuar se sahabët – Allahu qoftë i kënaqur me ta – thanë: O i dërguari i Allahut! Zoti ynë është afër që ta lutim me zë të ulët apo është larg që ta thërrasim? Atëherë, Allahu zbriti ajetin që përmendëm më lart. Në Sahihun e Imam Buhariut tregohet se ata ishin në udhëtim dhe i ngrinin zërat duke bërë tekbir (duke thënë: Allahu Ekber, Allahu është më i madhi). Pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) tha:”O njerëz! Tregohuni të butë me vetet tuaja (duke mos e ngritur zërin gjatë lutjes), sepse ju nuk po lutni një të shurdhër dhe as një që mungon, por po lutni një Dëgjues që është i Afërt. Ai që po e lutni ju është më afër tek ndonjëri prej jush sesa qafa e kafshës së cilës i ka hipur.”

Allahu i i Madhëruar i ka urdhëruar të gjithë robërit që të falen vetëm për Të dhe të lutin vetëm Atë duke e urdhëruar secilin prej tyre të thotë:

“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm Ty të mbështetemi e të kërkojmë ndihmë (kudo, në çdo kohë dhe për çdo gjë).” [el-Fatiha: 5]

Kurse në anën tjetër ka njoftuar se mushrikët thonë:

“Ne nuk i adhurojmë ato për gjë tjetër përveçse që ata të mund të na afrojnë tek Allahu.” [ez-Zumer: 3]

Pastaj i thuhet këtij mushriku: Ti kur e lute këtë, nëse mendoje se ai është më i dijshëm për gjendjen tënde dhe kishte më tepër mundësi për të plotësuar kërkesën tënde dhe ishte me i mëshirshëm me ty, atëherë kjo që ti bëre është injorancë, humbje dhe mosbesim. Nëse ti e di se Allahu është më i dijshëm, ka më tepër mundësi se çdokush dhe është më i mëshirshëm, atëherë pse kërkove prej dikujt tjetër dhe nuk kërkove prej Tij? A nuk dëgjon çfarë ka transmetuar Buhariu dhe të tjerët bashkë me të nga Xhabir (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ka thënë:”I Dërguari i Allahut (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) na mësonte istiharen (namaz dhe lutje që e kryen dikush që ka diçka në mëdyshje) ashtu sikur na mësonte ndonjë sure prej Kura’nit dhe thoshte: Nëse dikush nga ju dëshiron të bëjë diçka, le të falë dy rekate që nuk kanë lidhje me farzet e më pas të thotë:

“O Allah! Unë të lutem që me diturinë Tënde (të pakufishme) të më drejtosh tek ajo është më e mirë për mua! (O Allah) Më ndihmo me fuqinë Tënde! Unë të kërkoj Ty prej mirësisë Tënde të madhe, sepse Ti je i Plotfuqishmi e unë jam i pafuqishëm. Ti di gjithçka e unë nuk di asgjë. Ti je i Dituri mbi çdo të fshehtë. O Allah, në qoftë se ajo për të cilën po lutem është për të mirën e fesë time dhe të jetës time, në qoftë se ajo është për një përfundim të mirë të çështjeve të mia tani e në të ardhmen ma bëj të mundur dhe ma lehtëso kryerjen e saj e më pas më jep begati prej saj. E në qoftë se ajo për të cilën po lutem është për të keqen e fesë sime dhe të jetës sime e për një përfundim të keq të veprave të mia tani e në të ardhmen, largoje atë nga unë e më largo mua nga ajo dhe bëj të mundur që të më mbulojnë mirësitë e Tua kudo që të jem, e më pas më bëj që të kënaqem me të (paracaktimin Tënd), dhe thotë nevojën e tij”

Allahu i i Madhëruar e urdhëroi robin që të thotë:”Unë të lutem që me diturinë Tënde (të pakufishme) të më drejtosh tek ajo e cila është më e mirë për mua. (O Allah) Më ndihmo me fuqinë tënde. Unë të kërkoj Ty prej mirësisë Tënde të madhe.”

Nëse ti e di se ai është më afër tek Allahu dhe në gradë më të lartë tek Allahu sesa ti, atëherë kjo është e vërtetë. Porse është një fjalë e vërtetë që me të kërkohet të mbrohet e kota, sepse nëse ai është më afër se ti dhe në gradë më të larta se ti, kjo do të thotë se Ai e shpërblen atë dhe i jep atij më tepër se ty. Pra, nuk është kuptimi që kur e lut ti atë, atëherë Allahu do të ta plotësojë nevojën tënde më tepër se do të ta plotësojë nëse ti e lut vetë Allahun e Lartësuar. Nëse ti p.sh.: e meriton dënimin dhe mospranimin e lutjes për shkak se në të ekziston kalim kufijsh, atëherë pejgamberi dhe njeriu i mirë nuk ndihmon dikë në atë që e urren Allahu dhe nuk e merr mundimin të të ndihmojë në atë prej së cilës zemërohet Allahu. Nëse nuk është ashtu, atëherë Allahu është më parësor për ta mëshiruar dhe për t’ia pranuar lutjen.

Kërkimi i lutjes prej dikujt, qoftë i gjallë apo i vdekur.

Nëse ti mendon: Kur ky e lut Allahun, Ai ia pranon lutjen atij më tepër sesa do ta pranonte nëse do ta lutja unë. Pra ky është lloji i dytë: Që të mos kërkosh diçka prej tij dhe të mos e lutësh, porse të kërkosh prej tij që ai të lutet për ty. Kjo është njëlloj sikur i thua një njeriu që jeton: Lutu (bëj dua) për mua! Ashtu sikurse sahabët – Allahu qoftë i kënaqur me ta – kërkonin prej pejgamberit (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) që të bënte dua për ta. Kjo mënyrë, përsa i përket njeriut që jeton, është në përputhje me sheriatin siç e përmendëm edhe më lartë. Kurse përsa i përket të vdekurit, qoftë prej pejgamberëve, njerëzve të mirë, etj.. nuk na lejohet të themi: Bëj dua për ne! Dhe as të themi: Kërkoji Zotit tënd për ne! Këtë gjë nuk e ka bërë asnjë prej sahabëve dhe tabinëve, nuk ka urdhëruar për të ndonjë nga imamët dhe nuk ka ardhur asnjë hadith që të argumentojë për të. Madje ajo që ka ardhur në Sahih (të imam Buhariut) është se kur ata i goditi thatësira në kohën e Umerit- Allahu qoftë i kënaqur prej tij – atëherë ai kërkoi shi me anë të Ibn Abasit dhe tha:”O Allah! Ne kur na godiste thatësira ndërmjetësoheshim tek Ti me anë të pejgamberit tonë dhe Ti na dërgoje shiun. Ndërsa ne tani po ndërmjetësohemi tek Ty me anë të xhaxhait të Pejgamberit tonë, pra na dërgo shi!” E më pas zbriste shiu.

Ata nuk shkuan tek varri i Pejgamberit (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) dhe të thoshin: O i Dërguari i Allahut! Lute Allahun për ne! Kërko shi për ne! Ne ankohemi tek ti për atë që na ka goditur e të tjera shprehje si këto. Këtë lloj veprimi nuk e ka bërë asnjë prej sahabëve, madje ai është bidat dhe Allahu nuk ka dhënë asnjë të drejtë e asnjë provë për të. Madje (sahabët) kur vinin tek varri i pejgamberit (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) e përshëndesnin atë dhe nëse donin të bënin du’a nuk bënin du’a në drejtim të varrit por mënjanoheshin nga drejtimi i varrit duke u drejtuar nga Kibla dhe lusnin vetëm Allahun, Një, duke mos i shoqëruar Atij asnjë, siç e lusnin Atë në çdo vend. Në veprën “el-Muatta” (të Imam Malikut) si dhe në vepra të tjera (të cilat kanë transmetuar hadithe me zinxhirë burrash) tregohet se pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) thotë:”O Allah! Mos e bëj varrin tim idhull që të adhurohet! Është e madhe inatosja e Allahut ndaj një populli që i bën varret e pejgamberëve të tyre xhami.”

Në sunen (të Ebi Daudit) transmetohet se Pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë:”Mos e bëni varrin tim vend vizite (vend grumbullimi), bëni salavat për mua kudo që të jeni, sepse salavati juaj mbërrin tek unë.”

Në dy Sahihët (Buhariut dhe Muslimit) tregohet se pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë në kohën që ishte sëmurë prej së cilës sëmundje nuk u çua më:”Allahu i ka mallkuar çifutët dhe të krishterët të cilët i bënë varret e pejgamberëve të tyre xhami.”

Në këtë hadith pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) tërheq vëmendjen që të ruhet ummeti (populli) i tij prej veprës së tyre. Ka thënë Aishja – Allahu qoftë i kënaqur prej saj dhe prej prindërve të saj – :”Sikur të mos ishte kjo gjë, atëherë do të shfaqej varri i tij, por ai nuk deshi dhe e urreu që të bëhej xhami.” Në Sahihun e Imam Muslimit është transmetuar se pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë pesë ditë para se të ndërronte jetë:”Ata që ishin para jush i bënin varret xhami. Kini kujdes! Mos i bëni varret xhami, sepse unë ju ndaloj për këtë gjë.”

Në Sunen të Ebu Daudit transmetohet se pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë:”I mallkoftë Allahu ata që i vizitojnë shpesh varret dhe ata që bëjnë mbi to xhami dhe ata që vendosin mbi to kandila.”

Andaj dijetarët tanë thonë:”Nuk lejohet ndërtimi i xhamisë mbi varre. Gjithashtu thonë se nuk lejohet të bëhet ndonjë zotim për varrin dhe as për ata që janë pranë varrit, se do të çojë atje dirhem (monedhë argjendi), vaj, qirinj, kafshë etj. Të gjitha këto janë zotime të ndaluara dhe gjynah. Në Sahih (të imam Buhariut) është vërtetuar se pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë:”Kush zotohet se do t’i bindet Allahut, le ti bindet dhe kush zotohet se do të kundërshtoj Allahun, të mos e kundërshtojë Atë.”

Dijetarët kanë rënë në mosmarrëveshje në çështjen se a e ka detyrë shpagimin zotuesi apo jo. Ata kanë dy mendime për këtë çështje, por nuk thotë asnjë prej imamëve të selefëve se namazi në varre dhe përmendoret e varreve (vendet e shenjta) është i pëlqyeshëm dhe se ka ndonjë mirësi. Po ashtu asnjë prej tyre nuk thotë se namazi dhe lutja në to është më i mirë se namazi dhe lutja në vendet e tjera. Madje të gjithë kanë rënë në një mendim të përbashkët, unanim, se namazi në xhami dhe shtëpi është më i mirë se namazi në varre – qofshin ato varre të pejgamberëve apo të njerëzve të mirë -, u quajtën vende të shenjta apo jo. Allahu dhe i dërguari i Tij kanë vendosur norma dhe rregulla, të cilat i përkasin vetëm xhamive dhe që nuk i përkasin aspak vendeve të shenjta. Allahu i Lartëmadhëruar thotë:

“Dhe kush është më i padrejtë se ata që ndalojnë nga përmendja sa më shumë e emrit të Allahut (në falje, dua, etj.) në xhamitë e Allahut, madje që edhe luftojnë për shkatërrimin e tyre.” [el-Bekare: 114]

Allahu i i Madhëruar në këtë ajet nuk i përmendi vendet e shenjta. Përsëri thotë i Lartësuari:

“Dhe mos iu afoni atyre (grave) kur ju jeni në itikaf në xhami.” [el-Bekare: 187]

Në këtë ajet nuk përmendi vendet e shenjta.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Thuaj: Zoti im më ka urdhëruar drejtësi dhe se duhet t’i drejtoheni vetëm Atij në çdo xhami (që të jeni duke u falur).” [el-A’raf: 29]

“Xhamitë e Allahut do të mirëmbahen vetëm nga ata që besojnë Allahun dhe ditën e Fundit, që kryejnë rregullisht faljen (e përcaktuar ditore), që japin zekatin dhe që kanë frikë vetëm Allahun. Këta janë ata në udhëzim të vërtetë.” [et-Teube: 18]

“Dhe vërtetë që xhamitë janë për Allahun (të Vetëm), kështu që mos lutni asnjë tjetër bashkë me Allahun.” [el-Xhin: 18]

Pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) thotë:”Namazi i burrit në xhami është më i mirë sesa namazi i tij në shtëpinë apo në tregun e tij me njëzet e pesë herë.” [Trans. Buhariu]

Gjithashtu pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë:”Kush e ndërton një xhami për Allahun, Allahu i ndërton atij një shtëpi në xhenet.” [Trans. Buhariu dhe Muslimi]

Përsa i përket varreve ka ardhur ndalim prej pejgamberit (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij), në të cilin ka ndaluar bërjen e varreve xhami, madje ai e ka mallkuar atë që e bënë këtë. Këtë gjë e kanë përmendur shumë prej sahabëve dhe tabi’inëve, siç e ka përmendur edhe Buhariu në Sahihun e tij, Taberaniu e të tjerë në tefsirët e tyre. Gjithashtu e ka përmendur edhe Uthejmete e të tjerë në “Kisasul Enbija” (Historia e Pejgamberëve), tek fjala e Allahut:

“Dhe kanë thënë: Ju nuk do t’i bëni zotat tuaj dhe nuk do t’i lini as Uuddin, as Suuaan, as Jaguthin, as Jaukan dhe as Nesran (emra të idhujve të tyre).” [Nuh: 23]

Ata thonë: Këto emra ishin të disa njerëzve të mirë e të devotshëm nga populli i Nuhut. Pas vdekjes së tyre njerëzit qëndruan në varret e tyre. Pastaj pas një kohe të gjatë ata i bënë përmendoret e tyre idhuj dhe qëndronin tek varret duke u fërkuar, duke i puthur e duke u lutur në to dhe veprime të ngjashme me këto. Nuk ka dyshim që kjo është origjina e shirkut dhe i adhurimit të idhujve. Prandaj pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) tha:”O Allah, mos e bëj varrin tim idhull që të adhurohet.” Dijetarët janë të gjithë të një mendim se kush viziton varrin e pejgamberit (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) ose varrin e dikujt nga pejgamberët, njerëzve të mirë, sahabëve dhe anëtarëve të familjes (së pejgamberit (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij)) ose të tjerë, nuk i lejohet vizitorit që ta prekë varrin dhe as ta puthi atë. Madje në të gjithë botën nuk ekziston ndonjë send që është mirë të puthet përveç gurit të zi (në Ka’be). Është vërtetuar në dy Sahihët (Buhari dhe Muslim) se Umeri – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – ka thënë:”Pasha Allahun! Unë vërtet e di që ti je një gur që nuk të bën dobi dhe as dëm dhe sikur unë të mos e kisha parë të dërguarin e Allahut (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) duke të puthur, nuk do të të puthja.”

Ndaj, nuk është e pëlqyeshme që dikush të prekë apo të puthë dy shtyllat e shtëpisë (Ka’bes) të cilat janë në krah të gurit të zi, as muret e saj (Ka’bes), as vendin e Ibrahimit, as shkëmbin e Kudsit (që ndodhet në Palestinë), as varrin e ndonjë pejgamberi ose të njerëzve të mirë e të devotshëm. Ky është mendimi i përgjithshëm i dijetarëve dhe ata kanë rënë dakord për këtë. Derisa fukahatë (kuptuesit e fesë) kanë rënë në mosmarrëveshje në çështjen e vendosjes së dorës në minberin e zotërisë sonë, të dërguarit të Allahut (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) kur ai ekzistonte dhe nuk ishte prishur. Imam Malik dhe disa të tjerë e kanë urryer këtë sepse është bidat (risi), saqë thuhet se imam Malik kur e pa Ata’en që të bënte një gjë të tillë nuk mori më dituri prej tij Ndërsa imam Ahmedi dhe disa të tjerë e kanë lejuar këtë veprim, sepse e ka vepruar i biri i Umerit – Allahu qoftë i kënaqur me të dy. Përsa i përket fërkimit të varrit të pejgamberit (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) dhe puthjes së tij, që të gjithë ata e kanë urryer këtë dhe e kanë ndaluar, sepse ata e kuptuan atë që kishte për qëllim pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) në lidhje me ndërprerjen përfundimtare të shirkut dhe vërtetimin e Teuhidit dhe përkushtimin e fesë vetëm për Allahun, Zotin e Botëve.

Këtu duket dallimi midis kërkimit prej pejgamberit (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) dhe prej një njeriu të mirë në kohën që ai është gjallë dhe kërkimit prej tij pas vdekjes së tij dhe në mosprezencën e tij Kjo ndodh se atë nuk mund ta adhurojë askush në prezencën e tij Pra, vetë pëjgamberët – paqja e Allahut qoftë mbi ta – dhe njerëzit e mirë e të devotshëm kur janë gjallë, nuk lejojnë askënd që të bëjë shirk me anë të tyre, madje e ndalojnë rreptësisht këtë gjë dhe i ndëshkojnë për këtë. Për këtë Isai – paqja e Allahut qoftë mbi të – tha:

“Kurrë nuk u kam thënë ndonjë gjë përveç asaj që Ti më urdhërove të them: Adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj. Dhe unë isha dëshmitar për ta kur unë isha dhe u mora me ta, por kur Ti më more (dhe më ngrite lart) Ti ishe Vëzhgues mbi ta dhe ti je Dëshmues për çdo gjë.” [el-Maide: 117]

Një burrë i tha pejgamberit (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij):”Çfarë dëshiron Allahu dhe ti.” Atëherë pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) tha:”A më bëre mua të barabartë me Allahun!? Thuaj:”Çfarë dëshiron Allahu vetëm!”

Përsëri pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë:”Mos thoni çfarë dëshiron Allahu dhe Muhamedi, por thoni: çfarë dëshiron Allahu pastaj Muhamedi.”

Po ashtu kur Xhuejrija tha:”Midis nesh është i dërguari i Allahut i cili e di se çdo të ndodhë nesër, e ai i tha: Lëre këtë dhe thuaj atë që thoje më parë.” [trans. Buhari] dhe pastaj tha:”Mos e teproni në lavdërimin tim ashtu sikurse tepruan të krishterët në lavdërimin e birit të Merjemes. Unë padyshim që jam rob, pra thoni: Robi i Allahut dhe i dërguari i tij.”

Njëherë kur u rreshtuan në rresht pas tij (pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij)) të ngritur në këmbë u tha:”Mos më madhëroni mua ashtu sikurse adhurojnë të huajt njëri-tjetrin.”

Enesi ka thënë:”Ata (sahabët) nuk donin ndonjë gjë më shumë sesa pejgamberin (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij), megjithatë kur e shikonin nuk çoheshin në këmbë për të, sepse e dinin se ai e urrente këtë gjë.”

Gjithashtu kur Muadhi bëri sexhde për të e ndaloi duke i thënë:”Nuk lejohet të bëhet sexhde për asnjë tjetër përveç Allahut. Nëse do të urdhëroja dikë që t’i bënte sexhde dikujt, do të urdhëroja gruan t’i bënte sexhde burrit të saj, për shkak të drejtës së madhe që ka ai ndaj saj.”

Kur i sollën tek Aliu heretikët, të cilët i kaluan kufijtë (duke e tepruar) në madhërimin e Aliut dhe besuan se ai ishte zot, ai (Aliu) urdhëroi që ata të digjen me zjarr.

Ky pra është karakteri i pejgamberëve dhe eulijave. Dhe kush e admiron faktin që njerëzit ta teprojnë në madhërimin e tij pa të drejtë, ai është prej atyre që dëshirojnë arrogancë dhe shkatërrim në tokë, ashtu si Faraoni dhe të ngjashëm me të. Këtu hyjnë edhe shehlerët e humbjes, qëllimi i të cilëve është arroganca në tokë dhe shkatërrimi, sprovimi me anë të pejgamberëve dhe njerëzve të mirë e të devotshëm, marrja e tyre për zota, bërja e shirkut me anë të tyre duke e bërë këtë pas vdekjes së tyre dhe në kohën që ata nuk janë të pranishëm, ashtu siç është bërë shirk me Uzejrin dhe Mesinë. Pra, këtu duket qartë edhe dallimi midis kërkimit prej pejgamberit (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) dhe prej njeriut të mirë e të devotshëm në kohën kur ai është gjallë dhe prezent dhe kërkimit prej tij pas vdekjes së tij e në mospraninë e tij. Asnjë prej gjeneratave të para të këtij populli në kohën e sahabëve, as tabi’inët dhe as ata që ishin një brez pas tabi’inëve nuk e kryenin namazin dhe du’anë në varret e pejgamberëve dhe nuk kërkonin prej tyre. Nuk kërkonin ndihmë prej tyre në mosprezencën e tyre dhe as në varret e tyre dhe nuk qëndronin në to me qëllim adhurimi. Prej shirkut më të madh është që njeriu të kërkojë ndihmë nga i vdekuri apo nga ai që nuk është i pranishëm. Siç përmendi pyetësi se ai kërkon ndihmë prej tij kur ka fatkeqësi dhe thotë: O zotëria im, filani! Njësoj sikur kërkon prej tij largimin e dëmit apo sjelljen e një dobie. Ky është edhe realiteti i të krishterëve në lidhje me Mesinë dhe nënën e tij, rabinëve dhe murgjëve të tyre. Siç dihet krijesa më e mirë dhe më e ndershme tek Allahu është pejgamberi ynë, Muhamedi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi tëdhe familjen e tij), dhe njerëzit që e dinë më së miri vlerën dhe të drejtën e tij janë sahabët. Shokët e tij, Sahabët, nuk e vepronin një gjë të tillë as në mosprezencën e tij dhe as pas vdekjes së tij. Mushrikët (idhujtarët) i atribuojnë shirkut gënjeshtrën, sepse gënjeshtra është e shoqëruar ngushtë me shirkun. Allahu i Lartësuar thotë:

“Kështu pra, braktisni adhurimin e pështirë të idhujve, braktisni edhe fjalën e rreme. Jini hunafa LIL-LAH (për të adhuruar vetëm Allahun) duke mos i vënë Atij shok në adhurim. Dhe kushdo që i emëron shok (të barabartë) Allahut, kjo është sikur ai të kishte rënë nga qielli dhe ta kishin kapur zogjtë.” [el-Haxh: 30-31]

Pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) thotë:”Dëshmia e rreme është barazuar me shirkun që i bëhet Allahut.” Dhe e përsëriti këtë fjalë dy ose tre herë.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Padyshim se ata të cilët morën viçin për ta adhuruar, zemërimi i Zotit të tyre dhe poshtërimi i Tij do t’i mbulojë ata në jetën e kësaj bote. Kështu i shpërblejmë Ne ata që shpifin dhe trillojnë.” [el-A’raf: 152]

Ibrahimi (miku i afërt i Allahut) – paqa e Allahut qoftë mbi të – ka thënë:

“A është mashtrimi – të adhuruar të tjerë të rremë në vend të Allahut që ju dëshironi? Po ç’mendoni atëherë për Zotin e botëve?” [es-Safat: 86-87]

Prej gënjeshtrave të tyre është se ndonjë prej tyre thotë në lidhje me shehun e vet: Nëse muridi (ithtari i shehut) ndodhet në perëndim dhe shehu i tij në lindje, largohet pengesa që ndodhet midis tyre dhe ai i përgjigjet atij. Madje, nëse shehu nuk është kështu siç u cilësua, atëherë ai nuk është shejh. S’ka dyshim se shejtani i mashtron ata, ashtu siç mashtroi adhuruesit e idhujve. Pra, siç ndodhte më parë me arabët dhe idhujt e tyre, me adhuruesit e yjeve e hajmalive prej shirkut e magjisë. Ashtu siç ndodhte me tatarët, indianët, sudanezët dhe grupe të tjera idhujtare, të cilat u mashtruan prej shejtanëve duke bashkëpunuar me ta. Shumë prej atyre mund t’u ndodhë një prej atyre llojeve, veçanërisht kur dëgjojnë fërshëllimë apo përplasje duarsh, shejtanët ndoshta zbresin mbi ta e ndonjëri prej tyre goditet sikurse goditet dikush prej epilepsisë e më pas ndiqet me një zë si zëri i devesë, duke qenë si shkumëngari dhe dëgjohet prej tij një ulërimë e bezdisshme. Gjithashtu ai flet gjëra që nuk i kupton as vetë e as të pranishmit. Po ashtu dhe shembuj të tjerë si këta që u përmendën, ku mund të bien këta njerëz të humbur.

Ndërmjetësimi me pozitën dhe shenjtërinë e dikujt

Pjesa e tretë tregon për ata që thonë: O Allah! Të drejtohem Ty me pozitën që ka filani tek Ty, ose me bereqetin e filanit, ose me shenjtërinë që ka filani tek Ty, më bëj mua këtë dhe këtë. Kjo është diçka që e veprojnë shumë njerëz, por një gjë e tillë nuk ka ardhur prej asnjërit nga sahabët, tabi’inët apo prej ndonjërit nga të parët e këtij populli, që të jenë lutur me një du’a si kjo që përmendëm më lart. Mua nuk më është transmetuar nga ndonjë dijetar diçka rreth kësaj që ta tregoj, përveçse atë që kam tek fetuatë e fekihut Ebu Muhamed bin Abdis-Selam. Ai ka thënë: Nuk i lejohet askujt ta bëjë një gjë të tillë, përveçse me Pejgamberin (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij), për arsye se ka ardhur argument në lidhje me Pejgamberin (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij). Kuptimi i fetuas (përgjigjes së tij në lidhje me këtë çështje): Është transmetuar nga Nesaiu, Tirmidhiu dhe të tjerë se Pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) i ka mësuar disa nga shokët e tij që të luten duke thënë:”O Allah! Unë të lutem dhe ndërmjetsohem tek Ty me anë të Pejgamberit tënd, Pejgamberit të mëshirës. O Muhamed! O i dërguar i Allahut! Unë ndërmjetësohem me ty tek Zoti im për nevojën që kam për të ma plotësuar atë. O Allah! Bëje atë të ndërmjetësojë për mua.”

Me këtë hadith disa kanë argumentuar duke thënë se lejohet ndërmjetësimi me Pejgamberin (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) gjatë jetës dhe mbas vdekjes së tij. Ata thonë se nuk gjendet tek ndërmjetësimi lutja e krijesave dhe as kërkimi i ndihmës nga krijesa, por kjo është thjesht lutje dhe kërkimi i ndihmës prej Allahut, porse bën pjesë në të kërkimi me anë të pozitës së tij, siç ka ardhur në Sunen të Ibn Maxhes se Pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë në lutjen e atij që del për lutjen e namazit të thotë:”O Allah! Unë të lutem Ty me të drejtën që kanë kërkuesit ndaj Teje dhe me drejtën e kësaj ecjeje, sepse unë nuk kam dalë mosmirënjohës e as arrogant, as për sy e faqe e as për t’u bërë i njohur. Unë kam dalë se i frikësohem inatosjes Tënde dhe se dëshiroj kënaqësinë Tënde. Kërkoj që të më shpëtosh prej zjarrit dhe të më falësh gjynahet, sepse askush nuk i fal gjynahet përveç Teje.”

Në këtë hadith thonë se ai kërkoi me të drejtën që kanë kërkuesit ndaj Tij dhe me të drejtën e ecjes së tij për në namaz. Kjo është një e drejtë të cilën Allahu ia ka ngarkuar Vetes së tij Allahu i Lartësuar thotë:

“Ndërsa për besimtarët ishte detyrë për Ne që ti ndihmonim.” [er-Rum: 47]

Gjithashtu thotë Allahu i Lartësuar:

“Është një premtim që është mbi Zotin tënd, i cili duhet të përmbushet.” [el-Furkan: 16]

Kurse në dy Sahihët është transmetuar nga Muadh bin Xhebeli se pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) i ka thënë:”O Muadh! A e di ti se cila është e drejta e Allahut ndaj robërve? Ai tha: Allahu dhe i dërguari Tij janë më të ditur. Tha:”E drejta e Allahut ndaj robërve është që ta adhurojnë Atë e të mos i shoqërojnë Atij asgjë. A e di ti se çfarë të drejte kanë robërit ndaj Allahut në qoftë se e bëjnë këtë? E drejta e tyre ndaj Tij është që të mos i dënojë ata.” Dhe është transmetuar në më shumë se një hadith shprehja:”Është detyrë për Allahun kjo dhe kjo.” Sikurse fjala e Tij:”Nuk i pranohet namazi atij që pi raki për dyzet ditë. Në qoftë se pendohet, e pranon Allahu pendimin e tij, por në qoftë se e përsërit për herë të tretë e të katërt, atëherë është detyrë për Allahun që t’i japë të pijë nga tineti khibal. U pyet: E çfarë është tinetu khibal? Tha: është pija e banorve të zjarrit.”

Një grup dijetarësh thonë:”Në këtë hadith që u përmend nuk ekziston lejimi i ndërmjetësimit me anë të tij (pejgamberit (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij)) mbas vdekjes së tij dhe kur ai nuk është present, por në të gjendet ndërmjetësimi gjatë jetës së tij dhe kur ai ishte present.”

Është transmetuar në Sahihun e Buhariut se Umer bin Khatab – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – i kërkoi Abasit që t’i lutej Allahut për zbritjen e shiut dhe tha:”O Zoti ynë! Kur na godiste thatësirë ndërmjtësoheshim tek Ty me të Dërguarin tonë dhe na e zbrisje shiun, kurse tani po ndërmjetësohemi tek Ty me xhaxhain e Pejgamberit, kështu që na zbrit shi, dhe shiu zbritte. Pra, qartësoi Umer bin Khatabi – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – se ndërmjetësoheshin me anë të pejgamberit (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) gjatë jetës së tij dhe shiu u zbritte.

Ndërmjetësimi i tyre me anë të tij ishte se ata i kërkonin atij (pejgamberit (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij)) që të luste Allahun për ta dhe ai lutej. Gjithashtu ata luteshin bashkë me të dhe arrinin atë që donin me anë të ndërmjetësimit dhe lutjes së tij, siç ka ardhur në Sahih nga Enes Ibn Malik – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – transmetohet se një burrë hyri në xhami ditën e xhuma prej një dere që ishte afër “Darul Kadaë,” ndërkohë që i dërguari i Allahut (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) ishte në këmbë duke mbajtur hutbe (ligjëratë). Ai u drejtua nga i dërguari i Allahut siç ishte në këmbë dhe tha:”O i dërguari i Allahut! Pasuritë u shkatërruan dhe rrugët janë bllokuar, prandaj lute Allahun që ta ndalojë atë prej nesh. Atëherë, i dërguari i Allahut (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi tëdhe familjen e tij) ngriti duart dhe tha: Zoti ynë! Zbrite shiun përreth nesh e jo mbi ne. Zoti ynë! Zbrite nëpër male, kodrina, lugina dhe nëpër pemë e bimë. Më pas tha: Ai (shiu) u ndërpre dhe ne dolëm duke ecur në diell.” Në këtë hadith tha: Lute Allahun për ne që ta ndërpresë shiun prej nesh. Po ashtu është transmetuar në Sahihun e Buhariut se Abdullah Ibn Umeri tha: Mua më kujtohet që Ebu Talibi thoshte për të dërguarin e Allahut (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij):

“Me anë të fytyrës së tij kërkohej shiu prej resë, vendkthimi dhe ndihmëtari i jetimëve. Ai që i ndalon vejushat e varfëra nga ajo çka i dëmton.” (Trasmenton Buhariu)

Pra, ky ishte ndërmjetësimi i tyre me atë (pejgamberin) qoftë në kërkimin e shiut apo diçka tjetër. Kur ai vdiq, u ndërmjetësuan me anë të Abasit – Allahu qoftë i kënaqur prej tij,- ashtu siç ndërmjetësoheshin dhe kërkonin shiun me anë të tij. Ata nuk kërkuan shiun me anë të tij mbas vdekjes së tij, as në mosprezencën e tij, as tek varri i tij e as tek varri i ndonjë tjetri. Po kështu veproi Muauije Ibn Ebu Sufjan – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – i cili kërkoi shi me anë të Jezid ibn Es’ued el-Xhureshij2 duke thënë: O Zoti ynë! Ne po ndërmjetësohemi tek Ty me më të mirin prej nesh! O Jezid, ngriji duart tek Allahu (për të bërë lutje)! Ndërkohë ai ngriti duart, u lut dhe zbriti shiu.

Për shkak të kësaj, dijetarët thonë se është e pëlqyeshme që të kërkohet shiu me anë të njerëzve të mirë e të drejtë. Dhe nëse ata që do të kërkojnë shiun do të jenë prej familjes së të dërguarit të Allahut (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) është më mirë. Asnjë prej dijetarëve nuk ka thënë se është prej fesë ndërmjetësimi dhe kërkimi i shiut me anë të pejgamberit dhe njeriut të mirë pas vdekjes së tij e në mosprezencën e tij. Gjithashtu, ata nuk e kanë bërë të pëlqyeshme një gjë të tillë në kërkimin e shiut, as në kërkimin e ndihmës e as në lutjet e tjera. “Lutja është truri i adhurimit.” Adhurimi është i bazuar në sunet e pasim dhe jo mbi teka e risi. Allahu duhet të adhurohet me atë çka vendosur si fe dhe nuk duhet të adhurohet me teka dhe risi.

——————————————————————————–
2. Sahab i cili erdhi e u vendos në Sham dhe jetoi në fshatin Zebedin në Guta. Ibn Asakir tek “Hisoria e Damaskut” thotë:”Jam informuar se Jezid ibn el-Esuedi pasi falte namazin e jacisë në xhaminë e Damaskut, dilte për të shkuar në Zebedin dhe gishti i madh i tij i ndriçonte. Me dritën e tij ecte derisa arrinte në Zebedin. Për shkak të mirësisë së tij, Muauija i kërkonte të bënte du’a për të rënë shi.

——————————————————————————–

Allahu i Lartëmadhëruar thotë:

“Apo kanë ata shokë e të barabartë me Allahun (Zota të rremë të tyre) të cilët kanë themeluar dhe përcaktuar për ta ndonjë fe të cilën nuk e ka urdhëruar e përcaktuar Allahu?” [esh-Shura: 21]

Gjithashtu thotë:

“Lutjuni Zotit tuaj me përulje në veten tuaj. Vërtet Ai nuk i do ata që kalojnë kufinjtë.” [el-A’raf: 55]

Pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë:”Vërtet që ka për të patur njerëz prej këtij populli që i kalojnë kufinjtë në lutje dhe pastërti.”

Gjykimi ndaj atij që kur e godet ndonjë fatkeqësi apo frikë kërkon ndihmë prej shehut të vet

Përsa i përket atij personi që kur e godet ndonjë fatëkeqësi ose frikësohet nga diçka, kërkon ndihmë prej shehut të vet, duke kërkuar që t’ia bëjë të qëndrueshme zemrën prej rrethanës (gjëndjes) që ai ndodhet, gjykimi është se kjo është shirk. Po ashtu kjo është prej riteve të fesë së krishtere, sepse Allahu është Ai që zbret mëshirën dhe largon dëmin. Allahu i Lartëmadhëruar thotë:

“Dhe në qoftë se Allahu të prek me ndonjë lëndim, nuk gjendet dikush tjetër që mund të ta heqi atë përveç Atij, edhe në qoftë se Ai dëshiron ndonjë të mirë, nuk ka kush tjetër që mund ta zmbraps mirësinë e tij” [Junus: 107]

I Lartësuari thotë:

“Atë që Allahu ua dhuron njerëzve nga Mëshira e Tij, nuk ka kush që mund ta pengojë; atë që Ai e ndal, nuk ka kush që mund ta lirojë pas tij” [Fatir: 2]

Gjithashtu thotë:

“Thuaju (O Muhamed):”Më thoni, sikur të binte mbi ju dënimi i Allahut, apo t’ju vijë ora (të cilës i trëmbeni), a do t’i thërrisnit tjetërkujt përveç Allahut? (Përgjigjuni) nëse jeni të drejtë! Patjetër, ju vetëm Atij do t’i thërrisnit dhe Ai po të dojë mund t’jua largojë atë fatkeqësi për të cilën ju i thërrisni Atij. Dhe atë kohë ju harroni çfarëdo shoku që i keni bashkuar në adhurim.” [en-Aam: 40-41]

Në një vend tjetër i Lartësuari thotë:

“Thuaju (O Muhamed):”Thërrisni ata përveç Atij (Allahut) të cilët juve jua merr mendja (për zota si melekët, pejgamberët, kushdo qofshin, Isai, Uzejri, idhuj, etj)! Ata nuk kanë fuqi për ta larguar të keqen prej jush, as për ta kaluar atë prej jush tek ndokush tjetër. Ata të cilëve u thërrasin (si Isai – biri i Merjemes, Uzejri ose ndonjë melek tjetër) vetë duan (për veten e tyre) mënyrë e rrugë të drejtë për hyrje e afrimi tek Zoti i tyre (Allahu). Secili prej tyre do të donte të ishte më i afërti dhe ata (Isai, Uzejri, melekët, etj.) vetë shpresojnë për Mëshirën e Tij dhe kanë frikë ndëshkimin e tij. Vërtet që ndëshkimi i Zotit tënd është për t’u pasur frikë!” [el-Isra: 56-57]

Pra, Allahu i Lartëmadhëruar, sqaroi se ata që luten, qofshin melekë, pejgamberë, etj. nuk posedojnë mundësi për t’ua larguar të keqen atyre dhe as nuk mund ta kalojnë atë prej tyre tek dikush tjetër. Nëse dikush thotë: Unë e lus shehun që ai të jetë si ndërmjetës për mua; atëherë ky veprim është si lutja e të krishterëve për Merjemen, murgjit dhe rabinët. Besimtari shpreson vetëm tek Zoti i tij dhe i frikësohet vetëm Atij, ai e lut vetëm Atë duke ia përkushtuar fenë vetëm Atij. Ndërsa ajo çka meriton shehu i tij, është që të lutet dhe të kërkojë mëshirë për të. Kjo vjen sepse krijesa që ka më shumë pozitë është i dërguari i Allahut (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) dhe shokët e tij janë njerëzit më të ditur për çështjen dhe pozitën e tij. Ata janë njerëzit që i binden më shumë atij, por nuk ka ndodhur që ai të urdhëronte ndonjërin prej tyre që të thoshte kur tmerrohej apo frikësohej: O zotëria im! O i dërguari i Allahut! Ata nuk e bënin një gjë të tillë gjatë jetës së tij dhe as pas vdekjes së tij. Madje ai i urdhëronte që të përmendnin Allahun dhe t’i luteshin vetëm Atij dhe të bënin salatë dhe selam për të (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij). Allahu i Lartëmadhëruar thotë:

“Ata (besimtarët) të cilëve njerëzit (hipokritë) u thanë:”Vërtet populli (pagan) ka grumbulluar kundër jush (një ushtri të madhe), kështu që frikësojuni atyre. Por kjo në të vërtetë vetëm ua shtoi besimin dhe thanë: Na mjafton vetëm Allahu dhe Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve tona.Kështu që ata u kthyen me mirësi dhe begati nga Allahu. Asnjë e keqe nuk i preku, ndoqën kënaqësinë e Allahut dhe Allahu është Zotëruesi dhe Dhuruesi i mirësive të pafund.” [Ali Imran: 173-174]

Në Sahihun e Buhariut transmetohet nga Ibn Abasi – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – se këtë fjalë e ka thënë Ibrahimi – paqja e Allahut qoftë mbi të – kur u hodh në zjarr dhe e tha gjithashtu Muhamedi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) dhe shokët e tij kur njerëzit u thanë atyre: Vërtet populli (pagan) ka grumbulluar kundër jush (një ushtri të madhe).

Në Sahih (të Buhariut) transmetohet se pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) kur kishte ndonjë fatkeqësi thoshte:

“Nuk ka Zot tjetër (që meriton të adhurohet) përveç Allahut Madhështor dhe të Butë. Nuk ka Zot tjetër (që meriton të adhurohet) përveç Allahut Zotit të Arshit të shenjtë. Nuk ka Zot tjetër (që meriton të adhurohet) përveç Allahut Zotit të qiejve dhe të tokës, Zotit të Arshit madhështor.”

Gjithashtu është transmetuar se një lutje të tillë ai (pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij)) ia mësoi njërit prej pjestarëve të familjes së tij. Në Sunen (të Tirmidhiut) transmetohet se pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) kur i vinte ndonjë gjë e papëlqyeshme thoshte:

“O i Përjetshëm (pa fillim dhe pa mbarim)! O Mbajtës i gjithçkaje që ekziston! Me Mëshirën tënde kërkoj ndihmë.”

Po ashtu është transmetuar se Fatimes, vajzës së tij, i mësoi të thotë:

“O i Përjetshëm (pa fillim dhe pa mbarim)! O Mbajtës i gjithçkaje që ekziston! O Nismëtari, Krijues i qiejve dhe i tokës! Nuk ka Zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Teje! Me Mëshirën Tënde kërkoj ndihmë. Më rregullo mua të gjitha çështjet dhe mos më lër të mbështetm tek vetja ime apo tek ndonjë nga krijesat e tua, qoftë dhe për një çast!”

Në Musnedin e Imam Ahmedit dhe Sahihun e Ebu Hatim el-Bustit (Ibn Hibbani) transmetohet nga Ibn Mes’udi – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – se pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: çdo person që e godet ndonjë hidhërim apo shqetësim dhe thotë:

“O Allah! Unë jam robi Yt, biri i robit Tënd dhe biri i robëreshës Tënde. Jeta ime është në dorën Tënde. Vendimtar tek unë është ligji Yt. Gjykimi Yt për mua është më i drejti. Të lutem Ty me çdo emër Tëndin me të cilin ke quajtur veten Tënde, apo që e ke zbritur në Librin tënd, apo që ia ke mësuar dikujt prej krijesave të Tua ose e ke ruajtur në diturinë Tënde të fshehtë: bëje Kur’anin pranverë të zemrës sime, dritë në gjoksin tim, largues të hidhërimit tim dhe largues të dëshpërimit dhe shqetësimit tim.” Allahu ka për t’ia larguar shqetësimin dhe dëshpërimin e ka për t’ia zëvendësuar ato me gëzim. Të pranishmit thanë: O i dërguari i Allahut! A t’i mësojmë këto? Tha:”Ai që i dëgjon këto duhet t’i mësojë.”

Pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) (në një hadith tjetër) i ka thënë popullit të tij:”Vërtet që dielli dhe hëna janë dy argumente prej argumenteve të Allahut! Eklipsi i tyre nuk ndodh për shkak të vdekjes apo jetës së dikujt, por Allahu frikëson me to robërit e tij Kur të shikoni këtë (eklipsin e tyre) kthehuni me nxitim për në namaz, përmendja e Allahut dhe në kërkim të faljes.3

——————————————————————————–
3.Hadithi transmetohet nga Mugire Ibn Shaab dhe e ka nxjerrë Buhariu në sahihun e tij. Shkaku i ardhjes së këtij hadithi është se ditën që vdiq Ibrahimi, djali i pejgamberit (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) ndodhi eklipsi i diellit dhe njerëzit thanë: Ndodhi eklipsi për shkak të vdekjes së Ibrahimit.

——————————————————————————–

Pra, ai (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) kur ndodhi eklipsi, i urdhëroi për namaz, lutje, përmendje të Allahut, lirim nga robëria, sadaka dhe nuk i urdhëroi ata që t’i luten ndonjë krijese, meleku, pejgamberi apo ndonjë tjetri.

Shembuj të tillë ndodhen mjaft në Sunet dhe ai (pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij)) u ka urdhëruar e mësuar muslimanëve në rast frike vetëm atë që i ka urdhëruar Allahu, si lutja e Allahut, përmendja e Tij, kërkimi i faljes, namazi, sadaka etj. Atëherë, si vallë besimtari që beson në Allahun e të dërguarin e Tij, mënjanohet (largohet) nga ajo që ka urdhëruar Allahu dhe i dërguari i Tij dhe vepron një bidat (risi), për të cilin Allahu nuk ka dhënë asnjë të drejtë e asnjë provë, madje ngjason me fenë e paganëve dhe të krishterëve?

Nëse dikush pretendon se i është plotësuar nevoja me anë të gjërave të tilla, apo shehu i tij bëri diçka etj, atëherë i themi se adhuruesve të yjeve, idhujve etj., prej paganëve u ndodhin gjëra të tilla. Kjo është diçka tepër e njohur prej idhujtarëve të mëparshëm e po ashtu edhe prej idhujtarëve të kësaj kohe. Nëse nuk do të ekzistonin këto gjëra, atëherë nuk do të adhuroheshin idhujt dhe gjëra të tjera. Ibrahimi (khelili, mik i afërt tek Allahut) ka thënë:

“Më largo e më ruaj mua dhe bijtë e mi nga adhurimi i idhujve. O Zoti im! Vërtet që ata (idhujt) kanë humbur shumë prej njerëzve.” [Ibrahim: 35-36]

Fillimi i shfaqjes së shirkut

Thuhet se shfaqja e shirkut për herë të parë pas vdekjes së Ibrahimit khalilit, ka qenë prej Amër ibn Luhej el-Khuzaai. Ai është personi të cilin e pa pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) duke iu zvaritur zorrët në zjarr. Ai është i pari që i la devetë të lira në kullotë për zotat e tyre të paqenë duke mos i lënë ato që të përdoreshin për ngarkesë. Gjithashtu ai është i pari që ndërroi fenë e Ibrahimit. Thonë se ai shkoi në Sham dhe aty gjeti disa idhuj në Balka. Ata pretendonin se kishin dobi prej tyre në sjelljen e të mirave dhe largimin e dëmeveve, Fillimi i shfaqjes së shirkut

Thuhet se shfaqja e shirkut për herë të parë pas vdekjes së Ibrahimit khalilit, ka qenë prej Amër ibn Luhej el-Khuzaai. Ai është personi të cilin e pa pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) duke iu zvaritur zorrët në zjarr. Ai është i pari që i la devetë të lira në kullotë për zotat e tyre të paqenë duke mos i lënë ato që të përdoreshin për ngarkesë. Gjithashtu ai është i pari që ndërroi fenë e Ibrahimit. Thonë se ai shkoi në Sham dhe aty gjeti disa idhuj në Balka. Ata pretendonin se kishin dobi prej tyre në sjelljen e të mirave dhe largimin e dëmeve, atëherë i solli idhujt në Mekë dhe i bëri traditë arabëve shirkun dhe adhurimin e idhujve.

Përsa i përket çështjeve, të cilat i ka ndaluar Allahu dhe i dërguari i Tij si: shirku, magjia, vrasja, imoraliteti, dëshmia e rreme, pirja e alkoolit dhe të ndaluarat e tjera, vetja e njeriut mund të ketë përfitim duke iu bazuar asaj që ai e quan dobi ose largim të një dëmi. Nëse nuk mund të ekzistojë një gjë e tillë, njerëzit nuk do t’i vepronin të ndaluarat të cilat nuk kanë aspak mirësi. Ajo që i shtyn njerëzit tek e ndaluara është injoranca ose nevoja.

Por, ai që e di të keqen e diçkaje dhe ndalimin e saj si mund ta veprojë atë?

Ata të cilët i bëjnë të gjitha këto gjëra, ndoshta janë të paditur për dëmet që ato kanë, ose mund të kenë nevojë për to siç është epshi për ato gjëra. Ndoshta ato mund të kenë më tepër dëm se sa kënaqësi, por ata nuk e dinë këtë për shkak të injorancës së tyre apo se epshet i kanë mundur prandaj dhe i veprojnë ato. Epshi, në përgjithësi e bën njeriun të sillet sikur nuk di gjë prej së vërtetës, sepse dashuria që ke për diçka të verbon e të shurdhon. Prandaj dijetari e ka frikë Allahun. Ebul Aalije ka thënë: i kam pyetur shokët e Muhamedit (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) për fjalën e Allahut:

“Allahu pranon vetëm pendimin e atyre që bëjnë gjynah nga padija dhe marrëzia dhe pendohen menjëherë pas kësaj.” [en-Nisa: 17]

Dhe ata u përgjigjën duke thënë: Kushdo që kundërshton Allahun është injorant (i paditur) dhe kushdo që pendohet para vdekjes është i penduar menjëherë. Nuk dua të sqaroj këtu me përqindje dëmet e mëdha që kanë të ndaluarat dhe as dobitë e mëdha që kanë urdhëresat, por mjafton që besimtari të dijë se ajo që ka urdhëruar Allahu ka dobi të garantuar ose përqindje më të madhe, dhe ajo që e ka ndaluar Allahu ka dëm të garantuar ose me përqindje më të madhe. Gjithashtu të dijë se Allahu nuk i ka urdhëruar robërit me urdhërat që i urdhëroi sepse ka nevojë për ta, e nuk i ka ndaluar prej asaj që i ndaloi se do të kursej ndaj tyre, por i urdhëroi ata në atë që është në dobi të tyre dhe i ndaloi ata prej asaj që është në dëm të tyre. Për këtë e ka cilësuar pejgamberin e Tij (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) se:

“I udhëzon ata për çdo gjë të mirë e i ndalon ata nga çdo gjë e keqe. Ai u lejon atyre si të ligjshme gjithçka të mirë e të këndshme dhe ua ndalon si të paligjshme gjithçka të keqe.” [el-A’raf: 157]

Gjykimi i fërkimit të varrit, puthjes së tij dhe vendosja e faqes mbi të

Përsa i përket fërkimit të varrit (cilido varr qoftë), puthjes së tij apo vendosjes së faqes mbi të, të gjitha këto veprime janë rreptësisht të ndaluara në bazë të mendimit të të gjithë muslimanëve. Pra, janë të ndaluara edhe nëse ato janë varret e pejgamberëve. Një veprim të tillë nuk e ka bërë asnjë nga të parët e këtij populli dhe asnjë prej imamëve të tij Madje ky veprim është prej shirkut. Allahu i Lartësuar thotë:

“Dhe kanë thënë:

“Ju nuk do t’i lini Zotat tuaj dhe nuk do të lini as Uaddin, as Suuaan, as Jaguthin, as Jaukën, as Nasran (emra të idhujve të tyre). Dhe vërtet që ata kanë tërhequr shumë në rrugë të gabuar.” [Nuh: 23-24]

Siç e thamë edhe më parë, këta ishin emra të një grupi njerëzish të mirë, të cilët ishin prej popullit të Nuhut. Në fillim njerëzit qëndruan një periudhë tek varret e tyre, pastaj pas një farë kohe skalitën pamjet e tyre në statuja. Këto gjeste janë rreptësisht të ndalura, aq më tepër nëse shoqërohen me lutjen e të vdekurit dhe kërkimin e ndihmës prej tij. Të gjitha këto i përmendëm duke sqaruar shirkun që ndodhet në këto veprime. Po ashtu sqaruam edhe dallimin midis “vizitës së shpikur” ku praktikuesit e saj u ngjasojnë të krishterëve dhe vizitës që është në përputhje me Sheriatin.

Gjykimi i uljes së kokës para shehlerëve të mëdhenj dhe puthja e tokës

Ulja e kokës tek shehlerët e mëdhenj etj, puthja e tokës dhe veprime të tjera të këtij lloji janë rreptësisht të ndaluara dhe nuk ka mosmarrëveshje midis imamëve se kjo gjë është e ndaluar. Madje përkulja e shpinës për dikë tjetër përveç Allahut është diçka e ndaluar. Në Musned (të imam Ahmedit) dhe në libra të tjera, transmetohet se Muadh ibn Xhebeli – Allahu qofë I kënaqur me të -, kur u kthye nga Shami, bëri sexhde për pejgamberin (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) dhe ai i tha:”Çfarë është kjo, o Muadh? Ai tha:”O i dërguari i Allahut! Unë i pashë njerëzit në Sham duke i bërë sexhde njerëzve me pozitë dhe njerëzve të denjë në luftë. Thoshin se e kishin marrë këtë gjë nga pejgamberët e tyre. Ai (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) tha:”Kanë gënjyer, o Muadh! Nëse unë do të urdhëroja dikë për t’i bërë sexhde dikujt, do të urdhëroja gruan t’i bëjë sexhde burrit të saj, për shkak të së drejtës që ka ndaj saj. O Muadh! Nëse ndodh që të kalosh tek varri im, a do bësh sexhde? Tha:”Jo!” Ai (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) tha:”Mos e bëj një gjë të tillë.”

Në Sahih transmetohet prej hadithit të Xhabirit se pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) u fal ulur për shkak të një sëmundjeje, ndërkohë që shokët e tij u falën në këmbë. Ai i urdhëroi që të ulen dhe u tha:”Mos më madhëroni mua siç madhërojnë të huajt njëri-tjetrin.” Po ashtu ka thënë:”Kush gëzohet që t’i çohen njerëzit në këmbë, le të pregatisë ndenjësen e tij në zjarr.” Ai (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) i ndaloi ata të qëndronin ngritur në këmbë kur ai ishte ulur, edhe pse ata ishin çuar për namaz dhe këtë gjë e bëri që ata të mos u gjasojnë atyre që ngrihen në këmbë për prijësit ose udhëheqësit e tyre. Po ashtu bëri të ditur se ai person që dëshiron të qëndronjë të tjerët në këmbë për të, ka për të qenë në zjarr. Vallë, si do të jetë përfundimi për dikë që i bëhet sexhde, përkulen për të dhe ia puthin duart?

Umer ibn Abdulazizi, i cili ka qenë zëvendësi i Allahut në tokë, kishte ngarkuar disa njerëz të tij që të ndalonin atë që hynte prej puthjes së tokës, madje kush e puthte tokën, ai e edukonte.

Shkurtimisht po them se ngritja dhe ulja, rukuja, sexhdja janë të drejta të të Vetmit të Adhuruar, Krijuesit të qiejve dhe tokës. Dhe ajo që është e drejtë absolute vetëm për Allahun, nuk lejohet që të kryhet ndonjë gjë prej saj për dikë tjetër si p.sh: betimi për dikë tjetër veç Allahut të Lartësuar. I dërguari i Allahut (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë:”Kush do të betohet, le të betohet për Allahun ose le të heshtë.”

Gjithashtu ka thënë:”Kush betohet për dikë tjetër veç Allahut, vërtet që ka bërë shirk.” Pra, i gjithë adhurimi duhet të kryhet vetëm për Allahun, Një të vetëm dhe pa ortak.

“Dhe ata nuk u urdhëruan për tjetër, veçse që duhet të adhuronin vetëm Allahun dhe të mos adhuronin tjetër përveç a përkrah Tij, të adhuronin Atë me besim të vërtetë e përkushtim të plotë dhe të kryenin faljen e namazit e të jepnin zekatin. Dhe kjo është feja e drejtë dhe e vërtetë.” [el-Bejjineh: 5]

Në Sahih (të Muslimit), transmetohet se pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë:”Vërtet Allahu do prej jush tre gjëra: Të adhuroni vetëm Atë e të mos i shoqëroni askënd në adhurim, të kapeni të gjithë fortë me litarin e Allahut e të mos përçaheni dhe të këshilloni atë të cilin Allahu e ka ngarkuar me çështjen tuaj.” Dhe baza e adhurimit është përkushtimi i fesë vetëm për Allahun.

Pejgamberi ynë (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) e ka ndaluar rreptësisht shirkun, qoftë pak apo shumë, i vogël apo i madh. Këtë e argumenton fakti i transmetimit prej shumë rrugëve se ai ka ndaluar namazin në kohën e lindjes së diellit dhe në kohën e perëndimit të tij. Kjo është transmetuar me tekste të ndryshme, një herë ka thënë:”Mos prisni që ta falni namazin në kohën e lindjes së diellit dhe as në perëndimin e tij.” Kurse një herë tjetër ka ndaluar që të falet njeriu pas agimit derisa të lindet dielli dhe po ashtu ka ndaluar që të falet namaz pas namazit të iqindis derisa të perëndojë dielli. Një herë tjetër ka përmendur se dielli kur lindet, lindet midis dy brirëve të shejtanit dhe në këtë kohë jobesimtarët i bëjnë sexhde diellit. Gjithashtu ka ndaluar faljen e namazit në këtë kohë, sepse ka përngjasim me idhujtarët, të cilët në këtë kohë i bëjnë sexhde diellit. Shejtani i vendos brirët e tij në atë pozicion që të lindi dielli midis brirëve të tij, me qëllim që sexhdja të bëhet për të. Atëherë, vallë si është gjendja e atij, shirku i të cilit është më i shfaqur se ky dhe përngjasimi i tij me idhujtarët është më i dukshëm? Allahu i i Lartësuar thotë duke iu drejtuar të dërguarit të Tij që t’i thotë ithtarëve të librit (të krishterëve dhe çifutëve):

“Thuaj (o Muhamed): O ithtarë të librit (çifutë e të krishterë)! Ejani te një fjalë që është e drejtë dhe e përbashkët mes nesh dhe jush, që të mos adhurojmë askënd përveç Allahut, që të mos i vëmë Atij shokë në adhurim dhe asnjë prej nesh të mos marrë të tjerë për zot përveç Allahut të Vetëm. Pastaj nëse ata largohen, thuaju dëshmoni për ne se jemi muslimanë.” [Ali Imran: 64]

Pra, e gjithë kjo se në të ekziston përngjasimi me ithtarët e librit, të cilët morën njëri-tjetrin si zota përveç Allahut. Ndërsa ne jemi të ndaluar të bëjmë këtë veprim. Kush i shmanget udhëzimit të pejgamberit të Allahut (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij), udhëzimit të shokëve të tij dhe udhëzimit të pasuesve të tyre me bamirësi, tek ajo që ngjason me ritet fetare e të krishterëve, ai pa dyshim që ka lënë atë për të cilën e ka urdhëruar Allahu dhe i dërguari i tij.

Përsa i përket fjalës që thotë dikush: Nevoja ime u krye me begatinë e Allahut dhe begatinë tënde; kjo është një shprehje e keqe, sepse nuk mund të krahasohet me këtë shembull askush me Allahun. Kur dikush i tha pejgamberit (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij):Çfarë dëshiron Allahu dhe ti! Ai tha: A më bëre mua shok me Allahun? Thuaj: Çfarë do vetëm Allahu. Ai një herë i tha shokëve të tij:”Mos thoni: çfarë dëshiron Allahu dhe Muhamedi, por thoni: çfarë dëshiron Allahu, pastaj dëshiron Muhamedi.”

Në një hadith tjetër thuhet se disa muslimanë panë dikë që thoshte: Sa popull i mirë jeni ju! Sikur të mos i bëni shokë Allahut d.m.th: ju thoni: çfarë dëshiron Allahu dhe dëshiron Muhamedi. Dhe pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) i ndaloi nga kjo gjë. Në Sahih (të Buhariut dhe Muslimit) transmetohet se Zejd ibn Khalid ka thënë: Një herë i dërguari i Allahut (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) u fal me ne duke na prirë namazin e sabahut kur ishim në Hudejbije, ndërkohë që natën kishte rënë shi dhe tha:”A e dini çfarë tha Allahu këtë natë? Ne thamë: Allahu dhe i dërguari i Tij janë më të dijshëm. Tha: Ai tha: Disa robër të mi u gdhinë besimtarë tek Unë dhe disa të tjerë u gdhinë jobesimtarë. Ai që thotë: Ne na zbriti shiu me mirësinë e Allahut dhe mëshirën e Tij, ky është që bëson tek Unë dhe që nuk beson tek yjet. Ndërsa ai që thotë: Na zbriti shiu për shkak të këtij ylli, apo atij tjetri, ky është ai që nuk beson tek Unë, por beson tek yjet.”

Shkaqet, të cilat Allahu i ka bërë shkaqe, nuk mund të bëhen ortak, shok apo ndihmëtar. Kurse ai që thotë: Me begatinë e shehut, ndoshta ka për qëllim lutjen e tij dhe lutja që pranohet më shpejt është lutja e atij që nuk është prezent. Ndoshta ai ka për qëllim me të begatinë e asaj të mire të cilën ai ia ka mësuar dhe e ka urdhëruar për të. E ndoshta mund të ketë për qëllim begatinë e ndihmën me të cilën ai e ka ndihmuar në të vërtetë, apo që e ka dashur për hir të fesë etj… Që të gjitha këto janë kuptime të drejta.

Nëse ai ka për qëllim me të lutjen që bën për të vdekurin apo për atë që nuk është prezent, si veçimi i shehut me këtë ndikim, apo veprimi i asaj për të cilën ai është i pafuqishëm, që nuk ka mundësi ta kryej atë, apo që nuk e ka për qëllim atë, atëherë pasimi dhe ndihma e tij në këto gjëra është prej bidateve të këqija, gjithashtu edhe kuptimet e tjera të kota të ngjashme me këto. Ndërsa ajo gjë për të cilën nuk ka dyshim se puna në bindje ndaj Allahut, lutja e besimtarëve për njëri-tjetrin e të tjera veprime si këto, janë të dobishme në këtë botë dhe në botën tjetër dhe ato ndodhin me mirësinë dhe mëshirën e Allahut.

Realiteti i “el-Kutbu,” “el-Gauthit” dhe “el-Ferdul Xhami”

Ndërsa përgjigjja e pyetjes rreth “el-Kutbu’,’ “el-Gauth” dhe “el-Ferdul Xhami’,” që të gjitha këto i thonë disa grupe njerëzish. Ata i komentojnë me gjëra që janë krejtësisht të kota në fenë islame. Si p.sh: Disa termin “el-Gauth” e komentojnë duke thënë se ai është i cili me ndërmjetësimin e tij arrihet përkrahja e krijesave, qoftë ndihma apo furnizimi i tyre. Saqë disa prej tyre thonë se ndihma e engjëjve dhe e peshqve të detit realizohet me ndërmjetësimin e tij. Kjo thënie e tyre është plotësisht e ngjashme me atë që thonë të krishterët për Mesinë – paqja e Allahut qoftë mbi të -, siç thonë ekstremistët për Aliun – Allahu qoftë i kënaqur prej tij -. Dhe pa dyshim që ky është një mosbesim (kufër) i qartë, që kush e bën këtë kërkohet prej tij që të pendohet; nëse pendohet, mirë; nëse nuk pendohet, vritet. Kjo gjë ndodh sepse nuk ekziston asnjë nga krijesat, qoftë engjëll apo njeri, që me anë të tij të realizohet ndihma e krijesave. Prandaj, ajo që thonë filozofët në “dhjetë mendjet” për të cilat medojnë se janë engjëjt dhe ajo që thonë të krishterët për Mesinë, e shprehje të tjera të tilla, janë kufër (mosbesim) i qartë. Ky është mendimi i të gjithë mslimanëve.

Gjithashtu kam për qëllim me termin “el-Gauth,” atë që thonë disa njerëz se në tokë ekzistojnë më tepër se treqind e dhjetë burra, që titullohen “Nuxhabaa” e prej tyre zgjidhen shtadhjetë, që titullohen “Nukabaa,” prej tyre zgjidhen dyzet të tjerë që titullohen “Abdalë,” prej tyre zgjidhen shtatë “Aktabë,” prej tyre zgjidhen katër të tjerë që titullohen “Autadë,” dhe prej tyre zgjidhet një që quhet “el-Gauthi” që qëndron në Mekë. Ata pretendojnë se banorët e tokës, kur i godet ndonjë fatëkeqësi në furnizim dhe në ndihmë, drejtohen tek treqind e dhjetë burrat. Këta drejtohen tek shtatëdhjetë të tjerët, të shtatëdhjetët drejtohen tek dyzetët, të dyzetët drejtohen tek shtatë, shtatë drejtohen tek katër dhe së fundi të katërt drejtohen tek një. Disa të tjerë ndoshta i shtojnë numrat dhe gradët e tyre e disa të tjerë i pakësojnë. Kjo ndodh sepse ata kanë shprehje të ndryshme rreth këtyre çështjeve. Disa prej tyre thonë se zbret nga qielli mbi Ka’be një gjethe jeshile që mban emrin e “Gauthit” të kohës. Disa të tjerë thonë që zbret emri i Khidrit të asaj kohe. Kjo e fundit ndodhet tek ata që thonë se Khidri është një gradë. Ata po ashtu thonë se në çdo kohë ekziston një Khidër, sepse ata në këtë çështje kanë dy mendime. Por që të gjitha këto janë të kota dhe nuk kanë origjinë në librin e Allahut e as në sunetin e të dërguarit të Tij, nuk e ka thënë ndonjë prej të parëve të këtij populli apo ndonjë nga imamët e këtij umeti dhe asnjë nga dijetarët e mëparshëm të cilët meritojnë që të pasohen. Gjithashtu është e ditur se zotëria ynë – i dërguari i Zotit të botëve –, Ebu Bekri, Umeri, Uthmani dhe Aliu – Allahu qoftë i kënaqur me ta -, kanë qënë krijesat më të mira në kohën e tyre e siç dihet ata ishin në Medinë e jo në Mekë. Disa prej tyre transmetojnë një hadith në lidhje me “Hilalin,” djaloshin e Mugire Ibn Shu’be duke thënë se ai është një nga të shtatët, porse ky është një hadith i kotë në bazë të mendimit të të gjithë dijetarëve, të cilët kanë rënë dakord për këtë. Edhe pse disa prej këtyre haditheve i transmeton Ebu Nuajmi në veprën e tij “Hiljetul Eulija” dhe shejh Abdurrahman es-Sulemij në disa prej librave të tij, ti mos u mashtro me këto libra se në to ndodhen hadithe të sakta, të mira, të dobëta, të shpikura dhe gënjeshtra për të cilat nuk ka mosmarrëveshje midis dijetarëve që janë gënjeshtra të shpikura. Ndonjëherë ndokush mund t’i transmetojë sipas traditës së disa pjesëtarëve të hadithit të cilët kanë transmetuar atë që kanë dëgjuar duke mos bërë dallim midis të saktit dhe të kotit. Pjesëtarët e hadithit nuk transmetonin të tilla hadithe. Kjo sepse ka ardhur në Sahih (të Muslimit) se pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: Kush flet prej meje një hadith që e sheh se është gënjeshtër, atëherë ai është njëri nga gënjeshtarët.” Shkurtimisht po them se muslimanët e dinë se kur zbresin mbi ta fatkeqësitë, qoftë kur janë në mirëqënie apo në frikë si p.sh kur luten në namazin e istiskas që kërkojnë shiun me qëllim që mbi ta të zbresë furnizimi, kur luten në namazin e eklipsit, kur përgatiten për largimin e fatkeqësisë dhe në raste të tjera, ata drejtohen vetëm tek Allahu, duke lutur vetëm Atë, i Cili nuk ka ortak pa i shoqëruar Atij asnjë shok në adhurim.

Muslimanët asnjëherë nuk duhet që t’i kthehen dikujt tjetër përveç Allahut të Lartësuar për nevojat që ata kanë. Madje edhe idhujtarët në kohën e injorancës së tyre e lusnin Allahun pa ndërmjetës dhe Allahu i përgjigjej atyre. Vallë, a mendon se pas Teuhidit dhe Islamit nuk do t’i përgjigjet lutjes së tyre përveçse me këtë ndërmjetës, për të cilin Allahu nuk ka zbritur asnjë fakt? Allahu i Lartësuar thotë:

“Dhe kur njeriun e kap ndonjë hall (ose e keqe), ai na lutet Neve i mbështetur në krahun e tij, i ulur ose në këmbë. Por pasi Ne ia kemi larguar atij të keqen, ai vazhdon në rrugën e tij si të mos na ishte lutur Neve për një hall që i ka rënë atij!” [Junus: 12]

Ai përsëri thotë:

“Ndërsa kur ju kap e keqja në det, ata të cilët ju i thërrisni përveç Atij shuhen e zhduken prej jush përveç Atij (vetëm Allahu).” [el-Isra: 67]

Në një ajet tjetër thotë:

“Thuaju (O Muhamed):”Më thoni, sikur të binte mbi ju dënimi i Allahut, apo t’ju vijë ora (së cilës ju i trembeni) a do t’i thërrisnit tjetërkujt përveç Allahut? (Përgjigjuni) nëse jeni të drejtë! Patjetër, ju vetëm Atij do t’i thërrisnit dhe në qoftë se Ai do, Ai mund t’jua largojë atë fatkeqësi për të cilën ju i thërrisni Atij dhe atë kohë ju harroni çfarëdo shoku që i keni bashkuar Atij në adhurim.” [en-Aam: 40-41]

I Lartësuari thotë:

“Vërtet që Ne dërguam (të dërguar) në shumë popuj para teje (o Muhamed) dhe Ne i kapluam ata me varfëri të madhe (a humbje pasurie) dhe me humbje të shëndetit e fatkeqësi që të mund të besonin me përulje. Kur atyre u binin vuajtje nga Ne, pse atëherë ata nuk besuan me nënshtrim? Por zemrat e tyre u ashpërsuan dhe shejtani ua bëri atyre t’u duken të drejta veprat që punonin.” [en-Aam: 42-43]

Pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) kërkoi shi për shokët e tij në namaz dhe duke mos u falur. Ai i priu ata në namazin e istiskas (kërkimit të shiut), namazin e eklipsit dhe bënte du’a në namazin e tij dhe kërkonte ndihmë kundra idhujtarëve. Gjithashtu edhe khalifët (zëvendësit) e drejtë pas tij, imamët e fesë dhe dijetarët e muslimanëve, që të gjithë kanë ndjekur dhe ndjekin këtë rrugë. Prandaj thuhet se tre gjëra nuk kanë origjinë:”Porta e Nusejrive,” “I prituri i rrafidave”4 dhe “Gauthi i injorantëve.” Kjo sepse Nusejritë pretendojnë se porta që kanë ata, thonë se mban botën. Ai vërtet ekziston, porse pretendimi i nusejrive në të është krejt i kotë. Kurse përsa i përket Muhamed ibn Hasen el-Askeri, Gauthit që qëndron në Mekë dhe gjëra të këtij lloji, që të gjitha janë të kota dhe nuk ekzistojnë.

——————————————————————————–
4. Ai që presin Rrafidat quhet Muhamed ibn Hasen el-Askeri. Ata pretendojnë se ai hyri në Serdaab në Irak dhe presin daljen e tij.

——————————————————————————–

Gjithashtu ajo që pretendojnë disa të tjerë se “Kutbul Gauthul Xhami” përkrah eulijatë e Allahut dhe i njeh ata të gjithë, e të tjera si këto, janë të kota. Ebu Bekri dhe Umeri – Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, nuk i njihnin të gjithë eulijatë e Allahut dhe as nuk i përkrahnin ata. Atëherë si do të munden ata të humbur, mashtrues dhe rrenacakë? I dërguari i Allahut (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) është zotëria i bijve të Ademit dhe ai do t’i njohë ata të cilët nuk i pa prej popullit të vet nga shenjat e abdesit. Pra, do t’i njohë nga e bardha që ndodhet në vendet që ata marrin abdes. Ka prej eulijave të Allahut aq shumë, saqë nuk mund t’i numërojë askush tjetër përveç Allahut të Lartësuar. Ai (Muhamedi) është imami dhe ligjëruesi i pejgamberëve të Allahut, por megjithatë nuk e njihte pjesën më të madhe të tyre. Madje Allahu i Lartësuar thotë:

“Dhe sigurisht që Ne kemi sjellë të dërguar para teje (o Muhamed), për disa prej tyre Ne të kemi njoftuar për ndodhinë e tyre dhe për disa Ne nuk të kemi njoftuar për ngjarjen e tyre.” [Gafir: 78]

Musai nuk e njihte Khidrin dhe Khidri nuk e njihte Musain. Madje kur Musai e përshëndeti Khidrin, ai i tha: A ka përshëndetje në tokën tënde? Ai i tha atij: Unë jam Musai. Ai tha: Musai i bijëve të Israilit? Ai tha: Po.

Atij i kishte mbërritur emri dhe lajmi në lidhje me të, mirëpo nuk e kishte parë ndonjëherë. Kush thotë se ai është i pari i eulijave, apo thotë që ai i njeh të gjithë ata, padyshim ka folur kotë.

Mendimi i prerë në lidhje me Khidrin – Paqja e Allahut qoftë mbi të –

Mendimi i saktë,të cilin e kanë zgjedhur dijetarët të cilët i japin rëndësi të madhe studimit të çështjeve duke kërkuar të vërtetën, është se Khidri ka vdekur dhe nuk e ka arritur Islamin. Nëse ai do të ekzistonte në kohën e pejgamberit (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) do të ishte detyrë për të që të besonte në pejgamberin (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij), të luftonte së bashku me të ashtu siç e obligoi Allahu ndaj tij dhe ndaj të tjerëve. Nëse ai vërtet do të ekzistonte, do të ishte në Mekë dhe në Medine. Do të ishte prezent me sahabët për të luftuar sëbashku me ta dhe për t’i ndihmuar ata në fe. Kjo ishte më mirë për të sesa të prezantonte tek një popull jobesimtarë për të mbyllur vrimën që u hap në anijen e tyre. Ai nuk do të rrinte i fshehur nga populli më i mirë i të gjitha kohëve të njerëzimit, ndërkohë që ai ishte midis idhujtarëve dhe nuk u fsheh nga ata. Pastaj muslimanët nuk kanë nevojë për atë dhe të tjerë si ai në fenë e tyre dhe as përsa i përket kësaj bote. Kjo sepse ata e morën fenë e tyre nga i dërguari analfabet (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij), i cili u mësoi atyre Librin dhe Hikmetin (Sunetin). Pejgamberi i tyre u tha:”Nëse Musai do të ishte gjallë dhe ju do të pasonit atë e do të më linit mua, do të humbnit.” Isai, biri i Merjemes, kur të zbresë nga qielli do të gjykojë mbi ta me Librin e Zotit të tyre dhe Sunetin e pejgamberit të tyre. Atëherë ç’nevojë do të kenë ata tek Khidri dhe tek ndonjë tjetër si ai?! Pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) i ka njoftuar ata për zbritjen e Isait nga qielli dhe prezencën e tij me muslimanët.

Ai ka thënë:”Si mund të shkatërrohet një popull tek i cili unë jam në fillimin e tij dhe Isai në fund të tij?” Ndërkohë që dy pejgamberët e nderuar (Muhamedi dhe Isai) duke shtuar Ibrahimin, Musain dhe Nuhun janë të dërguarit më të mirë dhe pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) është zotëria i bijve të Ademit dhe ata nuk u fshehën nga ky popull, as nga masa e gjerë e popullit dhe as nga njerëzit e veçantë, atëherë si mund të fshihet prej tyre dikush që nuk është si ata? Nëse Khidri do të ishte gjithnjë gjallë, si ka mundësi që pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) nuk e ka përmendur asnjëherë këtë, as nuk e ka njoftuar popullin e tij për të dhe as khalifët e tij të drejtë? Ndërsa kush thotë se ai është i pari dhe kontrolluesi eulijave, i themi atij: Kush ia dha atij këtë post që të jetë i pari i eulijave kur dihet që eulijatë më të mirë janë shokët e Muhamedit (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij)? Dhe Khidri nuk është prej tyre. Pjesa më e madhe që tregohet në lidhje me këtë temë është gënjeshtër, kurse pjesa tjetër është e ndërtuar mbi bazën e mendimit të një burri. Kjo është si puna e atij që pa një person dhe mendoi se ai është Khidri dhe tha: Ai është Khidri.

Ashtu sikurse rrafidat kur shohin një person mendojnë ose pretendojnë se ai është imami i pritur dhe i pagabueshëm. Është transmetuar prej Imam Ahmed ibn Hambel se kur iu përmend Khidri ai tha: Kush të drejton tek ai që mungon, ai nuk është treguar i drejtë me ty. Nuk e ka vendosur këtë në gjuhën e njerëzve askush tjetër përveçse shejtanit. Ne jemi zgjeruar për këtë çështje në vende (libra) të tjera.

Mundësia e emërtimit të njeriut më të mirë të kohës me termat “el-Kutbu” dhe “el-Gauth”

Nëse dikush thotë:”el-Kutbul Gauthul Ferdul Xhami” ka për qëllim se është një person i cili është njeriu më i mirë i kohës së tij, atëherë kjo është diçka që mundet. Por në të njëjtën kohë ka mundësi që të jenë dy njerëz të barabartë në mirësi, po ashtu ka mundësi të jenë tre apo katër. Nuk mund të thuhet në mënyrë të prerë se në çdo kohë është vetëm një person që është njeriu më i mirë. Ndoshta mund të jenë një grup njerëzish dhe mes tyre dikush është më i mirë se një tjetër në një drejtim dhe jo në një tjetër. Dhe këto anë ose janë të përafërta ose të barabarta. Por, edhe pse në një kohë mund të jetë një person që është njeriu më i mirë i kohës, emërtimi i tij me termat “el-Kutub, el-Gauthu, Ferdul Xhami” është bidat për të cilin Allahu nuk ka zbritur asnjë fakt dhe nuk e ka përdorur asnjë nga të parët dhe imamët e këtij populli.

Të parët tanë kanë vazhduar të mendojnë se ndonjëri është njeriu më i mirë i kohës së tij ose nga më të mirët e saj dhe nuk e emërtonin atë me të tillë emra për të cilët Allahu nuk ka zbritur asnjë fakt. Aq më tepër kur ka prej tyre që mendojnë se Kutbi i parë është Hasen ibn Ali ibn Ebi Talib – Allahu qoftë i kënaqur me ata. Pastaj shkallëzohet çështja duke arritur deri tek ata që nuk janë në gradën e tij, duke zbritur tek disa shehlerë të kohëve të fundit. Kjo është një gjë e gabuar dhe e papranueshme, qoftë duke iu bazuar rrugës së Ehli Sunetit apo duke iu bazuar rrugës së Rrafidave. Ne themi: Ku është Ebu Bekri, Umeri, Uthmani, Aliu, ata që pranuan të parët Islamin nga Muhaxhirët (që u shpërgulën nga Meka në Medine) dhe Ensarët (besimtarët e Medines që i strehuan dhe i ndihmuan ata)?!

Haseni në kohën që ndërroi jetë pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) sapo i ishte afruar kohës së pjekurisë.

Është treguar se disa shehlerë të mëdhenj që merren me këto gjëra kanë thënë se dija “el-Kutubul Ferdul Gauthul Xhami” është si dija e Allahut të Lartësuar. Pra, thotë që ai di atë që di Allahu dhe ka mundësi për atë që ka Allahu. Gjithashtu pretendon se pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka qenë po kështu dhe se kjo u transferua nga pejgamberi tek Haseni derisa mbërriti gradualisht tek shehu i atij (i cili pretendon këtë gjë).

Pra, u dukë qartë se kjo gjë është kufër (mosbesim) i qartë, injorancë e shëmtuar dhe pretendimi i diçkaje të tillë tek i dërguari i Allahut (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) është mosbesim dhe gjithashtu pretendimi i diçkaje të tillë tek shehlerët e tyre ka të njëjtin gjykim, madje janë në plan të parë. Allahu i i Lartësuar thotë:

“Thuaj (o Muhamed): unë nuk ju them se kam thesaret e Allahut, as që e di gajbin (të fshehtën, të panjohurën), as nuk ju them se unë jam melek.” [en-Aam: 50]

I Lartësuari thotë:

“Thuaj (o Muhamed): ”Unë nuk kam asnjë fuqi përfitimi ose dëmtimi për veten time, por vetëm si të dojë Allahu. Po të kisha dijen e Gajbit (të së fshehtës), atëherë do të kisha shumëfishuar e shtuar për veten time një bollëk begatie dhe asnjë e keqe nuk do më prekte.” [el-A’raf: 188]

I Lartësuari thotë:

“Ata thonë: Në qoftë se ne do të kishim ndonjë lidhje me këtë çështje, atëherë asnjë prej nesh nuk do të ishte vrarë këtu.” [Ali Imran: 154]

Përsëri thotë:

“Ata thanë: A kemi ne ndonjë pjesë në këtë çështje? Thuaj (o Muhamed): Në të vërtetë çështja i takon plotësisht Allahut.” [Ali Imran: 154]

Gjithashtu Allahu i i Lartësuar thotë:

“Që Ai të veçojë (e t’i ndajë) një pjesë të tyre që nuk besojnë apo t’i poshtërojë me turp që kështu të tërhiqen të shkatërruar. Vendimi nuk është i yti (o Muhamed, por i Allahut), nëse Ai kthehet me mëshirë ndaj tyre (dhe i fal) apo i ndëshkon, pasi ata vërtetë janë dhalimunë (keqbërës, mohues dhe jobesimtarë).” [Ali Imran: 127-128]

I Lartësuari thotë në një ajet tjetër:

“Në të vërtetë ti (Muhamed) nuk udhëzon kë të duash, por Allahu udhëzon atë që do Ai. Dhe Ai i njeh më mirë ata që janë të udhëzuar.” [el-Kasas: 56]

Allahu i i Lartësuar na ka urdhëruar që t’i bindemi të dërguarit të Tij (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) duke thënë:

“Ai që i bindet të dërguarit (Muhamedit) vërtet ai i është bindur edhe Allahut.” [en-Nisa: 80]

Ai na ka urdhëruar që ne ta pasojmë atë. Siç thotë në një ajet:

“Thuaj (O Muhamed): Nëse vërtet e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua (pranoni Islamin, ndiqni Kura’nin dhe Sunetin, rrugën time) dhe Allahu do t’ju dojë juve.” [Ali Imran: 31]

Ai gjithashtu na ka urdhëruar që ta përkrahim të dërguarin, ta ndihmojmë dhe ta nderojmë atë. Gjithashtu ka vendosur të drejta për të cilat i ka sqaruar në Librin e tij, aq sa e ka bërë detyrë për ne që ai të jetë njeriu më i dashur tek ne nga vetet tona dhe nga familjet tona. Allahu i Lartësuar thotë:

“Thuaju (o Muhamed): Në qoftë se baballarët tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, gratë tuaja, të afërmit tuaj, pasuria që ju keni fituar, tregtia tek e cila keni frikë humbjen dhe vendbanimet tuaja tek të cilat gjeni kënaqësi, janë më të dashura për ju se Allahu dhe i dërguari i Tij, më (të dashura) se përpjekja dhe lufta për çështjen e Allahut, atëherë prisni derisa Allahu të sjellë vendimin (dënimin) e tij” [et-Teube: 24]

Pejgamberi (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë:”Betohem në Atë, në dorë të të Cilit është shpirti im, se nuk beson asnjëri prej jush derisa të jem më i dashur tek ai nga fëmija i tij, prindi i tij dhe nga të gjithë njerëzit.”

Umeri – Allahu qoftë i kënaqur me të, i tha atij:”O i Dërguari i Allahut! Je më i dashuri për mua se çdo gjë tjetër përveç vetes sime. Ai i tha: Jo, o Umer, derisa të jem për ty më i dashur se vetja jote. Ai tha: Në të vërtetë tani je më i dashur për mua edhe se vetja ime. Ai tha: Tani, o Umer! (Trans. Buhariu)

Gjithashtu ka thënë:”Kush i ka tre gjëra, ai ka gjetur me to ëmbëlsinë e imanit (besimit): Ai tek i cili Allahu dhe i dërguari i Tij janë më të dashur nga çdokush tjetër, ai i cili e do një person dhe nuk e do për gjë tjetër vetëm se për hir të Allahut dhe ai që urren të kthehet në mosbesim pasi e shpëtoi Allahu prej tij, ashtu si urren të hidhet në zjarr.” (Trans. Buhariu)

Allahu i i Lartësuar ka sqaruar në librin e Tij të drejtat e Tij, të cilat nuk mund të jenë për dikë tjetër përveç Atij. Gjithashtu ka sqaruar të drejtat e të dërguarve dhe të drejtat e besimtarëve mes njëri-tjetrit. Këtë çështje e kemi sqaruar në shkrime të tjera, si p.sh.: fjala e Allahut të Lartësuar:

“Dhe kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, i frikësohet Allahut dhe i përkushtohet Atij, këta janë të fituarit.” [en-Nur: 52]

Pra, bindja është për Allahun e të Dërguarin e Tij, kurse frika dhe përkushtimi janë vetëm për Allahun. Allahu i Lartësuar thotë:

“Vetëm sikur të ishin të kënaqur me atë që u dha Allahu dhe i dërguari i Tij dhe të thoshin:”Allahu është më se i mjaftueshëm për ne! Allahu do të na dhurojë ne nga begatitë e Tij dhe i Dërguari i Tij (nga sadakatë, lëmosha)! Tek Allahu i kthejmë shpresat tona duke iu lutur vetëm Atij!” [et-Teube: 59]

Pra, u dukë qartë se dhënia ishte prej Allahut dhe të Dërguarit, kurse varja e shpresave ishte vetëm tek lutja e Allahut. Allahu i Lartësuar thotë:

“Dhe çfarëdo që t’ju japi juve i Dërguari (Muhamedi), merreni atë dhe çfarëdo që ai jua ndalon, hiqni dorë (prej saj).” [el-Hashr: 7]

Kjo sepse e lejuar është çfarë ka lejuar Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe e ndaluar është çfarë ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i tij. Ndërsa mjaftueshmëria është vetëm për Allahun, siç thotë Allahu i Lartësuar:

“Ata thanë: Vetëm Allahu na mjafton.” [Ali Imran:17]

Dhe nuk thanë: Na mjafton Allahu dhe i dërguari i tij.

Allahu i Lartësuar thotë:

“O pejgamber! Allahu është më se i mjaftueshëm për ty dhe për besimtarët që të ndjekin ty.” [el-Enfal: 64] d.m.th.: Allahu të mjafton ty dhe u mjafton besimtarëve që të ndjekin ty. Kjo është e vërteta e prerë në lidhje me këtë ajet. Prandaj fjala që tha Ibrahimi dhe Muhamedi – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dy – ishte: Vetëm Allahu na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i mirë. Allahu i Madhëruar është më i Dijshmi dhe më i Mençuri.

Paqja, mëshira dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi krijesën e Tij më të mirë, zotërinë tonë Muhamedin, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë shokët e tij.

Allahu e shperblefte shejun Islam Iben Tejmijen rahimullah per punen e tij dhe njekohesisht vellaun qe mundesoj perkthimin ne gjuhen shqipe .

Kerkoj falje nga Allahu per vete dhe per ju musliman andaj edhe ju bene nje gje te till ngase Allahu eshte Fales dhe Meshirues .

selamualejkum nga vellau juaj ne Islam

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit