1.4 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Vitia: Fokusi im do të jetë në Ministri të Shëndetësisë derisa të kemi rezultate të mira në raport me pandeminë

Më të lexuarat

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se planifikon që të qëndrojë në këtë post deri kur në vend të ketë rezultate të mira në përballjen me pandeminë.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale të tetorit, ka thënë se aktualisht “të gjithë fokusin e ka në MSH”.

Vitia është kritikuar nga partitë opozitare për kandidimin e tij për Prishtinë në një kohë kur vendi po përballet me valën më të rëndë të pandemisë së COVID-19. Vetëm javën e fundit rekorde të rasteve të reja janë regjistruar përditë.

“Unë jam në Ministrinë e Shëndetësisë dhe i gjithë fokusi im është në Ministrinë e Shëndetësisë dhe i gjithë fokusi im do të jetë në Ministrinë e Shëndetësisë derisa të jenë rezultatet e mira në raport me pandeminë. Ta keni parasysh që 17 tetori natyrisht që nuk do të më gjej si ministër të Shëndetësisë, por deri në atë kohë do ta bëj maksimumin ashtu siç jam duke bërë tani”, ka thënë Vitia, pas konferencës ku MSH-ja pranoi 35 mijë vaksina donacion nga Amerika.

Lidhur me procesin e vaksinimit, ministri i Shëndetësisë ka thënë se pritet që të shtohen ekipet edhe nëpër komunat e tjera të Kosovës. Ai është lavdëruar duke thënë se në Kosovë procesi i vaksinimit është më i shpejti në rajon.

“Procesi i vaksinimit po shkon mirë, komunat kanë shprehur gatishmërinë për të shtuar numrin e ekipeve të vaksinimit, por natyrisht për shkak edhe të logjistikës, për shkak edhe të sistemit të regjistrimit ‘e-kosova’, kjo po shkon në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe natyrisht që kjo merr kohë, mirëpo me ritmin qysh jemi duke u vaksinuar tani dhe me interesimin e qytetarëve, ky procesi vaksinimit mund të them që është më i shpejti për momentin, jo vetëm në rajon por edhe vende të tjera”, ka thënë ai.

Ndërsa për tollovitë e krijuara para qendrave të vaksinimit, Vitia ka thënë se situata do të menaxhohet në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Edhe njëherë ai theksoi se nga nesër qytetarët do të mund të vaksinohen edhe ditën e shtunë.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit