0.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Vitet që humbasin shqiptarët në shkollë

Më të lexuarat

Nga Klodian Tomorri

Për shumë vite me radhë ekonomistët kanë përdorur numrin mesatar të viteve të shkollës për të krahasuar kapitalin human mes vendeve. Për shembull nëse një shqiptar bën mesatarisht 10 vite shkollë, por një grek bën 13 vjet, supozohej automatikisht se Greqia ka një nivel më të lartë të kapitalit human, rrjedhimisht një force punëtore më të kualifikuar, rrjedhimisht nivel më të lartë të zhvillimit ekonomik.

Por më vonë ekonomistët vunë re se numri mesatar i viteve të shkollës nuk arrinte të shpjegonte dot diferencat e kapitalit human nga njëri vend në tjetrin. Kjo për faktin e thjeshtë se numri i viteve në shkollë anashkalon cilësinë e te mësuarit.

Për të zgjidhur këtë handikap, ekspertët e Bankës Botërore, propozuan një indikator të ri të quajtur “Learning-adjusted Years of School”, pra numri i viteve të shkollës i korrektuar me nivelin e dijeve të marra. Formula e propozuar ishte e thjeshtë. Treguesit të viteve të shkolles ju integruan rezultatet e testit të PISA-s, një konkurs mbarëboteror, që mat nivelin e dijeve të nxenesve 15-vjeçar në çdo vend të botës.

Duke marrë si benchmark Singaporin, vendin e parë në testin e PISA-s, studiuesit mund të krahasonin diferencën e dijeve për të njëjtin numër vitesh shkolle mes nxenesve nga vendet e ndryshme, ose anasjelltas. Sa vite më shumë në shkollë u duheshin nxënëve të një vendi X për të arritur nivelin e dijeve të bashkëmoshatarëve të tyre nga Singapori.

Treguesi i përftuar quhet hendeku i dijes. Një indikator pak a shumë i ngjashëm me hendekun e Prodhimit, i cili mat diferencën mes potencialit të prodhimit që ka një ekonomi dhe nivelit real që ajo prodhon.

Por cilat janë rezultatet për Shqipërinë? Sipas Bankës Botërore një shqiptar bën mesatarisht 13 vite shkollë. Por kur axhustohet për nga niveli i dijeve që nxe, shifra ulet në vetëm 8.9 vjet. Për ta thënë më thjesht, ne shpenzojmë 13 vite në shkollë, por mësojmë sa për 8.9 vite. Pra çdo shqiptar humbet mesatarisht 4.1 vite në shkollë.

Ky është një shpërdorim i tmerrshëm kohe, energjish dhe kostosh, të cilin ne e paguajmë për shkak të cilësise mizerabel të sistemit tonë arsimor. Për të patur një ide me të qartë, vetëm për 400 mijë nxënësit që janë në shkollat fillore dhe të mesme të vendit, Shqipëria humbet 126 mijë vite arsimore në vit.

Impaktet e një shpërdorimi të këtyre përmasave janë katastrofike. Jo vetëm në termat e shpenzimeve, energjisë dhe kohës së humbur, por mbi të gjitha në aspektin e pasojave qeë cilësia e keqe e sistemit arsimor ka në zhvillimin afatgjatë të vendit dhe shoqerisë. Duke parë këto rezultate pyetja që lind natyrshëm është; shkollat tona ndërtojnë apo shpërdorojnë kapital human?

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit