-0.5 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Vitaminat & tabletat antioksidante dhe rreziku i semundjes

Më të lexuarat

Përse rrisin rrezikun e sëmundjeve

Tabletat e përditshme të vitaminave të marra në mënyrë të vazhdueshme janë një nga karakteristikat e jetës në botën perëndimore. Kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato ka kohë që janë futur aq thellë në dietën e përditshme të një amerikani sa është shumë e vështirë që të kuptosh jetën dhe shëndetin pa to.

Ndaj një nga pyetjet më normale që mund të dëgjosh në mëngjes mes njerëzve që njihen është: a e ke pirë vitaminën sot? Janë të shumtë ata që janë joshur dhe vazhdojnë të joshen dhe besojnë verbërisht te përdorimi i vitaminave në mënyrë të vazhdueshme dhe mbi të gjitha te përfitimi që kemi prej tyre. Ndaj me shumë lumturi çdo ditë në mëngjes pinë kokrrat shumëngjyrëshe që supozohet t’ua përmirësojnë gjendjen shëndetësore dhe t’u zgjasin jetën. Të paktën këtë u thonë mjekët në mënyrë të vazhdueshme dhe kjo reklamohet në të gjitha kanalet televizive. Shumë e konsiderojnë si shpikjen më të madhe shëndetësore të shekullit të kaluar. E nëse rastis që një ditë për shkak të punëve të shumta, apo të nxitimit ti e harron porcionin fillon që të ndihesh në faj dhe kjo ndjenjë të shoqëron derisa të mos kesh shkuar në shtëpi dhe ta kesh “rikuperuar” gabimin. Por në fakt nuk është një “sëmundje” vetëm amerikane. Edhe në Britaninë e Madhe njerëzit kanë krijuar një varësi të madhe ndaj kokrrave të përditshme të vitaminave. Sipas një përllogaritjeje çdo vit në këtë shtet shpenzohen mbi 300 milionë paund për tabletat. Dhe pyetja që një njeri i shqetësuar seriozisht për mbarëvajtjen e shëndetit të tij duhet të bëjë është: a më bëjnë mirë vitaminat, apo mund të bëj fare mirë pa to e në rastrin më të keq mund të më dëmtojnë? Për dhjetëvjeçarë të tërë mesazhi që ka dhënë media dhe mjekësia në mënyrë të vazhdueshme dhe pa dyshimin më të vogël ka qenë se këto shtesa, pra vitaminat janë shumë të rëndësishme për mbarëvajtjen e shëndetit dhe se të ndihmojnë në përmirësimin cilësor të jetës, të bëjnë të fortë, të mbajnë në formë, të bëjnë të bukur dhe ta zgjasin jetën madje. Ndaj jepini, pini sa më shumë kokrra, shtojini ngjyrat në kutinë tuaj dhe do të arrini mrekullinë. Ky ka qenë pak a shumë mesazhi. Veçanërisht bëhet fjalë për antioksidantë të cilët u mungojnë dietave tona si vitamina A, C dhe E, e cila ndihmon në luftimin e veprimit të radikaleve të lira. Këto molekula vijnë nga oksigjeni dhe prodhohen nga faktorë të ndryshëm si frymëmarrja, ndotja e ajrit e të tjera. Por këto për fat të keq janë edhe shkaqe për shumë sëmundje duke nisur nga ato të zemrës e deri te sëmundje të rënda dhe ende të pashërueshme si Alzheimer, diabeti apo kanceri. Kësisoj është menduar që radikalet e lira janë të këqija dhe vitaminat pra kryesisht ato antioksidante janë të mira dhe përbëjnë shpëtimin për shëndetin tonë. Megjithatë, kjo vetëm deri pak kohë më parë. Së fundi, shkencëtarët po rrisin gjithnjë e më shumë dyshimin në lidhje me efektshmërinë dhe përfitimet e vërteta të vitaminave. Madje ka edhe nga ata që pretendojnë se ato ka mundësi që të shkaktojnë edhe dëme shumë serioze. Së fundi, një studim i publikuar në një revistë shkencore i Universitetit të Kalifornisë arriti që të zbulonte fakte shumë të sakta dhe të vërteta se ato në fakt nuk arrijnë aspak që të reduktojnë rrezikun e kancerit siç pretendohej deri më tani. Madje, shkencëtarët në mënyrë më alarmante pas shumë provave në lidhje me efektet reale të antioksidantëve, si dhe të acidit folik, kalciumit dhe vitaminës D sugjerojnë se doza të mëdha të këtyre elementeve mund të ndihmojnë në promovimin e kancerit dhe aspak në parandalimin e tij. Këto elemente mund të jenë beta karotina (nga vitamina A) dhe vitamina C dhe E.

Dhe nuk bëhet fjala vetëm për zbulime të izoluara dhe të pakta. Aktualisht, një grup shkencëtarësh që merren me kërkime në këtë fushë me shumë shqetësim bën të ditur se tabletat antioksidante që merren pikërisht për të mbrojtur shëndetin nga rreziqe të ndryshme në fakt mund të rrisin rrezikun e sëmundjeve dhe madje mund të të çojnë edhe në vdekje të parakohshme.

Një studim i hershëm i vitit 1994 zbuloi se marrja në mënyrë të rregullt e beta karotinës pra në formën e një tablete 20 miligramëshe rrit rrezikun e vdekjes nga kanceri i mushkërive në masën 8%. Një studim i vitit 2002 arriti në përfundimin se përdorimi i dozave të mëdha të vitaminës E (1gr) dhe thuajse shtojnë rrezikun e vdekjes së parakohshme mes grave që janë në moshën pas menopauzës. Ndërsa në vitin 2010, një shkencëtar zbuloi se marrja e suplementeve antioksidantë pra vitaminave A, C, E mund të rrisë shumë premisat për një kancer të prostatit në masën 17% dhe sigurisht me doza më të larta rritet edhe rreziku i vdekjes nga sëmundje të tjera kryesisht me natyrë tumorale. Dhe megjithatë, pavarësisht gjithë rezultateve të këtyre zbulimeve shitja e suplementeve të tilla në treg ka kapur përmasa jashtëzakonisht të mëdha dhe sigurisht që edhe fitimet përkatëse të industrisë farmaceutike janë marramendëse. Kryesisht shumë të përditshme janë vitaminat C dhe A.

Sipas disa përllogaritjeve shitja e këtyre suplementeve rritet me 13% në vit në vendet perëndimore. Por kjo nuk ka bërë që studimet dhe shqetësimet në lidhje me përdorimin e këtyre anti-oksidantëve të fashiten. Shumë shpesh botohen artikuj, madje edhe libra në të cilët flitet pikërisht për arsyet se përse ato janë të dëmshme dhe veçanërisht në përdorimet e mëdha dhe jashtë kontrollit. Sipas autorëve të një libri të fundit në lidhje me këto dëme, njerëzve në më të shumtën e rasteve u thuhen gjëra jo të sakta në lidhje me përdorimin ritual të këtyre tabletave. Kryesisht u thuhet se ato shërbejnë për të përmirësuar ndjeshëm cilësinë e shëndetit të tyre, për t’i forcuar dhe për t’i bërë më rezistentë ndaj sëmundjeve dhe ndaj plakjes. Por në fakt, këto tableta mund të jenë të pashëndetshme. Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet, që nga moskuptimi i situatës e deri tek ajo që është më flagrante dhe shumë e rëndë, arsyeja e biznesit pra e dëshirës për të bërë sa më shumë para me shëndetin e të tjerëve. Por cilado që të jetë arsyeja, shëndeti ndodhet në rrezik. Dhe është koha që kjo të ndalet. Është e qartë tashmë se nuk është shkenca, por forcat e tregut, forca e madhe që qëndron pas industrisë gjigante anti-oksidante.

Teoria anti-oksidante së pari u shfaq në SHBA nga shkencëtari Denham Harman në vitin 1950. Ishte ai që sugjeroi që procesi i plakjes dhe sëmundjet e lidhura me të ishin pasojë e aktivitetit të të ashtuquajturave radikale të lira dhe ai tha se si antioksidantët janë të afta që të zgjasin jetëgjatësinë dhe të sjellin një shëndet të mirë. Në dhjetëvjeçarët që pasuan, këto zbulime u mbështetën nga shumë kërkime laboratorike që treguan se dietat që përmbajnë anti-oksidantë ndalojnë radikalet e lira nga veprimtaria e tyre duke reduktuar problemet me sëmundjet e zemrës dhe kancerin. Dhe si pasojë radikalet e lira u shndërruan menjëherë në armikun publik numër një dhe si pasojë antioksidantët në shpëtimtarë. Në fund të viteve ’70 tabletat antioksidante mbushën raftet e farmacive dhe më pas edhe të dyqaneve të tjera dhe njerëzit u dyndën për t’i blerë me doza të mëdha. Vitaminat menjëherë u shndërruan edhe në megabiznesin e madh botëror me një vlerë që sot ka kapur shifrën e 43 miliardë dollarëve. Industria mbështeti studime të cilat dolën në mbështetje të idesë që po arrinte përmasa të mëdha që tabelat e vitaminave janë të tretshme njësoj si vitaminat natyrore. Por në fakt, studimet që mbështesin një gjë të tillë janë në më të shumtën e rasteve të pabazuara shkencërisht dhe të natyrës vëzhguese. Por shumë studime të tjera e kanë kundërshtuar një teori të tillë. Shkencëtarët nisin që të kuptonin se radikalet e lira mund të jenë në fakt të rëndësishme për shëndetin tonë, sepse ato ndryshe nga sa mendohej kryejnë një sërë funksionesh të rëndësishme përfshi ndihmën që i japin sistemit imun për të luftuar infeksionet. Nëse i ndalojmë me vitamina atëherë shtojmë rreziqet e infeksioneve dhe sëmundjeve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit