3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Virtyti i lartë i uljes së shikimit

Më të lexuarat

Allahu, i Lartësuari, ka thënë: “Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, se kjo është më e pastër për ta. Allahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata.” (Nur 24:30)
Pra, Allahu i Lartësuar bëri që pastërtia dhe rritja shpirtërore të rezultojnë nga ulja e shikimit dhe ruajtja e pjesëve të turpshme të trupit të tyre. Për këtë arsye, largimi i shikimit nga të shikuarit e gjërave të ndaluara çon në tre përfitime që kanë vlerë dhe rëndësi të madhe.

E para: Përjetimi i kënaqësisë dhe i ëmbëlsisë së besimit

Kjo kënaqësi dhe ëmbëlsi është shumë më e madhe dhe më e dëshirueshme sesa ajo që do të vinte nga shikimi i atij objekti prej të cilit besimtari e ul shikimin për hir të Allahut. Me të vërtetë, “kushdo që lë diçka për hir të Allahut, atëherë Allahu, Madhështori, do t’ia zëvendësojë atë me diçka më të mirë se ajo”.
Shpirti joshet dhe ka dëshirë të shohë forma të bukura, ndërsa syri është udhërrëfyesi i zemrës. Zemra e autorizon udhërrëfyesin e vet të shkojë e të shohë se çfarë ka atje dhe kur syri e informon se është një imazh i bukur, shpirti drithërohet për shkak të dashurisë dhe dëshirës për të. Kjo e lodh dhe ia sos durimin edhe zemrës edhe syrit, siç thuhet:

Kur ti e dërgove syrin tënd si udhërrëfyes
Për zemrën tënde një ditë, objekti i shikimi të lodhi ty
Sepse pe diçka mbi të cilën nuk pate pushtet
As një pjesë e as në tërësi, në vend të kësaj t’u desh të bëje durim.

Prandaj, kur syve u ndalohet të shohin, zemra gjen rehati nga detyra e vështirë e kërkimit dhe e të dëshiruarit (të kotë).
Kushdo që e lë shikimin e tij të bredhë i lirë, do ta gjejë veten në një gjendje të vazhdueshme humbjeje dhe ankthi, pasi shikimi i jep jetë dashurisë (mahabbah), pikënisja e së cilës është zemra, e cila i dedikohet dhe bëhet e varur nga ajo që sheh. Kjo pastaj intensifikohet duke u bërë dëshirë e zjarrtë (sabaabah) dhe zemra bëhet plotësisht e varur dhe e dedikuar ndaj objektit të dëshirës së vet. Kjo pastaj intensifikohet më shumë dhe bëhet pasion (gharaamah), që kapet pas zemrës siç kapet ai që kërkon borxhin nga borxhliu i vet. Pastaj kjo intensifikohet edhe më shumë dhe bëhet dashuri e pasionuar (ishk) dhe kjo është dashuria që kalon të gjithë kufijtë. Pastaj kjo intensifikohet dhe bëhet pasion i çmendur (shaghafa) dhe kjo është dashuria që ngërthen çdo pjesë të zemrës. Pastaj kjo intensifikohet dhe bëhet dashuri adhuruese (tatayyuma). Tatayyum do të thotë adhurim dhe thuhet: tayyama Allah, ai adhuroi Allahun.
Pra, zemra nis të adhurojë atë që nuk është korrekte të adhurojë dhe arsyeja pas gjithë kësaj ishte një shikim i paligjshëm. Zemra, e cila më parë ishte drejtuesja, tani është lidhur në zinxhirë, kurse më parë ishte e lirë. Ajo është shtypur nga syri dhe i ankohet atij, por syri i përgjigjet: -Unë jam udhërrëfyesi dhe i dërguari yt dhe ishe vetë ti që më dërgove!
E tërë ajo që u përmend i përshtatet zemrës që ka braktisur dashurinë ndaj Allahut të Madhëruar dhe sinqeritetin ndaj Tij, sepse me të vërtetë zemra duhet të ketë një objekt dashurie së cilës i dedikohet. Prandaj, kur zemra nuk do vetëm Allahun dhe nuk e merr atë si Zot, atëherë ajo duhet të adhurojë diçka tjetër.
Allahu i Madhëruar thotë në lidhje me të Dërguarin Jusuf alejhi selam: “Ajo e mësyni atë qëllimisht, e atij do t’i shkonte mendja ndaj saj, sikur të mos i prezentohej argumenti nga Zoti i tij. Ashtu (e bëmë të vendosur) që ta largojmë nga ai të keqen dhe të ndytën. Vërtet, ai ishte nga robërit tanë të zgjedhur.” (Jusuf 12: 24)
Për shkak se ajo grua ishte politeiste, dashuria e pasionuar hyri në zemrën e saj, edhe pse ajo ishte e martuar. Për shkak se Jusufi alejhi selam ishte i sinqertë ndaj Allahut, ai shpëtoi prej dashurisë për atë grua edhe pse ishte i ri, i pamartuar dhe skllav në shtëpinë e saj.

E dyta: ndriçimi i zemrës, perceptimi i qartë dhe vështrimi i mprehtë

Ibn Shuja’a al-Kirmani ka thënë: “Kush ndërton pamjen e tij të jashtme duke pasuar Sunetin, pamjen e tij të brendshme duke u bazuar te meditimi i vazhdueshëm dhe vetëdija për Allahun, i vë fre shpirtit të tij që të mos pasojë dëshirat, ul shikimin e tij nga gjërat e ndaluara dhe gjithnjë ha ushqim hallall, atëherë perceptimi dhe mprehtësia e tij kurrë nuk do të gabojnë.”
Allahu i Madhëruar ka përmendur popullin e Lutit dhe atë që pësuan ata dhe pastaj tha: “Në atë (ngjarje), vërtet ka argumente për ata që mendojnë.” (Hixhr 15: 75)
“Ata që mendojnë” janë ata që kanë perceptim të qartë dhe vështrim të mprehtë, ata që e kanë siguruar veten nga shikimi i gjërave të palejuara dhe nga kryerja e veprave të turpshme.
Pasi ka përmendur ajetin që flet për uljen e shikimit, Allahu i Madhëruar ka thënë: “Allahu është dritë (ndriçues, udhëzues) i qiejve e i tokës.” (Nur 24: 35)
Arsyeja pas kësaj është se shpërblimi është i të njëjtit lloj si veprimi. Pra, kushdo që ul shikimin e tij nga e palejueshmja për hir të Allahut, të Madhërishmit, Ai do t’ia zëvendësojë me diçka më të mirë të të njëjtit lloj. Ashtu si robi i Allahut e mbajti shikimin që të mos bjerë në haram, Allahu e bekoi dritën e shikimit të tij dhe të zemrës së tij duke e bërë që të perceptojë atë që nuk do ta kishte parë dhe kuptuar po të mos e kishte ulur shikimin.
Kjo është diçka që njeriu mund ta ndiejë në vetvete sepse zemra është si pasqyrë dhe dëshirat e ulëta janë si ndryshk mbi të. Kur pasqyra pastrohet nga ndryshku, atëherë do të reflektojë realitetet (haqaaiq) ashtu si janë në të vërtetë. Megjithatë, nëse mbetet e ndryshkur, ajo nuk do të reflektojë si duhet dhe për pasojë dija dhe fjala e saj do të burojnë nga hamendjet dhe dyshimi.

E treta: zemra bëhet e fortë, e qëndrueshme dhe me kurajë

Allahu i Madhëruar do t’i japë asaj ndihmë për ta forcuar ashtu siç i dha dëshmitë e qarta për të pasur dritë. Zemra duhet t’i kombinojë të dy këta faktorë dhe si rezultat shejtani do të largohet prej saj. Në një transmetim thuhet: “Kushdo që kundërshton dëshirat e tij të ulëta, shejtani do të largohet i tmerruar nga hija e tij.”
Kjo është arsyeja përse ai që ndjek dëshirat e tij të ulëta do të gjejë në vetvete një shpirt të turpëruar, të dobët, të pafuqishëm dhe të neveritshëm. Me të vërtetë, Allahu i Lartësuar i jep fisnikëri atij që i bindet Allahut dhe turpërim atij që e kundërshton Atë:
“E mos u dobësoni (fizikisht) dhe mos u dëshpëroni (shpirtërisht) derisa ju jeni më të lartët, po qe se jeni besimtarë të sinqertë.” (Ali Imran 3:139)
“Kush e dëshiron krenarinë (le ta dijë), e tërë krenaria i takon Allahut…” (Fatir 35:10)
Kjo do të thotë se kushdo që dëshiron mosbindjen dhe mëkatet dhe jo Allahun, të Lartësuarin, Madhështorin, Ai do ta poshtërojë atë që nuk i bindet Atij. Disa nga selefi kanë thënë: “Njerëzit kërkojnë fisnikëri në dyert e mbretërve dhe ata nuk do ta gjejnë atë përveç me bindje ndaj Allahut.”
Është kështu sepse ai që i bindet Allahut të Lartësuar, e ka marrë Allahun si mik dhe mbrojtës dhe Ai kurrë nuk do ta poshtërojë atë që e merr Zotin e tij si mik dhe mbrojtës. Në duanë e Kunutit thuhet: “Me të vërtetë s’ka mposhtje për atë që Ti e do dhe s’ka ndihmë për atë që është armiku Yt.”

Ibn al-Kajjim al-Xheuzijeh
(Burimi: al-Muntaqa min Ighaathatul Lufhaan fi Masaayid ash-Shaytaan, fq.102-105, i Ibn al-Kajjim, përkthyer në anglisht nga Ali Hasan)
Përktheu nga anglishtja: Arjan Koçi /klubikulturor/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit