VILDAN FAIK DIBRA
Mrojtësi i Alfabetit Shqip
Reka e Dibrës është një nga vendet ku kanë lindur shumë përsonalitete të lëvizjes kombëtare. Ata nuk janë vetëm luftëtarë me armë, por edhe luftëtarë me penë. i tillë ishte edhe Vildan Faik Dibra, nga Rimnica e Rekës.
Vildani arsimin fillor dhe atë të mesëm e bëri në Dibër, ku kishte një arsim të zhvilluar në gjuhë të huaj turko-arabo-persiane, nga ku dolën shumë patriotë të shquar si Haxhi Vehbi Dibra, Said Najdeni (Hoxhë Voka i Dibrës), Hfz.Maliq Tanusha, nga Tanusha e Rekës, idhtar i zjarrtë i Klubit të Stambollit, Hfz.Abdurrahim Dauti, propagandues dhe mësues i gjuhës shqipe etj.
Studimet e larta i vazhdoi në Stamboll, kur, si shumë shqiptare të tjerë, dhe ky pati rezultate të shkëlqyera në përfundimin e medresesë së lartë. i vlerësuar për përgatitjen e lartë që kishte fituar, u emërua profesor në medresenë e lartë të Yskydarit. Në këtë pjesë të Stambollit, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të kaluar dhe sidomos gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit tonë, ku ky shërbente aty, pati shumë shqiptare në këtë qytet. Më vonë aty u hap edhe një shkollë shqipe, shkolla “Kosova” me nxënës refugjatësh shqiptarë.
V.F.Dibra u aktivizua në lëvizjen kombëtare të fillimit të shekullit XX, duke përqafuar programin e saj. Mori pjesë në Klubin “Bashkimi” të Stambollit dhe e përfaqësoi atë në Kongresin e Manastirit të 1908-ës.
Qëndrimi i tij në këtë Kongres, pro ose kundër alfabetit të Stambollit, kishte një peshë të madhe. Shumë nga pjesmarrësit prisnin nga do të anonte Hfz.Vildani. V. Dibra, duke shprehur pikëpamjen e tij në bazë të thënieve Kur’anore, theksoi: “Feja dhe Kur’ani nuk kanë kurrfarë lidhje me alfabetin. Mësimi i gjuhës shqipe me alfabetin latin nga pikëpamja fetare s’ka asnjë ndalim”. Duke pasur parasysh anen praktike, ai tha se mësimi i gjuhës shqipe me këtë alfabet është më i lehtë.
Hfz.V.F.Dibra është autor i disa veprave letrare-fetare e filozofike në gjuhët e Lindjes. Gjithashtu ai është autor edhe i monografive në lëmin e drejtësisë, në kuadrin e të drejtës së Sheriatit.
Ai, me cilësinë e përfaqësuesit të Komitetit të Stambollit mbajti një varg ligjeratash gjatë vitit 1908 në disa qytete të Shqipërisë. Këto ligjërata dëshmojnë për erudicionin e tij, pathosin patriotik dhe elokuencën profesionale. Vdiq në Stamboll më 1925.