-1.2 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Viktima të iluzionit, syrit të keq dhe smirës

Më të lexuarat

Pa dyshim që hasedi dhe zilia është diçka e pamohueshme, gjë të cilën e gjejmë të konfirmuar si në Kuran ashtu dhe në traditën profetike. Tek hasedi hyn dhe syri i keq, i cili dhe ai është i pamohueshëm. Por, problemi është se disa njerëz vuajnë nga iluzioni, pasi ia kanë mbushur mendjen vetes se janë marrë mësysh në çdo aspekt të jetës së tyre. Sa herë që dështojnë, ia atribuojnë këtë syrit të keq dhe zilisë. Nëse pëson disfatë në punën e tij, kjo për shkak të syrit të keq dhe ziliqarëve të shumtë. Nëse mbetet në mësime, shkaku janë djajtë me pamje njeriu, pasi ai vetë është një gjeni që nuk e lind nëna, janë armiqtë dhe kundërshtarët e tij ata që e privojnë nga suksesi.
Me këtë kategori njerëzish, shejtani tallet dhe i vë në lojë sa herë ti pëlqejë. Ata jetojnë në një botë iluzionare të pavërtetë. Sakaq, njerëzit me dy pare mend në kokë, myslimanë apo jomyslimanë, kanë arritur majat dhe nuk jetojnë në këtë iluzion mbytës. Ibnu Tejmije, Ibnu Haldun, Ibnu Rushd, Sokrati, Ajnshtajni, Njutoni etj… iu imponuan historisë për t’ua përjetësuar emrat. Ata nuk qaraviteshin se janë marrë mësysh, apo se mileti i ka zili. Ndërkohë, ata që vuajnë nga sindromi i iluzionit të zilisë, më kujtojnë thënien e Gëtes:”Kur pula bën vezën, fillon e kakaris sikur të kishte bërë një hënë e jo një vezë.”

Të suksesshmit e çdo shoqërie, e çajnë rrugën e suksesit me bindje dhe besim tek vetja. Ata i gjen në çdo sferë të jetës. Por trutharët dhe idiotët e vërtetë, kanë mbetur në fund të rreshtit, me pretekstin se janë të sëmurë nga syri i keq dhe zilia, nga e cila kanë shpëtuar miliona e miliona të tjerë.

Një herë takova një student universiteti që kishte mbetur disa herë. I çuditur e pyeta mbi shkakun dhe më tha:”Për shkak të smirës dhe syrit të keq.” E pyeta:”Po kolegët e tu të ekselencës? Përse vetëm ty të paska fiksuar smira dhe syri i keq? E vërteta është se ti nuk i ke prekur me dorë librat, ke bërë mungesa dhe ke fjetur gjum në auditor.”
Shoh disa gra që nuk kanë më shumë se 3% bukuri fizike, e megjithatë, edhe kur janë me nënat e tyre, e mbulojnë fytyrën, nga frika se mos i merr ndokush mësysh. Një tjetër është shtatzënë në muajin e nëntë dhe nga frika e syrit të keq, nuk del as para gjyshes së vet. Sikur të ishte duke lindur një Salahudin Ejub, apo një Halid ibnul Velid!

E vërteta është se shejtani tallet me shumë prej nesh, sidomos me ata që s’kanë haber as nga feja dhe as nga dynjaja. Sakaq, njerëzit e zgjuar dhe inteligjentë, janë ata që tallen dhe e vënë në lojë edhe vetë shejtanin, janë ata që i fitojnë betejat me të, janë ata që kanë sukses. Kjo, sepse nuk u kanë besuar iluzioneve.

Do të doja fort që këta obsesivë të çlirohen më në fund nga qelia e iluzionit, ta ushtrojnë jetën dhe aktivitetin e tyre të përditshëm krejt të lirë, ta lënë rehat umetin nga përhapja e patologjive të tyre që bazohen vetëm në iluzione.
Sa herë që jam takuar me trutharë dhe dështakë, kur i pyes se përse janë kaq të demoralizuar, më thonë:”Vuaj nga syri i keq” ose “smira”.
“Po, kush qenka ai rrotë që të paska marrë mësysh ty more?! Çfarë i paska pëlqyer tek ti?! Si i paska lënë ti shpëtojnë gjithë ato talente që shkëlqejnë në fushat e ndryshme të jetës e i paska fokusuar sytë e tij të ligj tek ti?!”
Nëse një zonje fillojnë ti bien flokët për shkaqe organike, menjëherë fillon e qahet e qaravitet se dikush e ka marrë mësysh, ose se e kanë zili. Buran bintul Hasen ibnu Sehl, njihej si vajza më e bukur në të gjithë dinastinë Abasite, e megjithatë, ajo dallohej dhe për flokët e saj të derdhur. Si nuk e mori kush mësysh atë dhe ti binin flokët? Nuk e di!
Disa studente, janë izoluar nga shoqet dhe koleget e tyre, me pretekstin e frikës nga syri i keq dhe smira. Nëse një student dështon në memorizimin e Kuranit përmendësh, për faktin se është prekur nga epidemia e lopës së çmendur, menjëherë akuzon rojen e shkollës se e ka marrë mësysh.

Si është e mundur që syri i keq dhe smira na janë vërsulur neve që besojmë tek Zoti, jemi të lidhur me Krijuesin, memorizojmë Kuranin… duke hequr dorë përfundimisht nga punonjësit e agjencisë Nasa, të cilët kanë vajtur e vazhdojnë të venë në hënë e në Mars?
Thënë shkurt, ne jemi viktima të iluzionit.
Pashi Zotin, na lini rehat me iluzione të tilla dhe i kërkoni Zotit falje dhe pendohuni nga këto vesvese!

By: Dr Aid Elkarnij
Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit