Kryengritësit sirian thonë të kenë pranuar armë të reja të cilat “mund të ndryshojnë rrjedhën e luftës” kundër regjimit sirian, lajmëron një zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare Siriane-FSA.
“Kemi pranuar një sasi të armatimit të ri, përfshirë edhe ato që i kemi kërkuar specifikisht, dhe që besojmë se do të ndikojnë dukshëm në luftimet tona”, Louay Muqdad i tha të premtën agjencisë franceze të lajmeve AFP.
“Kemi filluar t’i shpërndajmë ato në vijat tona të frontit, dhe ato do të jenë në duart e oficerëve profesionistë dhe luftëtarët e FSA”, shtoi ai pa dhënë detaje se për çfarë lloj armësh bëhet fjalë ose prej nga kishin arritur ato.
Sipas tij, armët do të përdoren për një qëllim, që është luftimi i regjimit të presidentit Bashar al-Assad, dhe se ato do të mblidhen pas rrëzimit të regjimit, dhe do t’ju kthehen prapa “vendeve mike apo shteteve vëllazërore” që i dërguan ato për forcat kryengritëse.