Një seri shpërthimesh të fuqishme të ndodhura në përfundim të maratonës së Bostonit kanë shkaktuar dhjetëra të lënduar, ndërsa Fox Neews raporton për të paktën tre persona të vdekur. Sipas mediave amerikane, shpërthimet kanë ndodhur në fund të maratonës. Dhjetëra persona kanë qenë dëshmitarë në vendngjarje. Raportohet për shumë trupa të shtrirë në shesh të gjakosur, ndërsa policia dhe ambulanca të shumta po transportojnë të lënduarit drejt spitaleve, transmeton TCH. Shpërthimet ndodhen në një hark kohor brenda pak sekondash në distancë nga njëri-tjetri. Dëshmitarë, të cituar nga BBC dhe CNN, thonë se shpërthimet ndodhen brenda hotelit “Firamont”, para ndërtesës së të cilit dhjetëra shikues ishin grumbulluar për të ndjekur parakalimin e atletëve pjesëmarrës në maratonë. “Kam parë dy shpërthime. I pari ka ndodhur afër cakut të vrapimit, është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm, kurse më pastaj ka dalë një tym i zi. Kemi filluar të ikim”, ka thënë një dëshmitare nga vendi I ngjarjes. Lidhur me shpërthimet menjëherë është informuar presidenti i SHBA-së Barack Obama dhe zëvendëspresidenti Joe Biden. Nga Shtëpia e Bardhë kanë bërë të ditur se presidenti Obama ka urdhëruar që të lënduarve t’u jepet ndihma e nevojshme mjekësore dhe të angazhohen forca shtesë që vendi i goditur nga shpërthimet sa më parë të sanohet. Policia dhe shpëtimtarët janë në teren dhe po hetojnë se si ndodhi shpërthimi dhe kush mund të jenë shkaktarët. Nuk dihet se çfarë ka shkaktuar shpërthimin apo nëse bëhet fjalë për një sulm terrorist. Për të sqaruar këtë priten njoftime nga autoritetet. /Tg/kohaislame