9.2 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Veteranët e UÇK-së paralajmërojnë protestë brenda oborrit të Qeverisë

Më të lexuarat

Oborri i Qeverisë së Kosovës gjatë muajit tetor mund të jetë i mbushur me veteranë të UÇK-së po qe se Ligji për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së nuk pëson ndryshime konform kërkesës së tyre.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ka paralajmëruar se ai bashkë me shokët e tij në rast se vazhdojnë të mos përfillen kërkesat e tyre kundruall Ligjit, ata do të protestojnë dhe madje nuk do ta bëjnë jashtë rrethojave të objektit të ndërtesës së Qeverisë si më herët, por tash brenda saj.

Veteranët e UÇK-së konsiderojnë se Projektligji për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, të invalidëve, të veteranëve, të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të familjeve të tyre i miratuar në lexim të dytë vitin e kaluar në Kuvendin e Kosovës duhet të pësojë ndryshime. Për kryetarin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së dhe shokët e tij është i papranueshëm riformulimi i nenit 12 të Ligjit të miratuar në të cilin tash shkruan: “Të drejtat në beneficione për veteranët e UÇK-së si dhe kriteret e kualifikimit për njohjen dhe realizimin e tyre do të rregullohen me ligj të veçantë”. Ata kërkojnë përfshirjen e beneficioneve për veteranët e UÇK-së në kuadër të ligjit të miratuar.

Qeriqi ka thënë se gjendja e veteranëve të UÇK-së në vend vazhdon të mbetet e rëndë. “Tash me rastin e njëvjetorit të ndërprerjes së grevës e kemi mbajtur një takim si këshill dhe kemi diskutuar rreth asaj se sa është ndryshuar gjendja përballë kërkesave tona. Ne kemi ardhur në përfundim se për çdo ditë gjendja e veteranëve të luftës po vjen duke u keqësuar dhe asnjë ndryshim pozitiv nuk po ndodh. Për çdo ditë po kemi vetëvrasje të veteranëve, gjendja e tyre veç po keqësohet”, ka thënë ai. “Ne kemi marrë një vendim që pas shtatorit nëse nuk arrijmë ndonjë marrëveshje që ky ligj të bëhet në formën më të mirë, ne do të bëjmë protestë dhe më jo sikur më herët jashtë oborrit të Qeverisë, por tash brenda rrethojave”.

Protestë në rast të mosndryshimit të ligjit nuk ka paralajmëruar vetëm Këshilli që drejtohet nga Qeriqi.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli, ka thënë se në rast se nuk përmbushen kërkesat e organizmit që ai përfaqëson, atëherë nuk mund të përjashtohen protestat. “Ne jemi duke pritur në muajin shtator, siç jemi marrë vesh edhe me kryeministrin, edhe me deputetët dhe disa prej ministrave, që ligji të kthehet në Kuvend për ndryshim në bazë të kërkesave që ne i kemi bërë: përfshirja e beneficioneve për veteranët dhe përmirësimi i periudhës kohore për dëshmorët e kombit. Ne kemi marrë premtimet që do të bëhet amendamentimi i ligjit aktual që është në fuqi dhe jemi duke e pritur këtë gjë”, ka thënë Xhemajli. “Ne do të presim deri në muajin shtator dhe nëse diçka nuk fillohet të bëhet me kërkesat tona dhe me ligjin, atëherë në muajin shtator ne do të marrim masa të cilat i kemi në kuadër të programit dhe statusit të organizatës, duke mos përjashtuar edhe protestat, demonstratat e format e tjera”.

Gazeta është munduar të marrë një qëndrim nga Qeveria, por nuk ia ka dalë.

Projektligji për kategoritë e UÇK-së qe miratuar më 8 dhjetor të vitit të kaluar në Kuvendin e Kosovës./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit