Një grua indoneziane që u arrestua për vrasjen e gjysëm-vëllait të liderit të Koresë së Veriut ka thënë se i ishin dhënë 90 dollarë ose 400 para malajziane për të bërë “një shaka”, shkruan BBC.
Zyrtarë të ambasadës indoneziane e takuan Siti Aisyah –n të shtunën në kryeqytetin e Malajzisë. Ajo tha se i kishin dhënë para në dorë që t’i hidhte në fytyrë Kim Jong nam-it “vaj bebesh” në kuadrin e një emisioni humori.
Analizat treguan se Kim ishte vrarë me një lëndë kimike shumë të fuqishme VX, e cila është klasifikuar si armë e shkatërrimit në masë nga OKB.
Kush mund të fshihet pas këtij sulmi?
Ekziston dyshimi në masë të gjerë se Korea e Veriut fshihet pas tij, gjë që ajo e mohon fort.
Tre persona janë arrestuar për vrasjen, ndërsa 7 të tjerë janë të dyshuar dhe në kërkim nga policia, përfshirë edhe një koreanoverior.
30 minuta pas takimit me Siti Aisyah të shtunën, ambasadori indonezian Andreano Erwin tha: “Në përgjithësi ajo tha vetëm që dikush i kërkoi ta bëntë atë akt dhe se ishte takuar me njerëz që dukeshin si japonezë apo koreanë. Sipas saj, personi i dha asaj 400 “ringgits” që ta bënte atë veprim me atë lëndë si vaj bebesh.”
Zyrtarët thanë se ata nuk shihnin ndonjë shenjë fizike që e dyshuara të kishte qënë e prekur nga ai kimikat.