Në opinionin kroat ende është i diskutueshëm fjalimi i ministrit serb për Punë, Aleksandar Vulin, i mbajtur në ceremoninë përkujtimore të viktimave në Jadovno të Kroacisë të dielën e kaluar. Vulin, ndër të tjera, kardinalin kroat Alojzije Stepinac, të cilin Vatikani e ka shpallur të Lum, e quajti famullitar ushtash. Ministrja Vesna Pusiç ka vlerësuar se njerëzit në pushtet në Serbi nuk janë pjekur për të udhëhequr seriozisht vendin.
Siç raporton Anadolu Agency (AA) ministrja e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane Vesna Pusiç para një seance të Qeverisë tha se përkrahja e Vuçiçit ndaj deklaratës së Vulinit “do të thotë se zoti Vuçiç e ka një problem më të madh se sa mendohej më parë”.
E pyetur nëse sjellja e Vulinit dhe Vuçiçit do të thotë se të gjithë në rajon kanë problem, ministrja Pusiç tha se është e mendimit që Kroacia nuk ka problem.
Në Kroaci, për shkak të fjalimit të Vulinit ku ai ka fyer kardinalin Stepinac, është kritikuar edhe Qeveria kroate, si nga ana e opozitës, ashtu edhe nga ana e përfaqësuesit të Kishës Katolike.
“Kjo sjellje provinciale dhe degradimi i Kroacisë në këtë nivel vetëm tregon se njerëzit që bëjnë atë me të vërtet nuk janë në gjendje dhe nuk janë të pjekur të udhëheqin një vend serioz”, ka deklaruar ministrja Pusiç e cila deklaratën e Vulinit e ka dënuar në kohën e reagimeve të para të opinionit.
“Ne mbajmë standardet tona, jemi një vend serioz dhe kështu do të vazhdojnë të sillemi, ndërsa ata qe nuk janë në gjendje të veprojnë kështu mos të merren me këtë punë”, porositi ministrja Pusiç.
Aleksandar Vulin në memorialin për njerëz të vrarë nga regjimi pro-nazist i Luftës së Dytë Botërore në kampin e përqendrimit Jadovno pranë qytetit kroat të Gospicit erdhi me ftesë të Këshillit Kombëtar Serb (SNV).kohaislame