9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Vështrim Propozimit të BE-së për normalizim

Më të lexuarat

Është e paqartë çka nënkuptohet me termin “autonomi” në nenin 2 të Propozimit të BE-së. Paqartësitë e tilla do të kuptohen me publikimin e Udhërrëfyesit për implementim, që është dokument më i rëndësishëm sesa Propozimi.

27 shkurti i këtij viti duket të jetë lajmëtari i përmbylljes së një procesi që ka filluar më shumë se një dekadë më herët. Takimi mes krerëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe përfundimi i tij me zotim gojor të palëve respektive për pranimin e planit të ashtuquajtur Franko-Gjerman (Propozimin e BE-së) përmbledhë parimet bazë me të cilat Kosova dhe Serbia do t’i qasen njëra-tjetrës tash e tutje. Pasi është publikuar propozim-marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë është e nevojshme që në pikëpamjen juridike të interpretohen përkufizimet e qarta dhe të paqarta juridike e politike të kësaj marrëveshje deri në këtë fazë, e në kuptimin politik të analizohen se cilat janë ndryshimet dhe arritjet e secilit shtet nga pozicioni i deritanishëm i shumë marrëveshjeve të nënshkruara me ndërmjetësimin e BE-së.

  1. Fakti më i rëndësishëm është se, Udhërrëfyesi i implementimit do të duhej të interpretojë marrëveshjen në kuptimin e gjerë juridik, pasi që ambiguiteti konstruktiv (dykuptimshmëria) si taktikë juridike e marrëveshjeve ndërkombëtare, e zbatuar për herë të parë nga Henry Kissinger në marrëveshjen Izrael-Palestinë, nuk mund të sjell zgjidhjen reale, praktike dhe afatgjate të të gjitha çështjeve të hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë.
  2. Është e qartë, se kjo marrëveshje nuk e sjell njohjen de-jure të Serbisë. Megjithatë, njohjen de facto të filluar qysh në fillim të procesit të dialogut e avancon në nivelin më të lartë, ashtu që nëse palët dhe sidomos Serbia nuk bën hile gjatë zbatimit të marrëveshjes, të gjitha ndërveprimet mes dy shteteve do të jenë sikur të dy shteteve që e njohin njëra-tjetrën. Prapëseprapë, duhet të kihet parasysh që njohja de facto sipas të drejtës ndërkombëtare është e tërheqshme dhe e kthyeshme.
  3. Është e qartë, që rrugët e integrimit të Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian nuk mund të pengohen nga njëra-tjetra, që nënkupton se palët do ta kenë vetëm pafuqinë apo paaftësinë e tyre diplomatike dhe politike, pengesë për arritjen e përfshirjes në BE. Kjo pikë është riciklim i pikës 14 të Marrëveshjes së Brukselit (2013).
  4. Është fakt i qartë që kjo marrëveshje nënkupton zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, përfshirë marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe (2015). Me qenë se vetë marrëveshja në fjalë i referohet Gjykatës Kushtetuese si legjitimuese e saj, ky asociacion, që në Propozimin e BE-së referohet si “një nivel i përshtatshëm i vetë-menaxhimit” nuk mund të hartohet në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe me vendimin e gjykatës për të. Me këtë marrëveshje, Qeveria e Kosovës riobligohet që vetë të hartojë dhe propozojë draft-statutin e këtij asociacioni, duke marrë në konsideratë leksionet e Gjykatës Kushtetuese. Kjo nënkupton që me statut asociacioni nuk mund t’i ketë kompetencat e një niveli të tretë të qeverisjes, t’i zëvendësojë a t’i pengojë komunat anëtare të saj, dhe nuk mund ta prekë unitaritetin e shtetit të Kosovës. Megjithëkëtë, në rast se me frazën “një nivel i përshtatshëm i vetë-menaxhimit” nuk referohet marrëveshja e 2015-tës, por diçka tjetër që do të publikohet në kuadër të Udhërrëfyesit për implementim, atëherë bëhet fjalë për diçka krejt të panjohur.
  5. Është fakt i qartë se Kosova e fiton potencialin për përforcim të dukshëm të subjektivitetit të saj juridik e politik si shtet i pavarur dhe sovran, ngase përforcohet njohja e kredencialeve të shtetit, e sidomos sovranitetit dhe integritetit territorial, që përkthehet si heqja dorë dhe përmbajtje zyrtare e Serbisë nga çfarëdo pretendimi territorial mbi territorin e Kosovës. Për më shumë, ndryshe nga deklaratat agresore të zyrtarëve serb për “ripushtim” të Kosovës, me këtë marrëveshje përjashtohet mundësia për agresion ndaj njëra-tjetrës.
  6. Është fakt i qartë se Kisha Ortodokse Serbe do të ketë status të mbrojtur juridik, me ligj special, por që nuk do të dhe nuk mund të përmbajë implikime apo pasoja juridike që cenojnë shtetësinë e Kosovës. Megjithatë me qenë se shteti i Kosovës është republikë neutrale në çështjet e fesë, kjo pikë duket problematike nga se juridikisht favorizon anëtarët dhe organizimet e një feje për dallim nga të tjerat.
  7. Është fakt i qartë se përveç përparimit të njohjes së cilësive të shtetësisë (pasaportës, diplomave, dhe dokumenteve të tjera), si premtim jojuridik, duket që Kosovës do t’i hapet rruga për statusin e anëtarit kandidat në BE, përfshirje në programin e NATO-s, Partneritetin për Paqe (i cili ndër të tjera, mund të lexohet si fazë hyrëse për anëtarësim), përfshirja në Këshill të Evropës, përfshirja në Interpol, njohja nga disa vende mosnjohëse të BE-së dhe potencialisht vende të tjera jashtë BE-së.
  8. Është fakt i paqartë, nëse mospengimi i integrimit ndërkombëtar për Kosovën do të mundësojë edhe inkuadrimin në organizmat tjerë ndërkombëtar. Përderisa në pikën për integrimin Evropian përmendet edhe ndalesa për inkurajim të pengimit, në pikën për mekanizmat e tjerë ndërkombëtar përmendet vetëm ndalimi për kundërshtim të Serbisë. Pra, Serbia detyrohet që të përmbahet nga kundërshtimi, por ky kundërshtim nuk nënkupton ndalesën për ndërmarrjen e veprimeve aktive me qëllim të pengimit të Kosovës për inkuadrim në organizmat ndërkombëtar si për shembull OKB, përmes shteteve të tjera. Për më tepër, ky qëndrim abstenues i Serbisë nuk sjell garanci se Rusia ose Kina mund të heq dorë nga përdorimi i vetos në Këshillin e Sigurimit. Por inkuadrimi në OKB, mund të arrihet nëse në Udhërrëfyesin e implementimit të aneksuar në marrëveshje, decidivisht përfshihet mospengimi i përfshirjes së Kosovës në OKB. Kësisoj Rusia nuk mund të mbronte “sovranitetin fiktiv” të Serbisë, nëse e njëjta “heq dorë” nga “sovraniteti fiktiv” i saj.
  9. Është fakt i paqartë përdorimi i përbashkët i termave “respektimit të pavarësisë së tyre, autonomisë dhe integritetit territorial”. Në Udhërrëfyesin e implementimit të aneksuar duhet të sqarohet se çka nënkuptohet me autonominë. Qeveria e Kosovës duhet të insistojë se autonomia duhet të nënkuptojë; autonomi fetare, kulturore dhe arsimore, të cilat në realitet janë edhe të garantuara me Pakon e Ahtisarit, dhe të përfshira në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të zbatuara në praktikë, si dhe në marrëveshjen mbi lirinë e asocimit të komunave serbe, e assesi autonomi territoriale për komunat në fjalë.

Si përfundim, Propozimi i BE-së është hartuar në atë mënyrë që përmes gjuhës së shumëkuptimshme argumenti/argumentet i/e njëjtë të përdoret/n nga palët për të mbështetur qëndrimet e tyre respketive, që lehtë mund të jenë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Kjo marrëveshje shënjon përparim në pozicionin e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, megjithatë mungesa e njohjes de jure është problematikë që Serbia mund ta përdorë në të ardhmen edhe politikisht brenda Kosovës, por edhe kur në tavolinë të dialogut do të negociohet për njohjen de jure. Kjo marrëveshje, po ashtu, do të prodhojë siguri të shtuar juridike për investime të huaja, dhe ndihma të tjera nga BE dhe instancat e tjera, fakt i cili mund të sjellë përparim ekonomik në Kosovë në vitet në vijim. Megjithatë, pa u nënshkruar nga Kosova dhe Serbia, kjo marrëveshje mbetet ende draft, dhe sidomos pa aneksin e Udhërrëfyesit të implementimit marrëveshja mbetet ashtu siç është synuar të jetë, ambiguoze.

Asdren Bytyqi & Andi Rexhepi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit