Biznesmeni kontravers serb nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, do të ndërtojë një hotel luksoz me 5 yje në qendrën e skijimit në Kopaonik.
I akuzuari për krime ekonomike në Serbi dhe për nxitje të trazirave në veri të Kosovës si dhe për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, e ka blerë një pronë në këtë qendër turistike nga i ati i tenistit serb, Novak Gjokoviq, po nga pjesa veriore e Kosovës.
Bëhet fjalë për një parcelë 900 metra katror, të cilën Sërgjan Gjokoviq e kishte blerë para disa viteve, ku kishte planifikuar ta ndërtonte një hotel.
Burime të gazetës serbe Blic, kontrata është bërë dhe e gjithë projekt-ideja i kalon në Veselinoviqit.
“Për familjen Gjokoviq ky kompleks ka qenë më shumë emocional sesa interes afarist. Pasi që Novak Gjokoviq, hapat e parë të tenisit i kishte nisur në Kopaonik. Për këtë arsye Sërgjan Gjokoviq i kishte ofruar Zvonko Veselinoviqit këtë projekt, duke pasur parasysh se edhe janë shokë të vjetër nga vendlindja (Zveçan)”, ka thënë burimi i Blicit, transmeton lajmi.net.
Lajmin e ka konfirmuar edhe vet Veselinoviq, i cili ka pranuar se është në negociata për blerjen e kësaj parcele.
“Ligjërisht objekti ende nuk është në pronësinë time, por pres që kjo të ndodhë brenda këtyre ditëve”, ka thënë ai.
Vëllezërit Zvonko dhe Zharko Veselinoviq ishin akuzuar për një sërë aktivitetesh kriminale, përfshirë edhe trazirat në vitin 2011 në Mitrovicën e veriut.
Më 20 dhjetor të vitit 2011, Veselinoviq ishte arrestuar nga policia serbe në Kopaonik, nën dyshimin se ka prodhuar dhe ka nxjerrë në qarkullim armë dhe materie shpërthyese. Por, ky arrestim kishte ndodhur pasi që KFOR-i e kishte quajtur si organizatorin kryesor të sulmeve mbi pjesëtarët e forcave ndërkombëtare në Jarinë, në kufirin Kosovë – Serbi.kohaislame