Xhabir ibën Abdullahi, radijallahu anhu, na tregon se Pejgamberi, sal-lall-llahu aljehi ve sel-lem, ka thënë:
“Çdo gjë që nuk është përmendje e Allahut është e kotë përpos katër gjërave: përkëdhelja e burri ndaj gruas së vet, stërvitja e atit, ecja e shpejtë (vrapimi) mes dy shenjave dhe mësimi i notit”. (Nesaiu. Imam Ibën Haxher Askalani e ka vlerësuar si hasen, kurse shejh Albani e vlerëson si sahih.)
Ukbe ibën Amir, radijallahu anhu, na tregon se Pejgamberi, sal-lall-llahu aljehi ve sel-lem, thotë:
“Çdo argëtim i njeriu është vepër e kotë përpos tre gjërave: gjuajtja e shigjetës, stërvitja e atit dhe përkëdhelja e gruas, ato janë veprime të sakta”. (Ibën Maxhe dhe Tirmidhiu. Sahih).
Në këto dy hadithe tregohen disa gjëra:
1- Kujdesi ndaj gruas dhe angazhimi në përkëdheljen e gruas, fëmijëve dhe familjes. Kalimi i verës në gjirin familjar, duke u kujdesur për ta është vepra më e mirë që mund ta bën njeriu në këtë verë. Jeta e ndershme familjare sjell edhe pasardhës të ndershëm dhe të devotshëm.
2- Shfrytëzimi i pushimeve verore për tu angazhuar me sporte të ndryshme, të cilat njeriun e bëjnë të fuqishëm dhe të shkathët. Në këtë rast janë përmendur noti dhe ecja ose vrapimi.
3- Stërvitja e atit dhe gjuajtja janë dy sporte që kanë të bëjnë me luftën dhe ato e bëjnë njeriun më të përgatitu për tu ballafaquar me armikun.
Shikoni se çfarë motivimi dhe edukimi na japin mësimet dhe këshillat e Pejgamberit tonë, Muhammedit, sal-lall-llahu aljehi ve sel-lem?! Shkurtë dhe qartë. Ama plot me urtësi dhe mësime. Allahu na mundësoftë të ndjekim rrugën e Muhammedit, sal-lall-llahu aljehi ve sel-lem, sepse vetëm aty qëndron shpëtimi dhe fitimi.
Hoxhë Bekir HALIMI