Gjykata e qarkut në Frankfurt vendosi se arrat lejohen të bien nga pemët, duke konkluduar se ky fenomen vjeshtor që përsëritet çdo vit mund të konsiderohet si “fakt natyror”.
Vendimi u mor pas një padie që kishte ngritur një grua, makina e së cilës qe dëmtuar nga arrat që binin nga pema e fqinjit të saj. “Paditësja theksonte se arrat dhe degët e pemës së arrës kishin rënë mbi makinën e saj për shkak të erërave të forta një natë tetori të vitit 2013 dhe kishin shkaktuar dëme tek makina”, thuhet në vendim. Gruaja e kishte paditur fqinjin e saj për një shumë prej 3866.36 eurosh për të mbuluar shpenzimet për riparimin e makinës së bashku me interesin bankar të shumës.
Vjeshta përmban rreziqe natyrore
Degët e pemës së fqinjës kishin kaluar me 1.5 metra në pronën e paditëses për shkak të një “gabimi statistikor”. Fqinji, pra i pandehuri, i kishte prerë rregullisht degët dhe pema qe e shëndetshme.
Po ashtu fqinji e kishte refuzuar më parë kërkesën me shkrim të gruas që i kërkonte leje për të ndërtuar një strehë me çati për automjetin e saj.
I pandehuri kishte argumentuar se ai nuk ishte përgjegjës për pagimin e dëmeve pasi rënia e arrave nga pemët në vjeshtë është “një proces i natyrshëm dhe bën pjesë në rreziqet natyrore të jetës”.
Vendimi i trupit gjykues
Në vendimin e saj (27.01.2018) gjykata mori anën e të paditurit duke arritur në konkluzionin se “paditësja duhet të llogarisë me rënien e arrave nga një pemë arre gjatë vjeshtës”.
“Për të përjashtuar plotësisht rrezikun që vjen nga arrat që bien, i vetmi përfundim logjik është ose prerja e pemës në fjalë ose e rrethimit me një rrjetë sigurie”.
Megjithatë një opsion i tillë do të ishte i paarsyeshëm për shkak të shpenzimeve që nevojiten dhe faktit që bashkia do ta kundërshtonte një gjë të tillë.
Paditësja duhet të mbajë shpenzimet gjyqësore. Ajo mund të paraqesë ankesë në gjykatën e apelit brenda një muaji./gsh