0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Vendet e Ballkanit të mbushura me armë zjarri

Më të lexuarat

Serbia është kryesuese në rajon në zotërimin e armëve të zjarrit të ligjshme e të paligjshme, por vendet e tjera nuk janë shumë pas.

Shtetasit e Evropës Juglindore janë të armatosur rëndë: sipas South Eastern and Eastern Europe Clearinghouse për Kontrollin e Armëve të Vogla e të Lehta, njerëzit në rajon zotërojnë ligjërisht 3 milionë armë zjarri e 4 milionë armë të paligjshme të tjera.

Serbia kryeson rajonin në armë, sipas Ivan Cvijoviç, inspektor i policisë në sektorin e rendit publik të departamentit të policisë së Beogradit. Niveli i armëve të zjarrit të rregjistruara për 100 vetë është 15.81

Mali i Zi ka 14.36 armë për 100 vetë, i ndjekur nga Kroacia (8.36), Bosnjë dhe Hercegovina (BiH) (7.97), Maqedonia (7.63), Moldavia (5.44) e Bullgaria (4.93). Greqia e Rumania kanë më pak se një armë të liçencuar për 100 vetë, tha Cvijoviçi.

“Pothuajse 45,000 armë janë në duart e 3,300 njësive të ligjshme, ndërsa më shumë se 1 milionë armë zotërohen nga 600,000 individë [në Serbi]. Kjo do të thotë se disa njerëz kanë më shumë se një armë. Shpesh vetëm një është e rregjistruar,” tha Cvijoviçi për SETimes .

Kur vjen puna tek armët e paligjshme të zjarrit, Serbia është përsëri një kryesuese në rajon me rreth 1 milionë armë të paligjshme, sipas një studimi nga OJQ Vëzhgimi i Armëve të Vogla, nga Zvicra.

Po të merren parasysh si armët e ligjshme, edhe ato të paligjshme, OJQ tha se Serbia ka rreth 38 armë për çdo 100 vetë.

Sipas Zllatko Nikoliç, një analist në Institutin për Studimin Kriminologjik e Sociologjik në Beograd, zotërimi i armëve të paligjshme të zjarrit është rezultat i dy dekadave luftë, konflikteve, kriminalitetit e korrupsionit. Ai tha se duhet patur parasysh politika e zbutur penale për të paturit e një arme të paligjshme: në varësi të tipit të armëve e sasisë, dënimet shkojnë nga tre muaj burgim në lirim me kusht.

Kriminologët pohojnë se së paku 80% e armëve të zjarrit që njerëzit fshehin në shtëpi janë nga luftërat e kaluara.

Banori i Podgoricës Novica S., 55 vjeç, është një gjahtar i pasionuar e ka të gjitha dokumentat për pushkën e tij të gjahut. Megjithatë, ai ka një pistoletë të tipit Beretta, një dhuratë nga i ati që luftoi në Luftën e Dytë Botërore dhe e fitoi atë si një trofe.

“E përdorim vetëm për raste të posatçme: festime dasmash, lindje fëmijësh ose Krishtlindje. Ligji i ri thotë se armëve trofe duhet t’u hiqet goditësi, kështu që nuk kam ndërmend t’a rregjistroj. Nuk do të ishte një armë atëherë, por një lodër,” tha Novica që i kërkoi SETimes të mos përdorë mbiemrin e tij për shkak të natyrës së paligjshme të armës së tij.

Në Kroaci ka 313,818 armë zjarri të rregjistruara. Numri i armëve të paligjshme është përllogaritur në rreth 600,000.

Nga 450,000 shtetas të rritur në Malin e Zi, 103,700 prej tyre kanë leje për të mbajtur armë. Në vend ka 170,000 armë zjarri të ligjshme, por ministria e brendshme llogarit se është po kaq numri i armëve të paligjshme.

Sipas OJQ-së maqedonase Civil, që kryeson një fushatë mbarë-kombëtare për të kontrolluar armët e mbajtura privatisht, një në katër familje maqedonase ka armë zjarri të rregjistruar në shtëpi. Numri i armëve të paligjshme në vendin me 2.1 milionë banorë arrin në 250,000.

Xhabir Deralla, kreu i organizatës, tha se vendi ka nevojë për një fushatë tjetër çarmatimi, pasi përpjekjet e mëparshme të bashkërenduara nga nga policia kanë qenë të pasuksesshme. Mbledhja e fundit e armëve, në janar 2011, mblodhi 100 armë, duke përfshirë armë, një minë e municione.

“Civil vlerëson se 110,000 deri në 170,000 vetë në vend mbajnë 500,000 armë të paligjshme ,” tha Deralla për SETimes .

Qendra e Beogradit për Studimet e Sigurisë zhvilloi një sondazh më 2011 mbi ndjenjën e sigurisë mes shtetasve serbë. Pothuajse 70% u përgjigjën pozitivisht.

“Megjithatë, ndjenja e sigurisë se tyre nuk i atribuohet efektshmërisë së shtetit, por forcës së vetë atyre e të lagjeve të tyre. Pra, mendoj se kur policia e prokurorët të nisin të bëjnë punën e tyre më seriozisht, do të ketë më pak dyshim mes njerëzve e do të jenë të gatshëm të dorëzojnë armët e tyre,” tha Nikoliçi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit