0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Vendet e Ballkanit do të rrisin bashkëpunimin në fushat e sigurisë

Më të lexuarat

Zyrtarët thanë se BE dhe vendet e Ballkanit po forcojnë bashkëpunimin e agjencive të zbatimit të ligjit dhe të autoriteteve gjyqësore në luftë kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

BE ndau fondet për tre vitet e ardhëshme për një projekt të ri që merret posaçërisht me krimin e organizuar dhe korrupsionin, që do të rrisë gjithashtu sigurinë kufitare.

5 milion euro që ai miratoi më parë këtë muaj do t’i jepen Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi.

Fondet do të zbatohen për të zgjeruar mbështetjen teknike dhe operacionale për ekipet e përbashkëta të hetimit, programet e mbrojtjes së dëshmitarëve, teknologjitë e reja, asistencën ligjore dhe përmirësimin e transferimit të informacionit, mbrojtjes së të dhënave dhe ekstradimet.

Katër zyra rajonale do të hapen si pjesë e projektit, një nga të cilat do të jetë në Shkup, tha ministrja e punëve të brendëshme të Maqedonisë Gordana Jankulovska.

“Projekti do të jetë përfitues jo vetëm për vendet në rajon, por gjithashtu për vendet anëtare të BE-së,” i tha Jankulovska SETimes.

Ekspertët thanë se projekti do të përmirësojë kapacitetin e vendeve për të kryer hetime të përbashkëta dhe për t’u angazhuar në shkëmbimin në kohë të informacionit mbi procedimet.

“Një nga sfidat kryesore është natyra transnacionale e shumë grupeve të krimit të organizuar. Me qëllim që t’i hetojnë dhe procedojnë ato efektivisht, është e nevojshme rritja e rrjeteve ndër-kufitare të zbatimit të ligjit. Efekti neto do të jetë që të reduktojë ndjeshëm trafikimin e paligjshëm që është përdorur shpesh nga organizatat ekstremiste dhe bile terroriste,” i tha SETmesBlagoja Markovski, president i Forumit të Sigurisë së Ballkanit.

Ministria e brendëshme e Italisë do të jetë e ngarkuar me zbatimin e projektit. Agjencitë e zbatimit dhe zhvillimit të ligjit nga Greqia, Polonia, Austria, Spanja, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara do të asistojnë vendet e Ballkanit.

Ministri i brendshëm i Shqipërisë Sajmir Tahiri propozoi të ngrihet një bord i përbashkët teknikësh për të bashkërenduar çështjet operacionale.

“Bashkëpunimi midis nesh është shumë i rëndësishëm për të ndarë informacionin lidhur me arritjet tona, por gjithashtu për të mësuar nga gabimet e njeri tjetrit,” tha Tahiri. “Kur ne flasim për terrorizmin, ne ndeshim sfida të përbashkëta. Terrorizmi është një sfidë rajonale dhe globale dhe suksesi ynë varet nga bashkëpunimi.”

Raportet e përparimit të pranimit të BE-së kanë treguar se vendet rajonale duhet të rrisin përdorimin e teknikave të posaçme të hetimit dhe hetimet financiare. Por në disa vende, BE ka kërkuar që këto masa të çiftohen me reforma të gjëra policore.

Raporti i fundit i përparimit të BE-ë për Shqipërinë thoshte se vendi duhet të përmirësojë mekanizmat e luftimit të krimit të organizua, të rrisë bashkëpunimin midis agjencive qeveritare, veçanërisht midis gjyqësorit dhe policisë, të të rrisë bashkëpunimin në mbledhjen e të dhënave të inteligjencës dhe përpunimit të të dhënave dhe të rrisë mjetet e posaçme të hetimit.

BE vinte në dukje se policia kufitare dhe e migracionit e Shqipërisë ka akses të kufizuar në softuerin e sistemit penal MEMEX. Ai rekomandoi zhvillim të mëtejshëm të këtij sistemi në pikat e kalimit kufitar për të mundësuar policimin e udhëhequr nga inteligjenca dhe kapacitetin e vlerësimit të kërcënimeve.

“Për të arritur nivelet e larta të sigurisë të BE nuk është e mjaftueshme të kesh një angazhim të vendit, por gjithashtu bashkëpunim rajonal. Kjo nismë do të forcojë bashkëpunimin midis vendeve dhe do ta bëjë rajonin, më saktë, Europën, më të sigurt e të parrezikshme,” i tha SETimesHasan Çelibashi, një ekspert në Qendrën për Sigurinë dhe Angazhimin në Tiranë.

Ekspertët thanë se përfitimet shtesë të pritura në kuadrin e projektit përfshijnë trajnimin dhe seminaret e rastit për të rritur ndërveprimin midis shërbimeve të duhura të sigurisë dhe krijimin e një kuadri të përmirësuar ligjor dhe operacional.

Projekti është i rëndësishëm për Ballkanin, pasi do të rrisë kapacitetin e agjencive të zbatimit të ligjit për të ofruar prova të besueshme për ndjekjen e transaksioneve të dyshimta nëpër kufijtë, tha Dushko Stojanovski, profesor në Kolegjin Amerikan në Shkup.

“Procedurat operuese të standardit të përbashkët midis policisë dhe prokurorisë duhet të zhvillohen me qëllim që të përmirësojnë rritjen e bashkëpunimit dhe besimit midis tyre. Kapacitetet operacionale të laboratorit forensik, policimit të kamufluar dhe shërbimeve të mbrojtjes së dëshmitarëve duhet të mbështeten më tej,” i tha Stojanovski SETimes.

Stojanovski tha se ka dallime thelbësore midis sistemeve penale të vendeve anëtare të BE dhe atyre rajonale, që e kanë bërë luftën kundër krimit të organizuar më pak efektive.

“Bashkëpunimi ndër-kufitar dhe ndërkombëtar do të jetë veçanërisht përfitues për vendet që nuk kanë legjislacion të mjaftueshëm, strukturë të zbatimit funksional të ligjit si dhe kapacitete operacionale për të kryer procedime dhe hetime ndër-kufitare,” tha Stojanovski.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit