0.3 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Veliaj: Qendra e Tiranës çlirohet brenda nëntorit

Më të lexuarat

Qendra e Tiranës do të çlirohet nga trafiku brenda nëntorit. Kështu bëri të ditur kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë inspektimit të punimeve për zhvendosjen e nënstacionit elektrik tek Unaza e Vogël.

“Ka qenë një operacion i vështirë. Ju e dini fare mirë që nënstacioni ka vite që është vendosur këtu dhe sa herë që bëhen zhvendosje të tilla na duhet njohuri shumë e mirë teknike dhe ekspertë të huaj. Por, besoj se disa gjëra i kemi bërë mirë dhe ia kemi dalë me sukses. Kemi bërë një shpronësim në qendër të Tiranës, për t’i hapur rrugë projektit të Unazës Vogël, tani po bëjmë edhe zhvendosjen e nënstacionit”, tha Veliaj. Kryebashkiaku falenderoi edhe përfaqësuesit e OSHEE-së, të cilët kanë marrë të gjitha masat që qendra e Tiranës mos mbetet pa drita.

Veliaj sqaroi se festat e nëntorit do ta gjejnë Tiranën të çliruar nga trafiku dhe rrëmuja e punimeve, falë lirimit të hapësirës që ishte bërë pengesë prej disa vitesh për të vënë në funksion Unazën e Vogël.

“Me të mbaruar ky proces, që besoj do zgjasë edhe disa ditë, do të vazhdojmë me përfundimin e rrugës për të hapur Unazën e Vogël të Tiranës. Ajo që presim në këtë fazë të fundit është që, kur të vijnë festat e Çlirimit dhe të Pavarësisë, të na gjejë të çliruar nga trafiku dhe të pavarur nga rrëmuja e punimeve në qendër të Tiranës, për të pasur një çlirim dhe pavarësi edhe të Tiranës në fund të nëntorit”, theksoi kreu i bashkisë.

Veliaj tha se me ritmet me të cilat ka ecur puna deri tani, edhe sheshi “Skënderbej” pritet të marrë formën e tij të plotë para afateve të përcaktuara në kontratë, duke i dhënë qendrës së Tiranës pamjen e merituar.

/ Top Channel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit