1.1 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Veliaj kërkon taksë për ata që hyjnë në Tiranë. Propozimi: Çdo person që vjen, qoftë edhe gjysmë dite…

Më të lexuarat

BESARTA BASHA

Edhe të ardhurit në kryeqytet nuk do të privohen nga taksat e Bashkisë së Tiranës. Çdo person që hyn, qoftë edhe për një gjysmë dite, por nuk figuron në regjistrin e gjendjes së saj civile, do të paguajë një taksë shtesë për çdo shërbim që merr. Ky është propozimi, që do të bëhet shumë shpejt fakt i kryer nga “i zoti i shtëpisë”, kryetari i bashkisë, Erion Veliaj.

Nga Komisioni i Ligjeve, në dëgjesën për projektbuxhetin e pushtetit vendor për 2020-ën, kryebashkiaku shpalosi planin e tij për një ligj të posaçëm për Tiranën, me arsyetimin se kështu e kanë edhe kryeqytete europiane si Parisi, Roma e Londra.

“Të gjithë vijnë në Tiranë. Vjen dikush në Gjykatë të Lartë, Gjykatë Kushtetuese, në Parlament a spital kryesor se këtu janë. Duhet të themi që shërbimet që ofron Tirana si kryeseli e qeverisë, e gjykatave, e të gjitha institucioneve qendrore, kanë një kosto, e cila nuk llogaritet dot për banorë, po për përdorues që janë në fakt më shumë se banorët. Kemi marrë modele shumë të mira dhe është koha t’i adresojmë, duke filluar nga kufijtë e Tiranës dhe pastaj të gjitha shërbimet e tjera, që Tirana të reflektojë dinjitetin e kombit tonë. Është kartolina e Shqipërisë. Vitin tjetër, Tirana mbush 100 vjet. Është shumë e rëndësishme që të ketë më në fund një ligj të vetin, ashtu si Roma. Do donim që ai vit jubilar të përkthehet edhe në një vit sinjifikativ në aspektin e legjislacionit”, nënvizoi Veliaj.

Përveç një pakice që zgjedh Tiranën si argëtim, ata mbi të cilët rëndon taksa shtesë janë hallexhinj, të cilët përpos burokracisë në institucionet ku përplasen, do të duhet të paguajnë edhe për ajrin kryeqytetas. Ky është vetëm plani fillestar. Më vonë do të përcaktohen modalitetet mbi mënyrën sesi do të vilet taksa për të ardhurit.

RINASI

Taksa për të ardhurit në Tiranë nuk ishte kërkesa e vetme e numrit 1 të bashkisë më të madhe në vend, në Komisionin e Ligjeve. Pas ndryshimeve të mëdha territoriale, Veliaj propozon një tjetër ndryshim që të përfshijë edhe Aeroportin e Rinasit. Alibia e përdorur në këtë rast, ashtu si edhe në të tjera, veçanërisht kur bëhet fjalë për ndryshim pronësie, është aksesi për investime.

“Për Bashkinë e Vorës apo të Krujës, nuk ka rëndësi fare kush është kryetar bashkie, Rinasi është në periferi të vëmendjes së tyre, është në periferi të territorit. Ne s’ndërhyjmë dot në rrugën Rinas-Tiranë. Pra, vjen një delegacion të takojë Parlamentin dhe rruga Rinas-Tiranë është si Kabuli. Vetëm segmenti qafë e Kasharit, ku mbaron kufiri i Tiranës, deri te rrethrrotullimi i Rinasit, ka 192 çarje të paligjshme në rrugë. Kjo mund të bëhet në ‘të zezë’ deri në njëfarë mase. Por, unë nuk investoj me pemë, të çoj shërbimet e Policisë Bashkiake dhe të IKMTsë në një territor që nuk është i imi, se është shkelje”, tha Veliaj duke insistuar që aeroporti kombëtar i Shqipërisë nuk mund të vazhdojë të figurojë si pjesë e Fushë-Krujës.

Sipas tij, reforma territoriale ‘Fino-Çuçi’ ka adresuar pjesën më të madhe të shqetësimeve, por sërish ka nevojë të rishikohet. Kjo ide u përqafua nga deputeti socialist, pjesë e reformës. “Të japim ndihmesën tonë për ta kaluar dhe për ta bërë sepse dhe ne jemi të ndërgjegjshëm që duhet të bëhen disa korrektime të caktuara. Është me 84 vota, mirëkuptimin e opozitës e kemi”, deklaroi Bashkim Fino.

PLANI I VJETËR, TAKSË QARKULLIMI BRENDA TIRANËS

Ajo që kërkon të bëjë realitet sot Veliaj është një plan i menduar edhe më herët. Një taksë e ngjashme për qarkullimin brenda Tiranës është përfolur jo më larg se vitin e kaluar brenda Këshillit të Ministrave.

Burime të “Respublica” brenda kabinetit qeveritar folën për një taksë simbolike për kalimet e automjeteve në urat e Lanës, taksë e cila ishte menduar të mbahen gjatë pagesës së detyrimeve për automjetet ose në parkingjet përgjatë vendndodhjeve gjeografike që e bënin të detyrueshëm kalimin e tyre nga Lana.

Madje, citohet se nisma në fjalë po shtyhet nga bashkia, e cila luan rolin e agjentit tatimor në këtë rast. Propozimi i përfolur, por që nuk është bërë realitet, kishte menduar edhe destinacionin e të ardhurave. Taksa do të zyrtarizohej si pagesë solidariteti dhe do të veçohej si fond rezervë për zonat që preken nga fatkeqësitë natyrore.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit