Një fëmijë ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë regjistruar të plagosur nga moti i keq që dje ka përfshirë rajonin e Tetovës me rrethinë.
Fëmija që ka humbur jetën është një vajzë 4 vjeçare, e cila ka ndërruar jetë kur një dru është përplasur në makinën që po udhëtonte ajo me tre familjarët e saj, që kanë pësuar lëndime të rënda trupore.
Fatkeqësia ka ndodhur në hyrje të fshatit Trebosh të Tetovës.
Nga Klinika Spitalore e Tetovës informojnë edhe për persona të tjerë të plagosur që janë lajmëruar mbrëmë në repartin e emergjencës, transmeton ina.
Moti i keq që ka përfshirë dje rajonin e Tetovës dhe Gostivarit ka pasuar me një erë të fuqishme dhe shi që ka zgjatur për gjysmë ore, por që janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, duke rrënuar kulmet e disa objekteve. Dëme ka pësuar edhe kulmi i objektit të komunës së Tetovës.
Stuhia e fuqishme ka zgjatur për 10 minuta edhe në rajonin e Shkupit, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale në pjesën qendrore dhe periferinë e kryeqytetit.
Nëpër disa shtëpi kanë intervenuar zjarrfikësit për shkak të zjarreve të shkaktuara nga shtyllat e energjisë elektrike dhe shkëputja e telave të energjisë./Indeksonline/kohaislame