-0.8 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

VAZHDOJNË GËRMIMET NË ZHILIVODË

Më të lexuarat

Kryesuesit e Komisioneve Qeveritare për Persona të Zhdukur nga Kosova dhe Serbia, të enjten kanë realizuar  një vizitë në Zhilivodë,  ku po vazhdojnë gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore të supozuara të jenë hedhur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Të dy komisionet u zotuan se do të vazhdojnë bashkëpunimin deri në zbardhjen e fatit të personit të fundit të zhdukur nga lufta e vitit 1999.

Kryetar i Komisionit qeveritar për personat e pagjetur, Prenk Gjetaj, ka thënë se delegacioni nga Beogradi ka ardhur që të shoh nga afër punimet që po bëhen në këtë lokacion. Ai bëri të ditur se gërmimet në Zhilivodë në vendit ku supozohet se ka mbetje mortore të luftës së fundit në Kosovë, pritet të përfundoj brenda këtij muaji, njofton Kosovapress.

“Këtu është një projekt, i cili ka mbetur i pa përfunduar nga fundi i vitit të kaluar për shkak të kushteve atmosferike dhe vlerësoj se, sipas përfaqësuesit të EULEX-it për këtë projekt, Alon Robinson, mbetet edhe shumë pak për t’u përfunduar. Prandaj edhe opinioni do të  jetë i njoftuar për përfundimin e projektit të Zhilivodës, me disa dyshime të supozuara se ka mbetje mortore të hedhura gjatë  luftë se fundit në Kosovë pa prejudikuar përkatësin etnike”, ka thënë Gjetaj.

Gërmimet në projektin e Zhilivodës kanë rifilluar javën e kaluar pasi ky projekt ka mbetur i pa përfunduar vitin e kaluar për shkaqe klimatike. Gërmimet kanë arritur deri në 25metra dhe janë duke u  kryer nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Gërmimet në Zhilivodë, sipas kryetari të Komisionit Qeveritar për persona të pa gjetur, pritet të  përfundoj brenda një muaji.

Nga ana tjetër, Kryetari i Komisionit Qeveritarë për të pagjetur të Serbisë, Velko Odaloviq ka theksuar se grupi Punues i Serbisë për të pagjetur, ka dhënë rezultate të caktuara duke pas parasysh numrin e madh të personave të zhdukur. Që kur ka filluar edhe aktiviteti i Grupit punues kanë qenë  mbi 3 mijë persona të zhdukur, ndërkaq, siç ka thënë ai, aktualisht të zhdukur rezultojnë 1 mijë e 775.

“Kjo është një punë e vazhdueshme e të gjithë neve. Të gjitha lokacionet duke përfshirë Zhilivodën, Rudnicën, Petrovo sellën, Batajnicën, Medvegjën duke përfshirë edhe kërkesën e Prishtinës për një gërmim në afërsi të Kurshumlisë dhe të gjitha kërkesat e parashtruara nga ana e delegacionit të Prishtinës do të respektohen ashtu siç po vepron edhe Prishtina me kërkesat tona”, ka thënë Odaloviq.

Ndërkaq sa i përket kërkesës së Prishtinës për të hapur arkivat ushtarake të Beogradit me qëllim të zbardhjes së fatit të të pagjeturve, Odaloviq ka thënë se Grupi punues kësaj çështjeje i ka dhënë rëndësi të madhe. Sipas tij, dokumentet janë dorëzuar të gjitha. Ai ka pohuar se nuk ka arsye që këto dokumente të mos ndahen me delegacionin e Prishtinës.

“Kemi këmbyer një numër të madh dokumentesh, më shumë se qindra dokumente me informatat për të pagjeturit të vrarët për vendvarrosjen e tyre. Përmes Grupit punues i kemi dhënë, për secilin rajon veç e veç”, ka thënë ai

Komisionet dhe Grupet punuese për të pagjeturit nga Kosova dhe Serbia, kanë apeluar tek të gjithë ata që kanë ndonjë informatë lidhur me  vendndodhjen e varrezave masive, informacionet e tyre eventuale t’ua përcjellin këtyre komisioneve.

Të rikujtojmë se në Kosovë ende rezultojnë edhe 1775 persona të zhdukur, për fatin e të cilëve ende nuk dihet

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit