Nuk pritet ndryshim i madh në qasjen e misionit evropian për sundimin e ligjit EULEX në Kosovë. Të paktën kështu pretendon shoqëria civile, e cila vazhdimin e mandatit të këtij misioni deri më 15 korrik 2014 e vlerëson si një lajm të keq për pavarësinë e Kosovës, raporton KTV-ja.
Avni Zogiani nga organizata “Çohu” thotë se EULEX-it i kanë munguar rezultatet për më shumë se tre vjet të operimit të tij në Kosovë, dhe sipas tij, fakt ky që përveç tjerash dëshmon se një mision i tillë nuk i duhet Kosovës. Shpend Kursani nga instituti KIPRED mendon se paraprakisht institucionet e Kosovës do të duhej të vlerësonin punën e deritashme të këtij misioni, e pastaj të bënin marrëveshje, e jo letërkëmbime me BE-në për zgjatjen e mandatit të EULEX-it. Ndërsa, partitë opozitare, LDK-ja dhe AAK-ja, e kanë dhënë pëlqimin e tyre për vazhdimin e mandatit të këtij misioni, kurse kundër është deklaruar “Vetëvendosja”. EULEX-i do të jetë i vetmi mision ndërkombëtar në Kosovë, me fuqi ekzekutive në gjyqësi, prokurori dhe polici. Ndërkaq, atij i kërkohet të luajë një rol domethënës në ngritjen e kapaciteteve profesionale të gjyqësorit dhe prokurorisë.kohaislame