Subjektet opozitare në Kosovë thonë se ka mundësi dhe forma që shkalla e varfërisë në vend të zvogëlohet. Këto parti kohëve të fundit, përmes konferencave dhe komunikatave për media kanë kritikuar Qeverinë për gjendjen e rëndë sociale në vend, sidomos për rritjen e numrit të të varfërve.
Por, a kanë plane konkrete partitë opozitare, për zbutjen e shkallës së varfërisë?
Zyrtarë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), thonë se në programin e tyre ka politika dhe masa për përmirësimin e gjendjes sociale. Abdullah Hoti, nga kjo parti, shprehet se mundësitë janë te subvencionimi i bujqësisë, pasi, sipas tij, numri më i madh i të varfërve, jeton në vendet rurale.
Ai, madje, thotë se edhe korniza ligjore më tepër favorizon se sa që lufton varfërinë. “Nëse shihen karakteristikat e atyre familjeve dhe individëve që janë të varfër, ata janë kryesisht të përqendruar në zonat rurale dhe disa urbane, të cilat janë të papunë dhe me arsim të ulët. Prandaj, edhe politikat që tentojnë të zbusin papunësinë, duhet të drejtohen kah këta individë që t’i përmbushin kërkesat e tyre”, thotë Hoti.
Ndërkaq, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, thonë se varfëria në Kosovë mund të ulet vetëm me rritjen e numrit të të punësuarve, sepse, sipas tyre, varfëria nuk luftohet me asistencë sociale.
Shpend Ahmeti, nga kjo lëvizje, vlerëson se përmes politikave të gabuara, ekzekutivi ka bërë që të thellohet më tepër varfëria në vend. “Ne vazhdojmë të importojmë sasi të mëdha të produkteve bujqësore, ndërsa 50 për qind e tokës sonë nuk punohet. Prandaj, në vend që të mendojmë për privatizimin e PTK-së dhe të ndërtojmë autostrada dhe asfalt, Qeveria duhet të mendojë për lehtësime për ata që investojnë dhe krijojnë vende të punës në Kosovë dhe për investime dhe lehtësime për ata që dëshirojnë ta punojnë tokën”, konsideron Ahmeti.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka programin e vet që mundëson uljen e varfërisë dhe rritjen e numrit të të punësuarve, thotë Haki Shatri, nga kjo parti. “Vazhdimisht, Kosova po shkon duke u fundosur në këtë pjesën e varfërisë dhe papunësisë. Dhe, çdo tentim për të përmirësuar situatën, do të marrë kohë, relativisht të gjatë . Nuk do të mund të bëhet kjo për një vit ose me shkop magjik, vetëm të ndërrohet pushteti dhe rregullohen gjërat”, vlerëson Shatri.
Sidoqoftë, përfaqësues të opozitës shprehen se kosovarët janë në të kërcënuar nga varfëria dhe është e domosdoshme të ndërmerren politika sociale.
Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, thuhet se varfëria në Kosovë është 34 për qind e gjithë popullsisë, ku pak më shumë se një e treta e popullsisë jetonin nën vijën e varfërisë absolute me 1.55 euro në ditë, ndërsa 12 për qind jetonin nën vijën e varfërisë së skajshme me 1.02 euro.kohaislame